Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Militär

Nora greift beim Training mit dem belgischen Team auf das „kosovo-Judo-System“ zurück.

Nora Gjakova

Nora Gjakova po bën hapa të rëndësishëm në karrierën si trajnere e xhudos. Pasi e mbylli karrierën si xhudiste, Nora punoi për një kohë në ekipin e Kosovës. Por ishte e interesuar për një përvojë të re dhe tashmë ka disa muaj që po punon me ekipin e Belgjikës në xhudo. Puna e saj vlerësohet lart në shtetin belg. Dhe si kampione olimpike ajo e ka respektin në gjithë komunitetin e xhudos.

Gjatë Kampionatit Evropian për juniorë, që po mbahet në Podgoricë, Nora Gjakova ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Unionit Evropian të Xhudos.

Nora ka folur për sfidat në fillim të karrierës si trajnere, por edhe për përfitimet që i ka nga sistemi kosovar i xhudos. Ajo ka treguar se bashkëpunon rregullisht me trajnerin e Kosovës në xhudo, kryemjeshtrin Driton Kuka.

“Pas pensionimit kam vendosur të pushoj pak. Por nuk më pëlqeu qetësia që erdhi me të. Pas tre muajsh vendosa të punoj si trajnere, por në Qendrën Nacionale të Kosovës. Megjithatë vazhdimi në arenën e njëjtë ku kam punuar për më shumë se 20 vjet si sportiste, nuk ishte shumë sfidues për mua. Kam menduar se më duhet diçka e re, diçka ndryshe, që do ta mbante mendjen time më të hapur”, ka theksuar Gjakova, që ka karrierë impresive në xhudo. Ajo po ashtu shquhet për njohuritë e mëdha për sportin e xhudos.

“Vendosa të kërkoj punë të re. Erdhi kjo mundësi që të punoj me ekipin e Belgjikës. E pranova dhe prej atëherë vazhdoj punën me të”.

Kalimi nga Kosova te Belgjika nuk ishte ndonjë sfidë e papërballueshme për Norën. Xhudoja është thuajse e njëjtë në gjithë botën dhe është “gjuha” e Norës. 

“Xhudoja hapi dyert për mua. Kam ardhur nga xhudoja e nivelit të lartë kështu që kuptoj çdo gjë që vjen me këtë. I kuptoj sportistët, jetën e tyre, jetën e trajnerit dhe çdo gjë ishte më e lehtë për mua në kuptimin e punës me ta. Gjëra të tjera si jetesa në një vend tjetër, jetesa vetëm, janë pak sfiduese, por isha gati. Isha gati për çdo gjë që erdhi me këtë”, ka thënë Nora Gjakova.

Shkolla kosovare e xhudos, përkatësisht shkolla e kryemjeshtrit Kuka çmohet në gjithë botën. Dhe Nora i është përmbajtur asaj në kërkim të suksesit në Belgjikë. Deri më tani po i ec shumë mirë.

“Kjo është forca ime. E shfrytëzoj gjënë në të cilën jam më e mira. Kjo është mënyra që kemi fituar me Tonin. Është sistemi në të cilin kam punuar për 23 vjet dhe jam më e sigurta në mënyrën se si kemi punuar me të. Më pëlqen se si kemi punuar bashkë, si kemi mësuar xhudon prej tij. Çdo gjë ishte e përkryer. Këtë e dëshmojnë edhe medaljet olimpike. I kemi pesë medalje olimpike në Kosovë. Pra është sistem që ka funksionuar. Dhe do të mundohem t’i përshtat gjërat që kanë shkuar mirë edhe në punën time të re në Belgjikë”, ka thënë trajnerja pejane.

Ajo ka edhe medalje botërore dhe shumë medalje evropiane gjatë karrierës si xhudiste. Gjithë karrierën e zhvilloi në kategorinë deri 57 kilogramë. Vetëm në garën përmbyllëse, Grand Slamin e Parisit, garoi në 63 kilogramë. Në shkurt të vitit të kaluar u përshëndet me medalje, përkatësisht me vend në podium. Gjithë karrierën si xhudiste e ka zhvilluar nën urdhrat e trajnerit Kuka.

“Vazhdoj të jem në kontakt me Tonin. Sidomos kur më duhet ndonjë këshillë, i drejtohem. Ai është gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar. Ai është i lumtur për këtë hap që kam bërë. Kam përkrahjen e plotë. Kjo më bën të ndihem mirë. Pasi fillimisht dua t’i kem gjërat e qarta me të. Ishte trajneri im për 23 vjet dhe dua të kem përkrahjen e tij në rrugëtimin e ri”, ka theksuar Gjakova.

Prej gjeneratës së pakrahasueshme të xhudos kosovare, si trajnere tashmë punon edhe Majlinda Kelmendi. Ajo është pjesë e ekipit të kryemjeshtrit Kuka. Ndërkohë Distria Krasniqi vazhdon si xhudiste dhe me suksese kulmore.