Televizioni shtetëror i Serbisë, RTS, e ka nisur edicionin qendror të lajmeve të enjten mbrëma me një mesazh kërkimfaljeje ndaj shikuesve, duke thënë se ky është hapi i parë drejt rikthimit të besimit të publikut te shërbimi publik.
“Të dashur shikues, këta janë hapat e parë drejt, shpresojmë, rimëkëmbjes së RTS-së dhe masa e parë e kërkimfaljes për gjithçka që është lënë jashtë në periudhën e kaluar. Na pret shumë punë në përmbajtjen programore, gjithçka në interes të publikut. Duam ta rikthejmë besimin tuaj”, thuhej në mesazhin e lexuar nga prezantuesi në emër të redaksisë së re të lajmeve.
VIDEO:
РТС @RTS_Vesti СЕ УПРАВО ИЗВИНИО СВИМ ГРАЂАНИМА СРБИЈЕ НА ЛАЖИМА И СЛУЖЕЊУ БИВШЕМ РЕЖИМУ!!! 🔥🔥🔥🔥🔥🔥🔥🔥🔥 https://t.co/qgrtcxWCzJ
— GiorgioSanto (@GiorgioSanto9) 29. Oktober 2026
Mesazhi u transmetua pasi ushtruesi i detyrës së redaktorit të Programit Informativ, Borivoje Uskokoviq, shkarkoi tetë redaktorë të televizionit. Në mesin e tyre janë Vesna Shiljegoviq, Nikolina Rakiq, Gorislav Papiq, Zoran Stanojeviq, Suzana Gvozdenoviq, Milica Nediq, Dushan Uboviq dhe Ruzha Jeremiq Turudiq.
Një ditë më parë, më 28 tetor, dorëheqje kishte dhënë edhe drejtoresha e përgjithshme e RTS-së, Manja Grçiq. Letra e saj e dorëheqjes u lexua në edicionin e dytë të lajmeve.
Ndryshimet në televizionin publik serb vijnë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Lista e Studentëve ka fituar 140 ulëse, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit ka siguruar 104 mandate.
Ngjashëm si RTS-ja kanë vepruar edhe disa televizione që i kanë shërbyer propagandës së Vuçiqit.