Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Luan Omari – der intellektuelle Mitbegründer der Akademie der Wissenschaften in Albanien

Leo Omar

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në njoftimin për ndarjen e tij nga jeta, e cilësoi atë si “një dijetar të përkushtuar”, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka humbur një nga personalitetet e saj themeluese. Akademik Luan Omari, një prej figurave më të rëndësishme të jurisprudencës shqiptare dhe të studimeve kushtetuese, u nda nga jeta të enjten, më 29 tetor. Ai ishte 101 vjeç. Me një veprimtari shkencore që shtrihet në më shumë se gjashtë dekada, Omari ia kushtoi jetën studimit të së drejtës, zhvillimit të arsimit juridik dhe formimit të brezave të juristëve. Vepra e tij lidhet ngushtë me historinë e institucioneve akademike shqiptare dhe me zhvillimin e mendimit kushtetues, veçanërisht në proceset e transformimit politik e institucional të viteve ’90. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në njoftimin për ndarjen e tij nga jeta, e cilësoi atë si “një dijetar të përkushtuar”, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Sipas institucionit, jeta dhe vepra e tij janë të lidhura me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës.

Luan Omari u lind më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa maturën e përfundoi në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i ndoqi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.

Sipas biografisë së tij të publikuar nga Akademia, karriera e tij profesionale dhe akademike u lidh me zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ai shërbeu si docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, ndërsa më pas u bë një nga figurat qendrore të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Për gati dy dekada, Omari drejtoi këtë fakultet si dekan, duke kontribuar në zhvillimin e mësimdhënies dhe në formimin profesional e shkencor të juristëve shqiptarë. Në Universitetin e Tiranës ishte edhe profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës, si dhe i së drejtës publike. Në vitin 1972, ai ishte ndër themeluesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë institucion të themeluar në janar 1973, akademik Omari shërbeu si sekretar shkencor dhe më pas si zëvendëskryetar, duke qenë pjesë e drejtimit të një prej institucioneve kryesore të dijes në vend.

Përtej veprimtarisë universitare dhe drejtimit të institucioneve akademike, Omari u shqua edhe për kontributin në debatet kushtetuese dhe në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai përfaqësoi vendin në Komisionin e Venecias, pranë Këshillit të Evropës, ku trajtohen çështje që lidhen me demokracinë, kushtetutat dhe shtetin e së drejtës.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me proceset e hartimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Në këtë periudhë, kur vendi po kalonte nga sistemi njëpartiak drejt pluralizmit politik, përvoja e juristëve dhe studiuesve të së drejtës mori rëndësi të veçantë në diskutimet për organizimin e institucioneve dhe përcaktimin e raporteve ndërmjet pushteteve.

Omari ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike e kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar. Në këtë korpus studimesh përfshihet edhe vepra “Kushtetuta e Kosovës në një vështrim krahasues”.

Për kontributin në shkencë dhe në zhvillimin e institucioneve akademike, Omari u nderua në vitin 2016 me Çmimin e Karrierës Akademike nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në vitin 2020, presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në shenjë vlerësimi për meritat e tij në fushën e së drejtës. Në qershor të vitit 2025, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, organizoi konferencën shkencore “Shteti dhe e drejta në veprën e akademik Luan Omarit”. Veprimtaria vuri në pah ndikimin e tij në mendimin juridik, në zhvillimin e shkencës kushtetuese dhe në edukimin e brezave të rinj të juristëve. Me vdekjen e Luan Omarit mbyllet jeta e një prej figurave që kanë shoqëruar për dekada zhvillimin e mendimit juridik shqiptar. Trashëgimia e tij mbetet në studimet e botuara, në institucionet ku shërbeu dhe në brezat e juristëve e akademikëve që u formuan nën ndikimin e punës së tij.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar se ceremonia përkujtimore dhe homazhet do të mbahen sot (e premte) në ambientet e saj në Tiranë. Akademia solemne do të zhvillohet në orën 10:00, në sallën “Aleks Buda”, ndërsa homazhet do të mbahen nga ora 11:00 deri në orën 13:00.