Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

Das Dilemma des zweiköpfigen Mannes

Der Dialog zwischen zwei Köpfen ist ein Dialog zwischen zwei Epochen und zwei Denkweisen: der der klassischen Philosophen und der der zeitgenössischen...

Der Dialog zwischen zwei Köpfen ist ein Dialog zwischen zwei Epochen und zwei Denkweisen: der der klassischen Philosophen und der der zeitgenössischen...

Studimi i Marksit dhe, më pas, enverizmi në mendjen e tij ushqenin ëndrrat idealiste se komunizmi do të sillte barazi dhe mirëqenie. Përkrahësit e Enverit dhe Titos quheshin patriotë, ndërsa të tjerët tradhtarë. Ëndrra për bashkimin me Shqipërinë ishte e ndaluar të shprehej, e jo më të bëhej realitet. Libri “Njeriu me dy koka” i autorit Fehmi Pireva i kushtohet periudhës së pasluftës dhe kohës së aspiratave demokratike. Lufta përshkruhet me pak fraza të thëna bukur, në të cilat ndihet gjendja e tij shpirtërore, e luhatur ndërmjet gëzimit, dhimbjes dhe shpresës

Romani “Njeriu me dy koka”, vepër e re e autorit Fehmi Pireva, përfaqëson përvojën e një brezi ekzistencialist, i cili luftoi dhe punoi duke ndjekur ëndrrat shekullore të paraardhësve për liri dhe demokraci të vërtetë. Romani është rrëfyer në vetën e parë, ku autori është personazhi kryesor dhe vëzhguesi i ngjarjeve të trajtuara në vepër.

Ai ndërtohet mbi një stil realist-romantik, por edhe bashkëkohor e modernist, në përputhje me ngjarjet dhe kohët në të cilat zhvillohen ato. Fëmijëria u shoqërua me frikën që ngjallte përralla e gjyshes për ariun që rrëmbente fëmijët. Ankthi se një ditë ai mund ta rrëmbente edhe vetë, ia trazonte ëndrrat. Kishte drojë edhe nga tregimet e gjyshit për Luftën e Dytë Botërore. Dëshmitë e luftës, helmeta në të cilën hante tagji kali dhe poezia e tij e parë përbënin kujtime të veçanta të asaj kohe. Pa lodra fëmijërore, pa vegla muzikore dhe pa shpresa për të ardhmen.

Dëshpërohej thellë nga këngët e trishta të gjyshit, të kënduara në një gjuhë tjetër. Përjetimet e ëndrrave të adoleshencës dhe dëshira për barazi sociale ushqeheshin nga dashuria për komunizmin, Enverin dhe Titon, e kultivuar në shkolla. Shkopi i mësuesit të dhunshëm nuk përkonte aspak me ato që ai shpjegonte. Ëndrra për t’u bërë filozof dhe kujdesi për pamjen e jashtme ishin të rëndësishme për djaloshin. E shqetësonin pëshpërimat përreth se “ai kishte rrëshqitur fare”.

Studimi i Marksit dhe, më pas, enverizmi në mendjen e tij ushqenin ëndrrat idealiste se komunizmi do të sillte barazi dhe mirëqenie. Përkrahësit e Enverit dhe Titos quheshin patriotë, ndërsa të tjerët tradhtarë. Shqetësimi prindëror dhe porosia e tyre: “Mos fol, se ti nuk di asgjë”, i shkaktonin trishtim dhe kundërshti. Ëndrra për bashkimin me Shqipërinë ishte e ndaluar të shprehej, e jo më të bëhej realitet.

Libri i autorit Fehmi Pireva i kushtohet periudhës së pasluftës dhe kohës së aspiratave demokratike. Lufta përshkruhet me pak fraza të thëna bukur, në të cilat ndihet gjendja e tij shpirtërore, e luhatur ndërmjet gëzimit, dhimbjes dhe shpresës.

“Mbarimi i luftës në Kosovë më gjeti në kufirin ku bashkoheshin Besiana dhe Prishtina. Tërheqja e forcave serbe po zhvillohej sipas marrëveshjes, pjesë-pjesë. Ishte hera e parë që flija në një zonë të çliruar, vetëm pak kilometra larg vendlindjes. Kisha rënë në një gjumë të thellë, të mbushur me ëndrra. Kisha folur jerm me të gjallët e vdekur dhe me të vdekurit që ishin ende gjallë. Ende nuk dija asgjë për gruan time, Suzanën, e cila, bashkë me Doruntinën, kushedi se ku ndodhej. Mungesa e lajmeve dhe qarkullimi i gënjeshtrave më kishin vrarë disa herë për së gjalli. Po përmbysej një epokë që, për gjysmë shekulli, kishte mbajtur mbi supe barrën e një sistemi të ngjizur keq…”

Demokracia i gjeti njerëzit të lirë, por të papërgatitur dhe pa institucione. Sapo fillova ta lexoja romanin, m’u shfaq përpara Franc Kafka me tregimin “Porta e Ligjit”, ku njeriu mplaket përpara portave të drejtësisë. Kështu ndodh edhe me personazhin kryesor, filozofin e ri Agon Butka, i cili, në kërkim të një pune për të jetuar, përplaset para redaksive të gazetave për të shprehur të vërtetën, duke u mbështetur në parimet filozofike mbi të drejtat dhe detyrat. Në lirinë e sapofituar, në një shtet të brishtë, i cili pothuajse nuk ekzistonte fare, shpresat ishin varur te institucionet ndërkombëtare.

“Unë, Agon Butka…”

Kështu fillon rrëfimin në vetën e parë autori, i cili është edhe personazhi kryesor, pjesëmarrës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të trajtuara në libër. Kjo formë rrëfimi e afron autorin me lexuesin dhe krijon një lidhje miqësore, duke përdorur trajtat foljore dhe përemrat vetorë: “unë”, “ne”, “imi”, “yni”. Lexuesi i përjeton ngjarjet dhe bëhet pjesë e zbulimit të tyre njëkohësisht me rrëfimtarin. Ai e beson rrëfimin edhe kur autori-personazh fantazon apo nuk e thotë deri në fund të vërtetën.

Në lirinë e pasluftës, njerëzit ishin të detyruar të ndërronin profesionin për të mbijetuar. Doktorë e profesorë shisnin rëndom në rrugë. Ndërkohë, individë të paarsimuar ngjiteshin shpejt drejt pushtetit. Demokracia ishte një tjetër ankth që pushtonte njeriun në udhëkryqet e jetës. Shqetësimet dhe problemet që solli korrupsioni në familjet e tyre e zymtonin të ardhmen.

Në librari ishin zhdukur librat e filozofëve marksistë; tani botoheshin librat e atyre që dikur quheshin tradhtarë, si Popperi, Hayeku, Niçeja etj. Kalimin nga një kohë në tjetrën autori e realizon përmes një narracioni të punuar me shumë kujdes, nëpërmjet frazave specifike të personazhit, i cili vuan pasojat psikologjike të një kohe absurde, të kundërt me atë që kishte shpresuar.

“Agon, demokracia nuk qenka siç e kemi pritur. Shih si është rritur pasiguria dhe frika për një vend pune. Mos u bëj shumë zgjedhës. Barku nuk të pyet se çfarë je. Duhet jetuar.”

Paaftësia për t’u përshtatur me epokën e re është dilema e madhe e Agon Butkës. Ajo e vë rrëfimtarin përballë problemeve të mprehta dhe dhimbjeve shpirtërore që i shkakton zhgënjimi. Monologu që zhvillon herë pas here me “Kokën bashkëkohore”, duke menduar se koka e tij tashmë është vjetruar për shkak të mospërputhjes me realitetin, ka një karakter fantastiko-ekzistencial, të tipit hamletian.

Është dilema e një filozofi të ri, i cili kishte studiuar marksizmin. Koha e kaluar, e lidhur me shtypin e përditshëm në socializëm, nuk është aq larg nga koha e gazetarisë në demokraci. Të dyja kohët i shërbejnë njëra-tjetrës jo vetëm si pikë krahasimi, por edhe përmes ngjashmërive që bartin. Mungonte liria e vërtetë e fjalës, e mendimit dhe e mënyrës së të jetuarit. Faktet flasin kundër së ardhmes së shumëpritur, në të cilën liria do të shfaqej me të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e njerëzve. Uni bashkues krijon idenë se qenia përbëhet nga disa “une”.

Njeriu nuk i kushton vëmendje të mjaftueshme jetës personale, por i përkushtohet tej mase punës në gazetari. Këtu autori përputhet realisht me qenien e tij, çka e bën rrëfimin tepër të besueshëm, pasi ai vetë ka dhënë kontribut në median e shkruar.

“Më jepte mundësinë që shumë tema të hapura e të pazgjidhura t’i shtroja në faqet e revistës ‘Zgjimi’. Emri i revistës më bëri përshtypje. Pas një nate të gjatë, edhe një shoqëri mund të ketë nevojë të zgjohet. Por çfarë duhej të zgjonim? Kujtesën? Mendimin? Ndërgjegjen?… Por, nëse emri i sistemit ndryshonte, a ndryshonte domosdoshmërisht edhe mënyra se si ushtrohej pushteti?”

Cenimi i identitetit dhe lirisë së fjalës

Pushteti, i cili në atë kohë drejtohej nga njerëz që e shfrytëzonin lirinë për t’u pasuruar në mënyrë të padrejtë, përbën një nga shqetësimet kryesore të romanit. Agoni vuan për shkak të padrejtësive të pronarëve të pasuruar padrejtësisht dhe të spekulimeve mbi realitetin. Punonjësit e gazetave partiake, të cilët nuk trajtohen siç duhet në një shtet demokratik, vuajnë pasojat e cenimit të identitetit dhe të lirisë së fjalës. Ngjarjet dendësohen brenda kësaj periudhe, ku spikasin grabitqarët e lirisë dhe të pasurisë së vendit. Dilema e Agonit qëndron në mbrojtjen e së drejtës dhe në mbështetjen e atyre që punojnë shumë e fitojnë pak, duke u ndarë nga njerëzit zullumqarë e hileqarë, të cilët synojnë të pasurohen në kurriz të të tjerëve dhe rrezikojnë shtetin e brishtë demokratik të pasluftës.

Dilema kishte prekur edhe familjen: “Përse shumë nga shokët e tu të luftës u pasuruan, u bënë të mëdhenj, ndërsa ti mbete i vogël?”

Pyetje të tilla tingëllojnë rëndë në ndërgjegjen e tij. Ata që luftuan së bashku për një atdhe të lirë, disa prej tyre u pasuruan në mënyrë të padrejtë dhe fituan poste e ofiqe, ndërsa të tjerët mbetën në varfëri të tejskajshme.

“Nuk ishte për t’u hedhur poshtë oferta e Bardhë Zezës, i cili ngjante pak a shumë me Trim Partiashin në mënyrën e të folurit. Dukej sikur të dy ishin të lidhur përmes një komunikimi të padukshëm, duke menduar se si mund të vihej në grackë një gazetar i ri.”

Historia e shtypit partiak, e drejtuar nga njerëz të korruptuar dhe e financuar nga burime anonime që lidhen me pastrimin e parave dhe korrupsionin, pasqyron përpjekjet për të përfaqësuar shoqërinë, por edhe për ta fundosur inteligjencën dhe pritshmëritë e saj në luftën kundër këtyre dukurive.

Autori ia ka dalë mbanë në atë që ka synuar të thotë, madje edhe të kontribuojë për të ardhmen përmes artikujve të tij të guximshëm. Kemi të bëjmë me një vepër artistike, ku një mori ngjarjesh koherente e vë ndërgjegjen në dyshim: kemi të bëjmë me paaftësinë apo me pafytyrësinë e asaj që quhej demokraci?

“Një lajm dukej se i tronditi të gjithë ata që po pinin kafe në hotel. Një veteran i UÇK-së ishte gjetur i varur në garazhin e veturës, pasi kishte rënë në varfëri ekstreme dhe ishte kthyer në lypsar, pa mundur të gjente askund një vend pune.”

Kaosi i kohës së pasluftës 

Kaosi i kohës së pasluftës është sa i frikshëm, aq edhe qesharak. Ngjarjet vijnë dhe dendësohen, duke u bërë gjithnjë e më të rënda. Denoncimet në prokurori, dilemat e fajit dhe pafajësisë, mbyllja e gazetës, papunësia e tij dhe e gjithë kolektivit, problemet familjare dhe izolimi i plotë i Agonit në agoninë e tij për të mbrojtur të drejtën, intrigat e drejtuesve dhe indiferenca e të huajve e vrasin shpirtërisht, përballë kërcënimeve për jetën. Dyzimi i rrëfimtarit arrin një intensitet të lartë. Ai dyshon në të vërtetën e vet dhe në të drejtën e vlerësuar nga gjykata.

Tmerri është i pranishëm te çdo njeri me vetëdije shoqërore, por shpesh e çon atë drejt dëshirës për t’u kthyer në pafajësi. Kështu e ndjeu Agoni kur pa Suzanën të rënduar në spital pas aksidentit. Ai ishte kërcënuar me shpagim nga Bardhë Zeza për artikullin bombë në gazetën “Pavarësia News”, ku Agon Butka ishte kryeredaktor. Artikulli kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave njerëzore nga korrupsioni që rëndonte mbi demokracinë e vendit të tij.

Emrat e personazheve negativë, si Bardhë Zeza dhe Trim Partiashi, të përdorur me ironi dhe sarkazëm therës, plotësojnë formën dhe përmbajtjen e romanit, duke i dhënë secilit karakter veçoritë e veta. Autori zotëron teknika realiste për pasqyrimin e një realiteti ku ndërthuren shumë dukuri të një sistemi demokratik ende të pakonsoliduar. Kalimi drejt romantizmit, ku personazhet përplasen në qëndrime dhe ndjenja që burojnë nga natyra e veçantë e secilit, përshkruhet mjaft qartë dhe përmes figurave simbolike.

Dialogët me kolegët dhe bisedat familjare janë origjinale. Ato nuk udhëhiqen gjithmonë nga arsyeja, por edhe nga ndjenjat e secilit, duke e pasuruar bukur librin me një frazeologji të këndshme, përmes së cilës portretizohet secili personazh. Përdorimi i mbiemrit Zeza i mëshon karakterit të një njeriu me energji të keqe dhe pa shpirt, të etur për t’u pasuruar padrejtësisht. Përshkrimi i shokëve të dhjamosur të pasluftës, të ushqyer nga pushteti i keqpërdorur, është figurativ dhe mbresëlënës. Lidhja ndërmjet episodeve të ndryshme nuk i përjashton kundërvëniet jetë-vdekje, mendje-zemër dhe arsye-ndjenjë. Meditimi dhe impulsi ndërthuren bukur, duke kaluar drejt stilit modernist, ku shfaqen karaktere dhe fytyra jo poetike, të shëmtuara, të botës së biznesit agresiv.

Në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtin vend ekzistojnë e jetojnë ideale të ndryshme estetike: idealistët dhe dekadentët. Përdorimi me vend i mjeteve shprehëse, në përputhje me problemet dhe situatat me të cilat përballet personazhi, sjell në pah shqetësime aktuale të kohës së rrëfimit, të cilat janë të dukshme dhe shqetësuese.

Dialogu ndërmjet dy kokave është dialogu ndërmjet dy epokave dhe dy mënyrave të të menduarit: asaj të filozofëve klasikë dhe të atyre bashkëkohorë. Në këtë kontekst përmendet edhe Karl Popperi: “Individët anëtarë të një shoqërie, të cilët janë të vetmit që e dinë se çfarë është e mirë ose e keqe për ta, e përmirësojnë vetveten dhe raportin e tyre me të tjerët nëpërmjet vetëkriticizmit.”

Vetë emri i përzgjedhur për personazhin-rrëfimtar, Agon Butka, shpreh një të ardhme, një mëngjes të bukur që agon në liri. Por dikush mund të ironizojë se njerëz të tillë idealistë, kërkues të lirisë së vërtetë, që vuajnë për vendin dhe popullin e tyre, jetojnë në agoni. Rrëfimi nga një kohë në tjetrën kalon edhe nga një formë në tjetrën: nga realizmi te romantizmi e modernizmi. Këto forma lidhen me njëra-tjetrën përmes një filli të hollë, duke përdorur emra dhe mbiemra, folje në kohën e shkuar dhe të tashme.

Bashkëkohësia ia rrit vlerat lëndës përmbajtësore. Aty shpërfaqen ide të reja, por edhe kufizime në gjykim, si dhe bashkëbisedime brenda të cilave mund të gjendet një burim frymëzimi për të ardhmen, në shpirtin krijues.

Pa moralizma të tepërta etike dhe estetike, të cilat herë-herë e çojnë autorin drejt shkrimit gazetaresk, rrëfimi në vetën e parë e kufizon Agonin në vështrimin e asaj që ndodh përtej objektivit të tij.

Autori, Fehmi Pireva, me motivin e atdhedashurisë, i mëshon një ndërgjegjeje të lartë në kërkim të së vërtetës përmes mjeteve të informimit. Ai jep kontributin e tij intelektual me vrullin e një përroi të ndërgjegjes. Arsyeja nuk e lë të qetë, ndërsa dëshira e madhe për t’i shërbyer së ardhmes, të ëndërruar ndër shekuj nga paraardhësit, e shoqëron në përkushtimin ndaj atdheut të tij të dashur, Dardanisë.