Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Kosovo ist vom EU-Radar verschwunden.

Edhe po të kishte institucione stabile, fuqiplote e me legjitimitet të plotë, Kosova do ta kishte të vështirë rrugëtimin drejt BE-së. Në BE, Kosova më nuk ka shumë miq, por edhe ata pak që i ka, i kanë duart e lidhura në kohën e bllokadës politike tashmë dyvjeçare. Kështu, për secilën ngecje tash BE-ja mund ta fajësojë Kosovën, e cila është krejtësisht jashtë radarit të BE-së.

Nëse një “ministër në detyrë” nga Kosova do ta kontaktonte këto ditë ndonjë komisioner evropian, apo ndonjë koleg nga vendet anëtare të BE-së, atij do t’i duheshin disa minuta për t’u prezantuar, për të thënë emrin dhe mbiemrin dhe për të shpjeguar se kush është ai. Pastaj, bashkëbiseduesit evropianë do të duheshin të diskutonin me shërbimet e tyre ligjore nëse në këto rrethana kur këta “ministra në detyrë” janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, diçka që shkon kundër parimit të ndarjes së pushteteve në legjislativ dhe ekzekutiv, mund të konsiderohen si përfaqësues të ligjshëm. Ky është absurdi i situatës së brendshme politike dhe institucionale në Kosovë, i cili po ndikon shumë edhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe në kontaktet e saj me bashkësinë ndërkombëtare. Dhe kjo po ndodh në një kohë tejet të ndjeshme kur po shkundet i tërë rendi ndërkombëtar dhe kur Bashkimi Evropian po përballet me sfidat kyçe, të cilat do ta përcaktojnë të ardhmen e afërt dhe të mesme të bllokut. Në këto rrethana, Kosova është e fundit e cila mund të ketë vëmendjen e BE-së. Madje as ata në Bruksel, të cilën rrogën e marrin për t’u marrë me Kosovën nuk e dinë më çfarë të thonë e çfarë të veprojnë. Kështu, i dërguari i posaçëm për dialog, Peter Sorensen, ka pranuar se “nuk ka afat kohor” për përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që dëshmon se as BE-ja nuk ka më shumë ambicie për të përmbyllur këtë dialog, i cili e ka marrë gjithë vëmendjen kur Kosova është në pyetje, duke lënë nën hije të gjitha gjërat e tjera.

Përderisa rreth vendeve të tjera nga procesi i zgjerimit BE-ja flet për hapjen dhe mbylljen e kapitujve, për pagesat nga Plani i Rritjes, për Kosovën flet për mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve nga gjykatësit me përkatësi etnike serbe. Temat si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, marrja e statusit të kandidatit për BE, anëtarësimi në Interpol, UNESCO apo ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare nuk janë më fare në rend të ditës. Rastet e humbura për këtë nuk u kthyen për vite dhe është pikëpyetje se kur do të mund të vijnë përsëri. Për këtë nuk mund të fajësohet vetëm Kosova.

Edhe po të kishte institucione stabile, fuqiplote e me legjitimitet të plotë, Kosova do ta kishte të vështirë rrugëtimin drejt BE-së. Në BE, Kosova më nuk ka shumë miq, por edhe ata pak që i ka, i kanë duart e lidhura në kohën e bllokadës politike tashmë dyvjeçare. Kështu, për secilën ngecje tash BE-ja mund ta fajësojë Kosovën, e cila është krejtësisht jashtë radarit të BE-së. 

Këtë vjeshtë, BE-ja ka hyrë në fazën kritike. Brenda tre muajsh duhet të arrijë pajtimin për buxhetin shtatëvjeçar në vlerë prej afro 2000 miliardë eurosh. E pajtimi nuk është afër pasi kontribuuesit kryesorë të buxhetit si Gjermania, Holanda, Austria, Suedia, Finlanda dhe Danimarka nuk duan as të dëgjojnë për një buxhet aq të madh dhe kërkojnë zvogëlimin e tij. E nëse buxheti zvogëlohet, atëherë BE-ja nuk do të jetë në gjendje të përmbushë prioritetet politike si: rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e kufijve të jashtëm, zhvillimin digjital, forcimin e konkurrencës, ruajtjen e subvencioneve për bujqësi dhe shumë të tjera.

BE-ja është duke diskutuar edhe për ndryshimet e brendshme, në mënyrë që të bëhet gati për zgjerimin e radhës. Këtu nuk mendojnë fare në Kosovën dhe për aplikimin e saj për anëtarësim në BE, qëmoti kanë harruar se ka ndodhur. Jo vetëm se kërkesa për anëtarësim ka mbetur në sirtarë, por ajo më nuk është as në kokat e zyrtarëve të BE-së dhe vendeve anëtare.

Në të njëjtën kohë po rritet mbështetja për të djathtën ekstreme në vendet kyçe si Franca dhe Gjermania. Po ashtu, po rritet edhe mbështetja për të majtën ekstreme. Këto parti kanë pasur deri më tash qëndrime jashtëzakonisht armiqësore dhe shumë paragjykuese ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Prandaj, duhet llogaritur se në BE nuk do të ketë struktura, të cilat do të jenë më të favorshme për Kosovën.

Në rregull është që konsolidimi i brendshëm i Kosovës të jetë prioritet, përfshirë edhe veriun e vendit. Por edhe konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është po ashtu shumë i rëndësishëm dhe këtu nuk ka pasur suksese e as ndonjë lëvizje të madhe në vitet e fundit. Kjo nuk ndryshohet me postime nëpër rrjetet sociale.       

Sikur të kishin një ndjenjë më të madhe të përgjegjësisë partitë politike në Kosovë do ta kuptonin se Kosova nuk e ka luksin për të vazhduar më këtë jostabilitet institucional dhe për të vazhduar ciklin e pafund zgjedhor. Por po e dëshmojnë të kundërtën, se nuk ka interes madhor për Kosovën, i cili për ta do të ishte më i rëndësishëm sesa inatet, egoizmi dhe interesat e tyre personalë.