Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Meinung

COP31 und viel Lärm um nichts

Në Antalia, përmbylli punimet Konferenca e Palëve numër 31 (COP31), më e madhja në histori, si një thirrje të fundit që komuniteti ndërkombëtar t`u përmbahet kërkesave të Konventës së Ndryshimeve Klimatike, Protokollit të Kyotos dhe sidomos Marrëveshjes së Parisit. Sekretari i OKB-së, të dhënat nga agjencitë më të specializuara klimatologjike të botës (IPCC, NASA, NOAA etj.) dhe hulumtimet e shkencëtarëve elitarë globalë po e konfirmojnë se temperatura globale është rritur në mënyrë të paprecedentë dhe përtej çdo projeksioni. Mbajtja e temperaturës globale mesatare 1.5oC në mesataren historike paraindustriale deri në vitin 2050, po duket e pamundshme, pasi jemi në prag të tejkalimit. Nëse nuk e “shohim” dot CO2 (sepse ai gaz nuk shihet) që është rritur me mbi 50% në krahasim me epokën e parafosileve, nuk kemi si t`i injorojmë anomalitë e dukurive klimatike dhe dëmet lidhur me ato. Vërshimet e fundi-gushtit në Nepal me 1.500 të vdekur janë vetëm një nga faktet tronditëse. Me këto zhvillime dramatike, bota në formën si po e jetojmë, po futet në atë që quhet “rrafshi i|e të panjohurës dhe të paprovuarës më herët”. Marrëveshja finale e COP31 dështoi pas shumë negociatave e përplasjeve. Caku global prej 35% të energjisë globale nga burimet e ripërtëritshme deri më 2035, u refuzua. Ajo po shihet e pamundshme për superfuqitë e naftës, qymyrit e gazit si shtetet e Lindjes së Mesme dhe Rusia, të cilat, ministri i mjedisit të Panamasë i quajti “mafia e fosileve” që po mban peng botën. Në anën tjetër, superfuqitë industriale, si Kina dhe India, nuk duan ta ndalin hovin e zhvillimit nga zvogëlimi i djegieve të fosileve. BE-ja, si blloku më i avancuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe vendet e pazhvilluara, të cilat po pësojnë më së shumti, e konsideruan propozimin si tepër të butë për luftimin e shkarkimeve të gazeve serrë. SHBA-ja si superfuqi ekonomike, formalisht nuk është as pjesëmarrëse e këtyre negociatave pas tërheqjes nga marrëveshjet ndërkombëtare të ndryshimeve klimatike nga administratat Trump 1 dhe 2. Arsyet për secilin bllok janë të dukshme, sikurse elefanti në dëborë dhe të gjitha sillen te paraja apo simboli ¥€$ (Yen-Euro-Dollar).

Të vegjlit vuajnë veprimet e të mëdhenjve

Ekziston një maksimë e njohur se “ato shtete që më së paku kanë kontribut, siç janë shtetet e vogla dhe të varfra, paguajnë koston më të rëndë të ndryshimeve klimatike”. Kosova ishte prezent në COP31, e përfaqësuar nga niveli më i lartë politik. A e kanë marrë dhe sa e kanë kuptuar mesazhin, mbetet të shihet në hapat dhe veprimet në vitet në vijim?. Kosova tashmë ka të vendosur një bazë ligjore dhe strategjike për ballafaqimin me ndryshimet klimatike. Është aprovuar Ligji për ndryshimet klimatike, është miratuar Kontributi (Vullnetar) i Përcaktuar Kombëtar (NDC) për zbutjen e ndryshimeve klimatike, Strategjia e Ndryshimeve Klimatike. Megjithatë, Raporti i Progresit i BE-së 2026, kapitullin 27 për Mjedisin dhe Ndryshimet klimatike e vlerësoi pa progres. Ky vlerësim lidhet me mosmiratimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, njëjtë si edhe me Strategjinë për Përshtatje në Ndryshimet Klimatike. Nuk ka progres, sepse letrat dhe puna me check-list mbi numrin e ligjeve e strategjive nuk mjaftojnë.

Siç shihet, ligjet dhe strategjitë janë, por kanë mbetur nëpër zyrat qeveritare pa efektet në terren. Aktualisht, qeveria gjermane përmes GIZ-it në Kosovë, me ekspertizë vendore e ndërkombëtare, është duke ndihmuar që objektivat ndërkombëtare dhe nacionale të ndryshimeve klimatike t`i sjellë në pikën “where the wheel touches the ground” apo në shqip: vendi ku goma (e automobilit) prek tokën. Ky është niveli komunal, si hallka më e afërt e qytetarit. Janë institucionet komunale që të parat thirren për ndihmë nga qytetarët kur ndodhin vërshimet që ua marrin shtëpitë dhe të korrat bujqësore, kur ndodhin zjarret e egra në pyje, kur stuhitë shkatërruese u rrëzojnë kulmet dhe serrat, Këto ngjarje po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në ndodhjen e tyre, më të gjera në gjeografinë e tyre dhe përfundimisht më të rënda në pasoja. Përderisa dëmet ekonomike e sociale janë të larta, Kosova ka përjetuar edhe viktimat e para njerëzore si rasti i vitit 2023 në Pejë. Kjo ndihmë po u ofrohet komunave përmes hartimit të një kornize gjithëpërfshirëse dhe ndihmë direkte në procesin e hartimit të Planeve Komunale për Energji dhe Klimë (PKEK), si obligim tashmë ligjor i komunave. 
PKEK, si instrument planifikimi lokal për energji, zbutje dhe përshtatje në ndryshimet klimatike, po zbatohet edhe në shtetet e BE-së, si rezultat i nismës së EU Convenant of Mayors 2025. PKEK-ja synon që objektivat ndërkombëtare e shtetërore t`i bëjë të pranueshme, të zbërthyeshme dhe të zbatueshme në nivelin lokal. Ky obligim rrjedh nga përgjegjësitë ligjore të autoriteteve lokale në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, të vendosura edhe me Agjendën 21. Përmes këtyre planeve, komunat do të hartojnë dhe aprovojnë politikat e tyre origjinale, specifike dhe të jetës së përditshme të qytetarit, duke i harmonizuar me objektivat e ligjeve dhe strategjive shtetërore relevante të ndryshimeve klimatike. Komponenta e parë e PKEK-ut lidhet me energjinë si një nga burimet kryesore të shkarkimeve të gazeve me efektin serrë. Energjia tashmë nuk është luks, por parakusht i jetës normale moderne dhe mirëqenies së qytetarit. Gjithsesi para kërkesës për energji elektrike, disi të gjithë aktorët bëhen pak më “fleksibil” në raport me ndikimin e saj në ngrohjen globale që, sipas World Resources Institute (2026), përbën rreth 76.7 % të shkarkimeve të CO2, që shkarkohen nga djegiet e fosileve për energji elektrike, ngrohje, transport, përpunim dhe ndërtim etj. Edhe qytetari kosovar nuk bën dallim këtu. Energjetika e Kosovës, për specifikën e bazës kryekëput në burimet fosile të asaj që njihet energji me karbon të rëndë: ligniti si resurs për energjinë elektrike dhe nafta si resurs për transportin. Këto dy burime energjetike në Kosovë janë edhe burime kryesore i CO2 dhe gazeve të tjera serrë në një masë prej 88% të shkarkimeve. 

Përballja me ndryshimet klimatike në rrafshin ndërkombëtar bazohet në veprimet në dy drejtime: zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe adaptimin në ndryshimet klimatike. Zbutja e ndryshimeve klimatike (ang.mitigation) i referohet masave që ndërmerren për të zvogëluar shkarkimet e CO2. Çdo MW më pak nga energjia fosile nënkupton më pak CO2 të shkarkuar, e kështu kontribut në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Përshtatja në ndryshimet klimatike (ang. adaptation) i referohet masave që merren për përshtatje në një klimë që po ndryshon. Përderisa zbutja merret me shkaqet dhe burimet e ndryshimeve klimatike, përshtatja merret me pasojat dhe menaxhimin e tyre. Masat për zbutjen e ndryshimeve klimatike duhet të koncentrohen kryesisht në rritjen e efiçiencës energjetike nga sektorët e ndërtimit, transportit etj., rritjen e përfshirjes së burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik dhe reduktimin e shkarkimeve të CO2. Nëse si shtet i vogël dhe i pazhvilluar, mundësitë e veprimeve për zbutje i kemi të kufizuara, pasojat që po i përjetojmë, kërkojnë që qytetarët e këtij shteti të përshtaten në një klimë që ka ndryshuar edhe pa fajin e tyre.  

Edhe nëse nuk duam, detyrohemi të përshtatemi!

Charles Darwin në kryeveprën e tij “Mbi origjinën e specieve” thotë se “nuk është specia më e fortë që mbijeton, e as ajo më inteligjente, por ajo që përshtatet më së miri në ndryshime”. Pra specia që përshtatet më mirë dhe më shpejt në ndryshimin e kushteve e mjedisit natyror, mbijeton. Ajo që nuk përshtatet, është e destinuar të zhduket, dhe janë dhjetëra mijëra specie të zhdukura deri sot që i ka evidentuar shkenca biologjike. Edhe njeriu, është vetëm një specie biologjike (Homo sapiens) apo jo, vetëm një nga mbi 1.5 milion specie që jetojnë në këtë planet? Por një specie njerëzore që është kthyer në një faktor, që me veprimin e vet abuzues ndaj natyrës, po rrezikon ekzistencën e të gjithë planetit.

Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, sipas Panelit Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i referohet "përshtatjeve në sistemet ekologjike, sociale dhe ekonomike, si përgjigje ndaj faktorëve klimatikë dhe pasojave të tyre të tashme dhe në të ardhmen". Përshtatja kërkon ndryshime në procese, në praktika dhe në struktura, me qëllim zbutjen e pasojave. Procesi i përshtatjes kërkon ndërhyrje dhe masa të përballimit të pasojave si në sistemet humane, ashtu dhe në sistemet natyrore. Në planifikimin lokal, sipas PKEK-ut, masat e përshtatjes do të përfshijnë intervenime konkrete për ballafaqimin me pasojat e ndryshimeve klimatike: rregullore dhe politika lokale, punë dhe investime kapitale në sektorët e cenueshëm, instrumente ekonomike, qeverisje efikase, ngritje kapacitetesh, edukim dhe hulumtim e edhe informim dhe komunikim me qytetarët.

Meqë ndryshimet klimatike tashmë janë rrezik direkt për jetën dhe ekonominë e njeriut, PKEK-u do të përmbajë edhe një vlerësim të thjeshtëzuar të rreziqeve klimatike për komunën respektive dhe masat konkrete për t`u përballur me to. Kjo nënkupton një analizë të rrezikut klimatik të bazuar në llojin e rrezikut, ekspozimin ndaj tij dhe cenueshmërinë e sistemeve ekologjike dhe humane nga ai rrezik. Prioritet në këtë fazë planifikimi duhet t`u jepet rreziqeve me nivelet më të larta të rrezikshmërisë dhe ndikimeve më të rënda për komunat respektive. Për disa komuna, p.sh. rreziku kryesor janë vërshimet, për disa të tjera zjarret në pyje e për të tjerat stuhitë e fuqishme. Disa përballen në nivele të larta me të gjitha këto rreziqe. Prandaj për secilën komunë, varësisht rreziqeve, duhet të propozohen edhe masat për këtë përshtatje ndaj rreziqeve klimatike. 

Qëllimi praktik i PKEK-ve është që komunat tona ta kenë një planifikim vetanak, të hartuar dhe miratuar nga vetë ato, që është i kuptueshëm, transparent, gjithëpërfshirës, i zbatueshëm në terren, i përballueshëm financiarisht dhe që mund t`i rezistojë veprimeve dhe masave për zbutje dhe përshtatjes edhe pas skadimit të tij. Një plan që do të bënte të mundshme së pari mbrojtjen e jetës së qytetarit dhe ekonomisë së tij. Krejt kjo me qëllimin afatgjatë që qytetari kosovar të përshtatet për jetë në një temperaturë mesatare prej rreth 4oC më të lartë dhe të mungesës së ujit në katër nga pesë pellgjet ujore deri në fund të shekullit 21, siç ka parashikuar Raporti i NATO-s për Sigurinë dhe Ndryshimet klimatike 2024, por e parashikojnë edhe ekspertiza vendore me kapacitetet e saj. Uroj që kjo të mos ndodhë, por masat përgatitore me kohë, do të minimizojnë mundësinë e ndodhjes së këtyre parashikimeve dhe do të zvogëlojnë pasojat eventuale nga to.

(Autori është ekspert mjedisor dhe ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)