Sasia prej 37 kilogramësh heroinë, me vlerë mbi 550 mijë euro, dyshohet se është sjellë nga Irani në Kosovë, e fshehura në mes të mallrave komerciale. Sipas autoriteteve, aksioni i së martës përfundoi me 5 persona të arrestuar, e destinacioni i kësaj sasie droge dyshohet të ishte tregu ndërkombëtar
Irani dyshohet të jetë vendi nga ku janë siguruar 37 kilogramë heroinë, në vlerë rreth gjysmë milioni euro, të cilat u sekuestruan nga autoritetet në Kosovë.
Policia ka thënë se droga që ishte kamufluar mes mallrave komerciale, destinacion përfundimtar dyshohet ta ketë pasur tregun jashtë vendit.
Në një konferencë për media, drejtori i Departamentit për Hetimin e Narkotikëve në Polici, Reshat Murseli, tha se aksioni rezultoi me arrestimin e pesë personave.
“Në total, gjatë këtij operacioni policor, janë bastisur pesë lokacione dhe objekte përcjellëse. Janë arrestuar pesë të dyshuar, dy nga ta shtetas turq, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas kosovarë. Dyshohet se grupi kriminal sasinë e narkotikut e ka transportuar të kamufluar në mallra komerciale nga vendet aziatike të Lindjes së Mesme, gjegjësisht Iranit për në Republikën e Kosovës. Në bazë të hetimit të deritanishëm dyshohet se e ka pasur për qëllim tregun jashtë vendit. Vlera e shitjes jashtë Kosovës do ta kalonte shifrën prej 550 mijë eurosh”, ka thënë Murseli.
Murseli ka bërë të ditur se operacioni i koduar me emërimin “Rikthimi”, u realizua në Ferizaj e Prishtinë.
“Me datën 3 kemi organizuar planin taktik i koduar ‘Rikthimi’. Rreth orës 21:45 në mbështetje operacionale të njësive përkatëse në rajonin e drejtorisë rajonale të Ferizajt, me urdhrin e prokurorit Demi e kemi nisur operacionin policor, duke filluar me një bastisje në një depo në një fabrikë në regjionin e Ferizajt, ku atje dyshohet se mund të jetë në ruajtje një sasi e narkotikut në pronë të dyshuarit F. S., shtetas kosovar. Më pas janë bastisur edhe katër lokacione të tjera të përfshira dhe dy në rajonin e Prishtinës. Gjatë bastisjes në depo, fillimisht policia e ka gjetur një sasi të drogës e dyshuar si heroinë, e cila ishte e vendosur në qese najloni dhe më pas është gjetur edhe një sasi e drogës e ndarë në 61 paketime, e cila ishte e kamufluar në një pako letre. Po ashtu në njërën nga banesat e bastisura tek i dyshuari I. S., shtetas turk, është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi prej një kilogrami, e dyshuar heroinë. Pra në total janë gjetur 62 paketime në peshë totale 37 kilogramë”, ka thënë ai.
E prokurori special, Atdhe Dema, deklaroi se ndaj pesë të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Sasia e saktë do të konfirmohet pas analizave të duhura, megjithatë dyshimi i parë është se bëhet fjalë për substanca narkotike dhe atë të llojit heroinë. Bëhet fjalë për grup të mirëorganizuar si strukturë kriminale dhe lidhet me veprën penale të ‘Blerjes e shpërndarje së narkotikëve’. Ndaj të dyshuarve veçse është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe tani që po flas me ju jemi në fazën e përgatitjes së të gjithë dokumentacionit të cilin e kërkon procedura penale për të vazhduar tutje”, ka thënë Dema.
Duke folur për aksionin, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, tha se hetimi për këtë rast është konkretizuar në një afat rekord.
“Gjatë aksionit mbrëmë janë arrestuar pesë persona, prej të cilëve dy shtetas të huaj. Njëkohësisht janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar e llojit heroinë. Ky aksion është rezultat i një hetimi të filluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga AKI-ja. Hetimi është konkretizuar me këtë rezultat brenda një afati rekord”, ka thënë Paca.
Aksionin e Prokurorisë Speciale, Policisë dhe AKI-së, e ka mirëpritur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit.
“Edhe një grup kriminal ndërkombëtar është goditur falë punës profesionale dhe angazhimit të përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ka shkruar ai. “Angazhimi ynë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve vetëm sa do të rritet, me edhe më shumë vullnet dhe këmbëngulësi. Republika e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë zonë e sigurt për kriminelët, e as për aktivitetet që cenojnë sigurinë e vendit, shëndetin dhe mirëqenien e rinisë dhe të gjithë qytetarëve tanë”.
Edhe në pjesën e parë të këtij viti ishte konstatuar se Irani është vendi nga i cili ishin siguruar 18 kilogramë heroinë të tjera, që Policia i pati kapur në prill gjatë një aksioni në Ferizaj. Në dosjen e Prokurorisë për këtë rast tregohet se kjo sasi narkotikësh kishte destinim tregun ndërkombëtar – vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se si ata substancën e drogës së rëndë e kanë përpunuar në Kosovë.