Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kultur

Die Fehlleitung bei der Stärkung der Aufsichtsbehörde für das kulturelle Erbe wird in Serbien zum „Alarm“.

Inspektorati ndalimi  punimeve në shesh

Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit për trashëgiminë kulturore, të miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore qysh në shkurt të vitit 2018

Diskursi që mori kahe tjetër dy orë pas mesnatës kur Lista Serbe e çorientoi nisëm ligjore për fuqizimin e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, tashmë është shndërruar në alarm në Serbi. Në Kosovë, të martën në lidhje me Projekligjin për Inspektoratin Qendror për Trashëgimi Kulturore ka folur edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili ka thënë se ai duhet të harmonizohet me legjislacionin ekzistues dhe garancitë kushtetuese. Lista Studentore ka paralajmëruar se po alarmon komunitetin ndërkombëtar, e disa media në Serbi tash e tri ditë po “alarmojnë” për “rrezikun që u kanoset vendeve të shenjta serbe”

Përkundër zotimeve të sponsorizuesit të Projektligjit të Inspektoratit Qendror për Trashëgimi Kulturore se ai “nuk mbingarkon ligje të tjera”, e ani pse Kosova ka Inspektorat të tillë tash tetë vjet e nëntë muaj, reagimet përballë nismës ligjore për ta fuqizuar këtë organ, përditë e më shumë po marrin kahe tjetër veçmas në Serbi. 

Në Kosovë, të martën ka reaguar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili, cituar nga “Radio Evropa e Lirë”, theksohet të ketë vlerësuar se Projektligji për Inspektoratin Qendror për Trashëgimi Kulturore, sponsorizuar nga Ministria e Kulturës, duhet të harmonizohet me legjislacionin ekzistues dhe garancitë kushtetuese, në mënyrë që të mos ketë ndikim të dëmshëm për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe objektet e saj fetare.

“Është veçanërisht e rëndësishme që me ligjin e ri të mos cenohen garancitë ekzistuese ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kishës Ortodokse Serbe, dhe as të anashkalohen, përmes kompetencave të reja inspektuese, kompetencat dhe mekanizmat mbrojtës të përcaktuar me ligjet në fuqi”, citohet të ketë thënë Rashiq përmes një reagimi.

Rashiq citohet të ketë thënë se mangësitë në ligj është dashur që të evidentohen më herët në mënyrë që të mund të merreshin masa me kohë.

Ministri Rashiq, sipas REL-it, ka vlerësuar se “gjatë përcaktimit të natyrës juridike të ligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore duhet të merren parasysh përmbajtja e tij reale, çështjet që rregullon dhe pasojat që mund të prodhojë, e jo vetëm emërtimi ose qëllimi i përcaktuar formalisht”. 

“Në këtë kontekst, ai theksoi se neni 81 i Kushtetutës së Kosovës përcakton qartë se për miratimin e ligjeve të kësaj kategorie kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, si dhe shumica e votave të deputetëve që kanë mandatet e garantuara për komunitetet joshumicë”, ka shkruar REL-i. “Kjo nuk është çështje politike dhe as çështje e vullnetit të mirë, por një detyrim kushtetues”, është cituar Rashiqi duke shtuar se sipas tij kërkesa për konsultime shtesë është e arsyeshme dhe bëri thirrje për dialog mes përfaqësuesve politikë të serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe.

“Jemi të hapur për bisedime dhe konsiderojmë se përfshirja e të gjithë aktorëve relevantë është e domosdoshme për të arritur një zgjidhje cilësore dhe juridikisht të qëndrueshme”, citohet të ketë thënë ai. 

Reagimet në lidhje me Projektligjin për Inspektoratin Qendror për Trashëgimi Kulturore morën kahe krejt tjetër kur Lista Serbe, dy orë pas mesnatës midis së enjtes dhe të premtes së kaluar, e çorientoi nismën ligjore për ta fuqizuar Inspektoratin duke e bërë agjenci qendrore, e cila mbi të gjitha ka kompetencë ta ndalojë ndërhyrjen e paautorizuar në objektet e mbrojtura të trashëgimisë. Miratimit në shqyrtim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror për Trashëgimi Kulturore i kishte paraprirë debati për të, kryesisht teknik, por kur fjalën do ta merrnin deputetët e Listës Serbe, qenë hapur tema që nxitën edhe përplasje. Kishte shkuar deri te cilësimet si Projektligj antikushtetues e cenues për Kishën Ortodokse Serbe.

Deputeti Igor Simiq kishte “paralajmëruar rrezikun” kur “një inspektor do të hyjë në një manastir dhe do të thotë se ‘nuk mund të ndizni qirinj’”. 

Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore i hartuar qysh më 2024 përcakton se IQTK themelohet si Agjenci Ekzekutive në kuadër të Ministrisë, ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale. Është përgjegjës për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 

Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit për trashëgiminë kulturore, të miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin qysh në shkurt të vitit 2018. Inspektorati, me seli në Prishtinë, vazhdon të ketë kompetenca për inspektimin e ligjshmërisë së ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Ndalon punimet që, pa leje, ndërhyjnë në zonat e mbrojtura ose në perimetrin e monumenteve, si dhe punimet që nuk u përmbahen lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Tash, Projekligji synon që Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ta çojë në një nivel tjetër, si për nga rangimi institucional, ashtu edhe për nga kompetencat duke e shndërruar në agjenci. Shpjegimet si këto, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, i kishte bërë edhe në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, kur Projektligji me 62 vota për, 8 kundër dhe 1 abstenim, u miratua në shqyrtim të parë. Sipas saj, njëra prej shtyllave kryesore të Projektligjit është rregullimi i çështjeve organizative dhe procedurale të inspektimeve. 
“Pra, nuk e prek përmbajtjen dhe aspektin normativ të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, e cila mbetet e rregulluar me legjislacionin bazë dhe ligjet e veçanta në fuqi. Ne po e riorganizojmë Inspektoratin ekzistues në nivel të një agjencie ekzekutive, e cila do të jetë mekanizëm për zbatimin e legjislacionit në fuqi”, kishte thënë ministrja Bogujevci duke shtuar se “ky ligj nuk krijon mbivendosje të kompetencave dhe nuk ndërhyn në veprimtaritë apo regjimet specifike dhe trupat e veçantë të krijuar me ligje të posaçme, të cilat mbeten plotësisht të paprekura”. 

“Me një reformë të tillë ligjore, ne rrisim kapacitetet inspektuese dhe konsolidojmë kushtet për inspektimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, kishte thënë ministrja Bogujevci.

Por ndryshe e kishin “lexuar” deputetët e Listës Serbe.

“Ky Projektligj prek atë që Kushtetuta e përcakton si interes jetik të komuniteteve joshumicë, të përcaktuar me nenin 81. Me miratimin e tij do ta shkelni Kushtetutën, përkatësisht nenet 38 dhe 39, me të cilat garantohen liria e besimit dhe autonomia e komuniteteve fetare, si dhe nenin 81, sepse nuk do t’i keni votat e nevojshme të deputetëve të komuniteteve joshumicë që i kanë vendet e garantuara në Kuvend. Përse është problematik ky projektligj? Sepse shkel ligjet ekzistuese me të cilat rregullohet, para së gjithash, raporti me komunitetet fetare dhe, veçanërisht, statusi i Kishës Ortodokse Serbe, me përfaqësuesit e së cilës askush nuk ka zhvilluar konsultime. Po ashtu, nuk janë konsultuar as deputetët e Listës Serbe për këtë Projektligj”, kishte thënë deputeti Igor Simiq, kryetar i Grupit Parlamentar të Listës Serbe. 

Por një ligj si ky për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, nuk u takon ligjeve me interes vital, miratimi, ndryshimi ose shfuqizimi i të cilëve, sipas nenit 81 të Kushtetutës, kërkon “votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë”. Ligji për trashëgiminë kulturore si dhe ai për Lirinë fetare në Kosovë, i takojnë asaj kategorie. 

Replika e ministres Bogujevci se Inspektorati nga një “departament bëhet agjenci”, s’e kishte bindur.
Për t’ua “sqaruar qytetarëve” se çfarë “rreziku” paraqet Inspektorati, deputeti i Listës Serbe kishte marrë një shembull krejt jashtë kontekstit. 

“Do të vijmë në një situatë kur një inspektor do të hyjë në një manastir dhe do të thotë se ‘nuk mund të ndizni qirinj, sepse kjo e dëmton trashëgiminë kulturore’, ose se ‘nuk mund të mbani liturgji, sepse numri i madh i qytetarëve mund të dëmtojë afresket shekullore’. A jeni të vetëdijshëm se çfarë po bëni?”, kishte pyetur ai teksa kishte imagjinuar “sjelljen e inspektorit si sherif”. 

Të shtunën e kaluar reagoi edhe Dioqeza e Rashkë-Prizrenit, duke theksuar se Inspektorati do të ketë kompetenca për të mbikëqyrur punimet në asetet e trashëgimisë kulturore, për t’i ndaluar ato në rrethana të caktuara dhe për të shqyrtuar drejtpërdrejt ligjshmërinë e aktiviteteve ndërtimore në zonat e mbrojtura.

Dioqeza kishte shprehur shqetësimin se këto kompetenca mund të përdoren për të anashkaluar garancitë që, sipas saj, i gëzon Kisha Ortodokse Serbe përmes Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Lirinë e Fesë. “Projektligji nuk e përmend as Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe as Këshillin për Zbatim dhe Monitorim”, thuhej në deklaratë. Sipas Dioqezës, “kjo lë të hapur mundësinë që një institucion me kompetenca të gjera të marrë vendime që prekin drejtpërdrejt vendet e shenjta, ndonëse, sipas saj, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura nuk i jep këtij institucioni autoritet të drejtpërdrejtë brenda këtyre zonave”. 

Dioqeza kishte theksuar se “e mbështet mbikëqyrjen profesionale të trashëgimisë kulturore, por kishte paralajmëruar se ndalimi i riparimeve ose punimeve të nevojshme mund të ketë pasoja serioze për manastiret dhe komunitetet fetare që jetojnë aty”.

Me Projektligjin për Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore i ka dalë punë edhe Listës Studentore e cila në fund të muajit të kaluar fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Të dielën, nëpërmjet një reagimi në rrjete sociale, ka shkruar se shpreh shqetësimin lidhur “me miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror për Trashëgiminë Kulturore në Kuvendin e të ashtuquajturit shtet të Kosovës, veçmas për shkak të pasojave të mundshme që kompetencat e reja inspektuese mund të kenë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”. “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të bazohet në parimet profesionale, sundimin e ligjit dhe respektimin e garancive ligjore tashmë të vendosura. Futja e mekanizmave të rinj të mbikëqyrjes inspektuese nuk duhet të çojë në cenimin e regjimit të veçantë të mbrojtjes së manastireve dhe kishave ortodokse serbe, e as në anashkalimin e procedurave dhe kompetencave ekzistuese të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura”, shkruhet ndër të tjera në reagim. 

Të hënën po nga kjo Listë janë paralajmëruar “bisedime urgjente me bashkësinë ndërkombëtare për shkak të ligjit të ri në Prishtinë, i cili mund të rrezikojë Kishën Ortodokse Serbe”. 

Disa media në Serbi tash e tri ditë vazhdojnë të ngrenë “alarmin”. 

“Lëvizja Studentore shpreh shqetësim për pozitën e Kishës Ortodokse Serbe dhe objekteve të saj të shenjta në Kosovë e Metohi: Projektligji për trashëgiminë kulturore miratohet në lexim të parë në Prishtinë”, ka shkruar gazeta “Blic”, ani pse nuk bëhet fjalë për Ligj për trashëgimi kulturore. “Kapitull i ri rrëqethës: Nis fushata e rrezikshme kundër monumenteve të shenjta serbe. Radhën e ka Beogradi”, ka shkruar “Sputnik Srbija”. “Arroganca e regjimit të Kurtit: Për trashëgiminë kulturore serbe vendosin pa pjesëmarrjen e serbëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe”, është një tjetër titull i po këtij mediumi. 
“Do të kemi që nesër (e martë v.j.) takime me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, në të cilat këtë problem do ta paraqesim si prioritet dhe do të shpalosim atë që ne e shohim si rrezik”, ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë “deputeti i Listës Studentore nga Kosova dhe Metohia, Jugoslav Gashiq. Sipas RTS-së “ai shprehu bindjen se mund të kenë sukses në përpjekjet për tërheqjen e këtij ligji ose për përmirësimin dhe korrigjimin e tij, potencialisht përmes disa amendamenteve, në pjesën që konsiderohet me rrezik dhe që mund të ndikojë në statusin e Kishës Ortodokse Serbe”.

Detyrë primare e Inspektoratit mbetet mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Sipas Projekligjit, Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, të urdhërojë ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, e po ashtu të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave në rastet e punimeve të paautorizuara me të cilat dëmtohen asetet e trashëgimisë kulturore.