Kosova me vendndodhjen e saj gjeografike ishte në kufi dhe fqinjësi me shtetet si Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Here pas herë, me secilin nga këto shtete dhe kuptohet veçanërisht në kufij, janë përjetuar disa probleme. Duke filluar që në vitet e hershme, në mosmarrëveshjet që kanë ekzistuar në mes të shqiptarëve me serbët, mbas Kongresit të Berlinit kanë penetruar edhe shtetet e tjera të Ballkanit
Dr. Mucize Ünlü
Rryma kombëtare, e cila u zhvillua mbas Revolucionit Francez (1789–1799), realizuar në çerekun e fundit të këtij shekulli, ka ndikuar edhe në shtetin osman që asokohe ishte një Perandori shumëkombëshe. Në këtë periudhë, shtetet evropiane kanë bërë hapa të rinj në tregti dhe industri, kanë zhvilluar teknika lufte dhe teknologji të reja ushtarake. Kurse shteti osman, nga këmbëngulja për të mbetur i mbyllur ndaj risive (fenomen i zhvilluar jashtë shoqërisë turke), ka mbetur indiferent ndaj zhvillimeve të reja. Shtetet perëndimore, të cilat përfituan nga humbja për çdo ditë e fuqisë të shtetit osman dhe për shkak të ruajtjes së të drejtave të shtetasve osmanë të popullsisë jomyslimane, nisën të ndërhyjnë sistematikisht në punët e brendshme të Perandorisë dhe të bëjnë presione.
Shteti osman, i cili ishte i lodhur nga përpjekjet me kryengritjet dhe luftërat, me qëllimin për të penguar këto ndërhyrje, shpalli Tanzimatin dhe mbas një farë kohe, Fermanin e Reformave (1). Mirëpo, këta fermanë rezultuan se nuk ishin zgjidhje. Shtetet Perëndimore, edhe këtë herë, me pretekstin se janë bërë aplikime kundër Reformave të Tanzimatit, kanë ndërhyrë shpesh në punët e brendshme të shtetit. Në vitin 1875, me këtë situatë të krijuar, ka shpërthyer kryengritja e Hercegovinës dhe brenda një kohë të shkurtër, kjo kryengritje duke fituar një karakter kombëtar, u përhap në të gjithë Ballkanin. Kryengritja që ishte nën ndikimin edhe të politikave pansllaviste, të cilat duke filluar nga viti 1774 fituan shpejtësi, si dhe të kryengritjeve bullgare mbas vitit 1870, përfunduan me luftën e 93-shit, e cila shënoi një pikë kthese për shtetin osman. Kosova, e cila ishte një nga zonat që u ndikua më tepër nga lufta e 93-shit, u formua si vilajet në vitin 1877 dhe këtë pozicion e mbajti deri në luftën e 93-shit. Qoftë kërkesat e popullsisë së krahinës, qoftë për arsye të problemeve të vazhdueshme të qetësisë, të cilat herë pas here janë përjetuar në kuadrin administrativ, kanë përcjellë ndryshime.

Në Kosovë, vilajet që kishte një pozicion të veçantë gjeografik, tërhoqi vëmendjen se në detyra administrative janë sjellë fillimisht persona në përgjithësi me eksperiencë, të cilët i njihnin mirë zakonet dhe traditat e popullsisë, pra, problemet e krahinës që mund t’i zgjidhnin dhe kapërcenin ato. Në Kosovë, e cila zinte një vend të mirë në Ballkan dhe që ishte njëra nga krahinat më të ngatërruara të botës, jetonin dhe gjenin strehë grupe të ndryshme fetare, me gjuhë, besime dhe etni. Me këto tipare, cilësi, karakteristika, ajo ka përjetuar probleme të ndryshme ndërmjet grupeve që e përbënin këtë vilajet, duke mbajtur një rëndësi të veçantë. Në periudhën që vazhdoi deri në luftën e 93-shit, në krahinë është parë një mosmarrëveshje, ndikimi i së cilës vazhdoi\n deri në ditët tona. Të dyja këto komunitete kanë pretenduar se ky vend u përket atyre. Kurse mbas luftës së 93-shit, këtyre pretendimeve u është futur edhe Greqia dhe Bullgaria, ku çdonjëra prej tyre nisi të ketë pretendime mbi Maqedoninë. Krahas kësaj, bashkëjetesa e fiseve dhe mosmarrëveshjet që kanë dalë shpesh në mes tyre, kanë fituar një shtrirje të veçantë, shtuar këtu problemeve ekzistuese. Në fund të luftës së vitit 1893, Kosova është bërë dhe një nga krahinat e vendosjes së muhaxhirëve, të cilët erdhën në tokat osmane, duke lënë vendin e tyre të origjinës. Administratorët në vilajetin e krijuar, i cili ndodhej përpara sfidës së vështirësive ekonomike, u përballën me vështirësi për të ushqyer, strehuar dhe rregulluar muhaxhirët e dëbuar. Me gjithë këto vështirësi, qoftë administratorët vendorë, qoftë popullsia e vilajetit, kanë bërë me përkushtim çfarëdo që kishin në dorë për muhaxhirët. Me fjalë të tjera, shteti në këtë periudhë, ishte në një pozitë, i cili luftonte me disa ngjarje të brendshme dhe të jashtme, pasi ishte mes kryengritjesh dhe borxhesh. Për këtë arsye, edhe Kosovës ashtu si të gjitha zonave të Maqedonisë, nuk i është ndarë një buxhet i mjaftueshëm për drejtimin e vilajetit. Në përfundim të kësaj, herë pas here, drejtuesit, administratorët, kanë treguar paaftësi në çështje të tilla qoftë në pagesën e nëpunësve, por edhe në plotësimin e nevojave të ushtarëve. Krahas nëpunësve dhe ushtarëve, popullsia, e cila nuk kishte parë shërbimin e domosdoshëm në vendet e tyre, esnafët që bënin punë për shtetin dhe që nuk merrnin atë që u takonte, shkurtimisht, një pjesë e madhe e shoqërisë kishte filluar të ankohej për drejtimin nga ana e qeverisë. Pamundësitë ekonomike, krahas shërbimeve të transportit dhe të punëve publike, iu shtuan edhe shqetësimet në fushën e arsimit. Veçanërisht, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ishin hedhur hapa të mëdhenj në fushën e arsimit, ku në vend ishin hapur institucione të reja arsimimi. Këto institucione, duke u transferuar në përmasat e tyre edhe në vilajetin e Kosovës, punuan për të lartësuar nivelin arsimor, mirëpo për arsye të mungesës së pagesave, nuk kanë arritur në nivelin, që kërkohej për këtë sfidë. Megjithëkëtë, popullsia myslimane, mundësitë e arsimimit i ka përfituar në përmasa të mëdha.

Në vilajet, çdo komunitet ka hapur shkolla në gjuhën e vet, të cilat do t’iu shërbenin qëllimeve të tyre respektive. (2) Theksohet se komunitetet e huaja në fushën e arsimit, nuk janë përballur me ndonjë vështirësi. Problemi më i rëndësishëm për Kosovën në kohën që ndodhej nën sundimin osman, ishte çështja e sigurimit të rendit publik. Kosova me vendndodhjen e saj gjeografike ishte në kufi dhe fqinjësi me shtete si Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Here pas herë, me secilin nga këto shtete dhe kuptohet veçanërisht në kufij, janë përjetuar disa probleme. Duke filluar që në vitet e hershme, në mosmarrëveshjet që kanë ekzistuar në mes të shqiptarëve me serbët, mbas Kongresit të Berlinit kanë penetruar edhe shtetet e tjera të Ballkanit. Në etapën e parë, këto shtete kanë punuar të shtinin në dorë krahinën nëpërmjet rrugës së propagandës fetare dhe kulturore. Mbas kësaj, ato i kishin shndërruar veprimtaritë e tyre në veprime të çetave të armatosura. Shtetet Ballkanike, me veprimet që ndodhnin qoftë në Kosovë, qoftë në të gjithë Maqedoninë, kanë pasur mbështetjen e pakursyer nga Fuqitë e Mëdha. Për këtë shkak në krahinë, deri në fund të sundimit osman, është përjetuar problemi i qetësisë dhe i sigurisë. Në këtë proces, e vetmja gjë që do të pengonte rënien në rrezik të sundimit osman në krahinë, ishte marrja e çdo lloj mase në drejtim të sigurimit të qetësisë dhe të ndalimit të turbullirave, të cilat do të bëheshin shkak për ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha. Duhet sqaruar se qeveria osmane në Kongresin e Berlinit, premtoi, garantoi se do të bënte reforma në krahinë. Ky premtim iu dha rast Fuqive të Mëdha që të bënin në krahinë ndërhyrje në çdo kohë, kur e shikonin të arsyeshme. Me këtë lëvizje, një ngjarje vendore qoftë dhe fare e vogël, e cila shfaqej në lokalitete, zakonisht referuar drejtimit të keq që ndodhej në administratën lokale dhe Portës së Lartë, i bënte Fuqitë e Mëdha që vazhdimisht të kërkonin ndryshime ose të bënin propozime për reforma të reja. Por, me gjithë mendimin e mirë të Portës së Lartë, qoftë projektet e reformave të shteteve perëndimore, qoftë përpjekjet që ka harxhuar shteti osman në këtë drejtim, nuk dhanë përfundimet e duhura. Me pak fjalë, veprimet e komitëve të kombeve të Ballkanit, veprimet e fshehta të konsujve të Fuqive të Mëdha dhe atyre të përfaqësuesve fetarë vazhdonin. Krahas kësaj dhe banditizmi në krahinë ishte shndërruar thjesht në art. Në krahinë, për të bërë të mundur sigurimin e qetësisë dhe për t’iu dhënë fund veprimeve të komitëve, ishte e nevojshme armatosja e një numri të shumtë ushtarësh. Por, kjo do të thoshte për vilajetin një detyrim të madh, i cili ishte në vështirësi ekonomike. Deklaratat se: ”Në qoftë se nuk do të shpërbëhej Rumelia, në qoftë se nuk do të ndodhte epidemia e Anadollit dhe, në qoftë se nuk do të digjej Stambolli, parvazi i sipërm i dyerve të shtëpive turke do të ishte prej ari dhe pragu i poshtëm do të ishte prej argjendi” do të shprehnin ndikimin e problemit të qetësisë, e cila përjetohej në Rumeli mbi popullsinë e krahinës. Në prishjen e qetësisë kanë luajtur rol sidomos shtetet e Ballkanit dhe shqiptarët veçanërisht, deri në shtetet Perëndimore. Shqiptarët, të cilët janë të ashpër në thelb, një tipar i domosdoshëm për natyrën e tyre, kanë dalë kundër disa praktikave të shtetit, duke nxjerrë probleme në çështje të tilla si në kundërshtimin e taksave dhe të shërbimit ushtarak. Mbas vitit 1876, për këtë komunitet është pranuar periudha e Rilindjes, ku në këtë proces, intelektualët shqiptarë për ndërgjegjësimin e popullsisë shqiptare, kanë kryer veprimtari të shumta brenda dhe jashtë vendit. Shqiptarët, të cilët morën model shtetet e tjera të pavarura të Ballkanit, veçanërisht mbas vitit 1908 (nën ndikimin dhe të disa zbatimeve të Xhonturqve), i shpejtuan lëvizjet e tyre për pavarësi. Qartësisht, krahina do të dilte nga sundimi osman me luftën Ballkanike, në përfundim të zgjerimit të një kryengritjeje ku shqiptarët nxorën si shkak taksat. Qeveria osmane, duke punuar në një formë të koordinuar me administratorët e vilajetit dhe inspektoratin e Rumelisë, punuan për zgjidhjen e problemit të qetësisë në krahinë. Në këtë kuadër, ajo ka siguruar lehtësira të ndryshme për banorët e vilajetit, si në drejtim të çështjes së taksave por edhe të shërbimit ushtarak, ka ndihmuar me veshje dhe në të holla ata që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore: përmbytjet, zjarret, tërmetet, thatësira, uria e bukës dhe si pasojë një pjesë e popullsisë janë përjashtuar fare nga taksat. Veçanërisht, për të informuar në advancë lidhur me ngjarjet që do të mund të bëheshin shkak për prishjen e qetësisë, është bërë emërimi i një zyrtari (tip detektivi). Ndërkohë që, në krahinë janë formuar Komisionet e Pajtimit të Gjakut dhe Këshillat Private për të bërë pajtimin e palëve, të cilat kishin mosmarrëveshje. Për shkak të bashkëjetesës së fiseve, çështja e gjakmarrjes ishte e shpeshtë dhe herë pas here, për këtë shkak në kazatë, është dashur të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Çështja që sipas karakterit dhe vendit të ngjarjes prishte qetësinë, ndonjëherë është zgjidhur me rrugë paqësore, duke aktivizuar edhe komisionet e këshillave. Ndonjëherë është punuar për t’i dhënë zgjidhje problemeve deri me rrugë ushtarake, duke vënë në lëvizje forcat e sigurisë. Rritja e aktivizimit akoma më shumë i forcave të policisë dhe të xhandarmërisë, ka sjellë që krahas myslimanëve, të bëheshin përpjekje për ta përfshirë në këtë shërbim edhe popullsinë katolike. Ata, të cilët kryenin grabitje, vrasje, rrëmbim personi dhe ata që përfshiheshin në ngjarje që prishnin qetësinë, janë dënuar me dënime si burg, internim, punë fizike, izolim. Por, me të gjitha përpjekjet që u drejtuan me qëllime të mira për të siguruar qetësinë, për arsye të shkaqeve të lartpërmendura, nuk kanë dhënë rezultate dhe, problemi vazhdoi deri sa vilajeti doli fare nga sundimi osman. Që kur u krijua vilajeti para luftës, kushtet e këqija ekonomike në të cilat është ndodhur vendi, u reflektuan në Kosovë, ku nuk ka pasur fonde financiare të mjaftueshme. Kurse një pjesë e madhe e pagesës që është ndarë, është shpenzuar për forcat e sigurisë, të cilat janë krijuar për të penguar problemin e qetësisë që ishte një shqetësim për ata që jetonin në krahinë dhe për Fuqitë e Mëdha. Për këtë shkak, në krahinë, nuk janë kryer shërbimet në nivelin që pritej. Nga ana tjetër, largësia e Kosovës me qendrën e qeverisë si distancë, e ka vështirësuar përfitimin nga mundësitë e shtetit. Veçanërisht, për shkak të kësaj distance, vilajeti nuk kontrollohej (auditohej) në formën e duhur dhe në varësi të situatës ku ndodhej. Gjendja në Kosovë nuk është mundur të kuptohet me seriozitetin e duhur. Kurse parashtrimi herë pas here i qëndrimeve jopozitive të administratorëve, që dërgoheshin në krahinë, ka rindezur problemet ekzistuese. Veprimet e fshehta ose të hapura në krahinë të shteteve fqinje të Ballkanit dhe të Fuqive të Mëdha, të cilat i mbështesnin këto, veprimet e çetave dhe të komitëve, rebelimet e shqiptarëve dhe mosmarrëveshjet që kishin me serbët, e kanë përkeqësuar problemin e qetësisë dhe kanë vazhduar në mënyrë të vazhdueshme.
Përktheu nga origjinali Kujtim Nuro. Titulli origjinal i studimit është “Vilajeti i Kosovës”
Hinweise:
Fermani i Reformave (turqisht: Islâhat Fermânı, i njohur edhe si Hatt-ı Hümâyûn) ishte një dekret perandorak i shpallur më 18 shkurt 1856 nga Sulltan Abdylmexhiti I, i cili synonte modernizimin e Perandorisë Osmane dhe vendosjen e barazisë së plotë ligjore midis shtetasve myslimanë dhe jomyslimanë. Ky dokument përbënte hapin e dytë madhor të epokës së reformave të njohura si Tanzimati.
Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë njihet ajo e Prizrenit (1889) – Është e para shkollë laike dhe kombëtare, e cila u hap vetëm dy vjet pas Mësonjëtores së Korçës, me nismën e mësuesit dhe gjuhëtarit shkodran Mati Logoreci. Ajo konsiderohet si shkolla e parë me karakter laik dhe kombëtar në Kosovë. Për shkak se ishte e hapur për të gjithë fëmijët pavarësisht besimit fetar, në popull u njoh si “shkolla e popullit, t'atyne pa kishë”.