“Këtu nuk bëhet fjalë për interpretimin tënd si historian. I ke dhënë gabim faktet. Faktet nuk ndreqen duke i diskutuar me një kafe. Edhe pas kafesë, ato do të mbeten të paraqitura gabim dhe do të duhet të korrigjohen. Shpresoj që, së bashku me botuesit e tu, të gjesh një mënyrë për t’i korrigjuar këto gabime. Siç e di, në anglisht ka edhe disa mënyra të tjera për t’i cilësuar. Shpifje gojore, shpifje me shkrim, cenim i reputacionit, shpifje dashakeqe… Për ta thënë në terma akademikë, po përdor një shprehje amerikane, sloppy work, punë e bërë shkel e shko”
Letra drejtuar Pettiferit nxiti reagim të shpejtë.
Botuesi Michael Dwyer, Drejtor ekzekutiv i C. Hurst & Co. (Publishers) Ltd., i gjendur mes udhëtimeve në Azi dhe Britani të Madhe u vu në korrespondencë me autorin J. Pettifer.
Për këtë më njohtoi vet autori.
I dashur Veton,
Përshëndetje përsëri. Michael Dwyer më ka njoftuar se tani ka ndër mend t’i asgjësojë të gjithë ekzemplarët e librit tim.
Shpresoj të pajtohesh me mua se mosmarrëveshje të tilla, që lindin natyrshëm, nuk duhen trajtuar në këtë mënyrë.
Hans
Në korrespondencë e mëtutjeshme ai ofron që të ulemi për kafe në Londër a Prishtinë dhe t’i sqarojmë ato “një a dy pika për të cilat kujtesa jonë nuk përputhet”.
Kësaj oferte joserioze iu përgjigja me letrën në vazhdim:
James,
(...)
Po përpiqem t’i përgjigjem shkurt mesazhit tënd, duke iu referuar mesazhit fillestar që ia dërgove botuesit tënd të martën.
Nuk po vë në pikëpyetje as librin tënd, as metodologjinë tënde të kërkimit. Librin nuk e kam lexuar. Siç kam shkruar në letër, kam pasur rast të shoh vetëm disa nga faqet ku përmendet emri im.
Nuk po vë në pikëpyetje asnjë nga marrëdhëniet e tua, përfshirë atë me Thaçin, dhe as qëndrimet e tua politike.
Thashë thjesht se ajo që ke shkruar për mua nuk ishte e vërtetë, pa u përpjekur t’i cilësoj ato të pavërteta në një mënyrë apo në një tjetër.
Ato “një a dy pika të tjera” për të cilat, siç thua ti, kujtesa jonë nuk përputhet, nuk janë të parëndësishme.
Po të kujtoj cilat janë ato “një a dy pika të tjera”:
- Se, në një mënyrë a në një tjetër, paskam pasur lidhje të ngushta me shërbimet britanike të inteligjencës, madje paskam qenë burimi i tyre i vetëm njerëzor i informacionit (HUMINT).
- Se paskam marrë pjesë në takime klandestine me Thaçin në Zvicër.
- Se paskam marrë pjesë në një takim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Zvicër.
- Se ia paskam përcjellë UÇK-së informacionin e marrë nga Robin Cook për fushatën e bombardimeve.
- Se familja ime paskësh zotëruar sipërfaqe të mëdha toke në Shqipërinë e Veriut gjatë kohës osmane.
(...)
Këtu nuk bëhet fjalë për interpretimin tënd si historian. Faktet i ke dhënë gabim. Faktet nuk ndreqen duke i diskutuar me një kafe. Edhe pas kafesë, ato do të mbeten të paraqitura gabim dhe do të duhet të korrigjohen.
Shpresoj që, së bashku me botuesit e tu, të gjesh një mënyrë për t’i korrigjuar këto gabime. Siç e di, në anglisht ka edhe disa mënyra të tjera për t’i cilësuar. Shpifje gojore, shpifje me shkrim, cenim i reputacionit, shpifje dashakeqe… Për ta thënë në terma akademikë, po përdor një shprehje amerikane, sloppy work, punë e bërë shkel e shko.
V.
Botuesi Michael Dwyer më 6 shkurt të vitit 2013, tri javë pas letrës sime të parë me denoncimin e të pavërtetave, më shkroi këtë letër:
I nderuar z. Surroi,
Në vijim të emailit tuaj të 1 shkurtit, i kam udhëzuar shpërndarësit tanë në Britani dhe në Amerikën e Veriut ta ndalojnë shitjen e librit të profesorit James Pettifer, ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’, ndaj të cilit keni ngritur kundërshtime.
Këta ekzemplarë do të asgjësohen dhe libri do të ribotohet me kopertinë të butë, duke marrë parasysh vërejtjet tuaja.
Tash, pyetja është, a mund të krijohet një situatë analoge, ku unë i shkruaj botuesit të librit të B. Haxhiut, “Brenda luftës...”, dhe i shpjegoj të pavërtetat, së paku ato të evidentuara në kapitullin që ka të bëjë me mua dhe familjarët e mi? Kjo është posaçërisht e rëndë për sa i përket familjarëve të mi të vdekur ngase ata nuk kanë zë të vetin me të cilin do të shplonin gënjeshtrat që thuhen rreth tyre.
Që në fillim duket një analogji që rri në këmbë të qelqta. James Pettifer, përkundër gabimeve në këtë apo libra të tjera, ka për dallim me B. Haxhiun kapacitet që me koherencë të artikulojë gojarisht apo me shkrim mendimet e tij.
Botuesi i z. Pettifer, C. Hurst & Co., është një shtëpi botuese e pavarur britanike me reputacion të lartë në fushat ku specializohet, veçanërisht në historinë bashkëkohore, marrëdhëniet ndërkombëtare, studimet rajonale, luftën dhe inteligjencën. E themeluar në Londër më 1969, Hurst ka ndërtuar një katalog që u drejtohet si studiuesve, ashtu edhe lexuesve të interesuar për politikën ndërkombëtare.
Botuesi i z. Haxhiu, UET Press, ka ambicie të jetë një shtëpi botuese serioze dhe për këtë i nevojitet një konsistencë disavjeçare në mënyrë që të krijohet tradita dhe besueshmëria.
Për më tepër, C. Hurst & Co funksionon si botues në një kontekst të demokracisë më të vjetër parlamentare, ndërsa UET Press në atë të Shqipërisë që aspiron të jetë shtet funksional e demokratik.
Megjithatë, le të mbetet atëherë si një sprovë aspirative letra që, sikur ajo dërguar botuesit britanik, ia dërgoj botuesit të UET Press, Henri Çili. Meqë do të jetë publike, kam besim se do të arrijë edhe tek autori i librit me gënjeshtra, z. Haxhiu.
(Nesër: Letra H.Çilit: Rrallë ka në aq pak fjalë aq shumë gënjeshtra)