Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Showgeschäft

Helen Mirren wurde Botschafterin einer Wohltätigkeitsorganisation, nachdem sie von einer seltenen Krankheit erfahren hatte.

Helen Mirren

Helen Mirren

Foto: Associated Press

Aktorja britanike Helen Mirren i është bashkuar organizatës bamirëse “DEBRA” si ambasadore, pasi u njoh nga afër me një sëmundje të rrallë gjenetike të lëkurës, e njohur si “lëkura e fluturës”.

Aktorja 81-vjeçare u prek nga historitë e dy të rinjve, Grace Fincham dhe Fazeel Irfan, të cilët jetojnë me një formë të rëndë të kësaj sëmundjeje, të quajtur epidermolysis bullosa distrofike, ka shkruar FemaleFirst.

Mirren ka treguar se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për këtë sëmundje, derisa u takua me ta në një aktivitet bamirësie.

“Deri kur takova Grace dhe Fazeel, nuk kisha dëgjuar kurrë për epidermolysis bullosa. Nuk e kisha idenë se ekzistonte një sëmundje kaq e rëndë dhe dobësuese, për të cilën ka kaq pak trajtime në dispozicion”, u shpreh aktorja.

Dy të rinjtë përfaqësuan organizatën “DEBRA” në aktivitetin ndërkombëtar të bamirësisë “BGC Charity Day”, ku patën mundësinë t’i tregonin aktores për vështirësitë e përditshme që sjell kjo sëmundje dhe mbështetjen që ofron organizata. 

Helen Mirren u shpreh se u prek thellësisht nga përvojat e tyre dhe u impresionua nga forca që treguan, pavarësisht dhimbjeve dhe sfidave me të cilat përballen.

“Më preku shumë mënyra se si ata folën hapur për ndikimin shkatërrues që kjo sëmundje ka në çdo aspekt të jetës së tyre. Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje që kalojnë, forca dhe pozitiviteti i tyre ishin të jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.

Aktorja, fituese e çmimit “Oscar”, premtoi se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur “DEBRA” dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje.

“Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të mbështetur punën e jashtëzakonshme të kësaj organizate dhe për të ndihmuar në realizimin e vizionit të saj: një botë ku askush nuk duhet të vuajë nga kjo sëmundje”, ka deklaruar Mirren.

Epidermoliza bulloze është një sëmundje e rrallë gjenetike që e bën lëkurën jashtëzakonisht të brishtë, duke shkaktuar flluska dhe plagë edhe nga fërkimet apo prekjet e lehta. Për këtë arsye njihet ndryshe si “lëkura e fluturës”, pasi lëkura është e brishtë si krahët e një fluture.

Helen Mirren është gjithashtu ambasadore prej shumë vitesh e organizatës “Barnardo’s”, e cila ndihmon fëmijët dhe të rinjtë në nevojë.