Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
CHRONIK

Neun Fälle von häuslicher Gewalt innerhalb von 24 Stunden

Dhune

Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa komuna të Kosovës në 24-orët e fundit, derisa në shumicën prej tyre viktima janë gra dhe të dyshuar burra, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

Në rajonin e Prishtinës janë raportuar katër raste në total. 

Në rastin e parë, një grua ka raportuar se ishte viktimë e dhunës nga një burrë, i cili pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. Ndërkaq, në rastin e dytë, një i dyshuar është vetëdorëzuar në polici, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje më 12 nëntor. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po ashtu, në Prishtinë është arrestuar edhe një burrë tjetër, i cili dyshohet se kishte ushtruar dhunë në familje ndaj një gruaje. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, një grua ka raportuar në polici se ishte viktimë e dhunës në familje nga një burrë. Pas intervistimit, viktima është larguar nga shtëpia, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në kërkim policor.

Rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Pejë. Një grua ka njoftuar policinë se ishte viktimë e dhunës nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës dhe është larguar nga lokacioni ku ndodhej.

Në Gjakovë, një grua ka raportuar se ishte kanosur përmes telefonit nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas inicimit të rastit dhe konsultimit me prokurorin, është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Rahovec, një grua ka raportuar se një burrë kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe personave të tjerë. I dyshuari, i cili sipas policisë ishte nën ndikimin e alkoolit, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Një rast tjetër është regjistruar në Malishevë, ku një grua ka raportuar se një burrë kishte shkuar në lokalin ku ajo punonte dhe e kishte kanosur verbalisht. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Përveç këtyre rasteve, në Ranillukë është raportuar edhe dhunë në familje dhe lëndim i lehtë trupor. Sipas policisë, pas një mosmarrëveshjeje, një burrë është sulmuar nga dy persona. Ai ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor. Të dyshuarit janë liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt.