Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar sasi të konsiderueshme të mallrave të padeklaruara, me vlerë të përgjithshme prej rreth 72 mijë e 600 euro, pa përfshirë detyrimet e importit.
Rasti sipas njoftimit është identifikuar gjatë procedurës së zhdoganimit, pasi zyrtari doganor, bazuar në dyshimet e krijuara, ka vendosur të verifikojë përputhshmërinë ndërmjet peshës së paraqitur në deklaratën doganore dhe gjendjes faktike të ngarkesës.
Gjatë verifikimit thuhet se është konstatuar mospërputhje në peshën e kamionit, i cili rezultonte më i rëndë sesa ishte deklaruar. Për këtë arsye, zyrtarët doganorë kanë vendosur që të realizojnë kontroll të detajuar të automjetit dhe ngarkesës.
“Si rezultat i kontrollit, janë zbuluar 1,036 palë këpucë dhe 2,980 copë veshmbathje, të cilat nuk ishin të përfshira në deklarimin doganor. Pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura. Vlera e përgjithshme e mallrave të zbuluara, pa përfshirë detyrimet e importit, vlerësohet në rreth 72,600 euro”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë veprimet përkatëse dhe procedura administrative është në vazhdim, ndërsa janë njoftuar edhe organet kompetente për trajtimin e mëtejmë të rastit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.