Me kritikat për keqmenaxhim të furnizimit me barna, përkundër rritjes së buxhetit, është përballur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Në interpelancë, e cila u ftua pas vdekjes së një pacienteje me kancer së cilës i mungonte një bar nga terapia, diskutime pati edhe për çështje të tjera
Vdekja e një pacienteje, e cila për disa muaj ishte përballur me mungesë të një bari për trajtimin e kancerit, e për të cilën ka raportuar KOHA, është bërë shkak që deputetët opozitarë të kërkojnë përgjegjësi nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, e cila ka iniciuar interpelancën e ministrit Vitia, ka thënë se ballafaqimi i qytetarëve me mungesën e barnave nuk duhet të kalojë pa dhënë përgjegjësi.
“Katër muaj ministër pa barin që i ndihmon në terapinë e kancerit. Për ju mundet me qenë veç një tender që është vonuar, por për atë grua ishin katër muaj pritje të një bari ndërkohë që sëmundja nuk pret”, ka thënë ajo.
Derisa ka treguar për mënyrën se si është trajtuar pacientja, ministri Vitia ka pranuar se furnizimi me barna për Klinikën e Onkologjisë ka qenë sfidues këtë vit. Krahas shkaqeve të tjera, sipas tij, mosmiratimi i buxhetit, ka qenë ndër kryesorët.
Vitia ka thënë se mbi 230 pacientë është dashur të sigurojnë disa terapi në mënyrë private, për shkak të mungesave, e të cilat, sipas tij, kanë zgjatur nga 9-20 javë.
“Tashmë janë marrë të gjitha masat në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm. Për shumicën e produkteve të mëhershme janë nënshkruar kontratat afatgjate dhe tashmë ka filluar liferimi”, ka thënë ministri Vitia.
E, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, i cili vet ka qenë ministër i Shëndetësisë, e ka cilësuar katastrofal planifikimin buxhetor. Sipas tij, përgjegjësi duhet të japë drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.
“Planifikimi është kriminal, kriminal. Ti me nisë një procedurë edhe mbas tre muajsh me dhanë me 364 për qind ma shtrenjtë, kjo ua jep juve një obligim ministër, që atë drejtorin e SHSKUK-së, domethënë si të dalësh prej këtu, me i iniciu bordi edhe me largu prej aty ose në të kundërtën heshtja, mbrojtja, neglizhimi ndaj këtij veprimi po ju bën përgjegjës edhe juve”, ka thënë Ismaili.
Ministri Vitia ka ironizuar me kërkesën.
“Unë s’mundem, se nuk jam as polic, as prokuror e as gjykatës. Besa fizikisht nuk jam më i përgatituri që të shkoj të përballem me ata njerëz pa forcën e ligjit. Tash ligji me këtë çështje”, ka thënë ai.
Për këtë ka polemizuar Ismaili.
“Nuk po të thotë me dalë kurrkush si prokuror, as me i rrëzu duart, me kanë ma i forti fizikisht. Po të thotë me marrë dokumentin, me mbajt konferencë për shtyp para SHSKUK-së, edhe me ju thanë; ‘Juve do t’ju ndjek me ligj’”, i është kundërpërgjigjur Ismaili.
Gjatë debatit, akuza për hajni ka bërë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili po ashtu ka qenë ministër i Shëndetësisë.
“Përpos që është rritur buxheti për barna, është rritur edhe mungesa e barnave, është abuzimi me barna, është rritur tendermania e barnave, është rritur mungesa e atyre çka janë më bazike, më elementare, materialit shpenzues edhe është rritur papërgjegjësia”, ka thënë Zemaj.
Ministri Vitia i ka quajtur shpifje këto.
“Jeni konsistentë edhe në LDK, edhe jeni konsistentë në shpifje. Ju përmendet prapë keqpërdorim e vjedhje. Jeni kah e thoni vazhdimisht këto. Për besë, kund as edhe një gjysmë fakti nuk e keni paraqitur o ish-ministër”, është kundërpërgjigjur ministri Vitia.
Kritika jo vetëm për mungesë të barnave, por edhe për listë të gjatë të pritjes e të shërbimeve të tjera, ka dhënë deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
“Ju ministër po mburreni që e keni trefishu buxhetin, andaj kjo të bën edhe më përgjegjës këtu se buxheti më i madh e barna nuk ka”, ka thënë ajo.
Interpelanca u përmbyll me prezantimin e një rezolute përmes së cilës kërkohej ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin dhe furnizimin e pandërprerë me barna esenciale për pacientët, por që në mungesë të kuorumit nuk arriti të miratohej.