Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Agenten für Kosovo

Robotë, agjentë, programe që komunikojnë me ty sikur të ishin gjallë – krejt këto u zhvilluan për më pak se 20 vjet, ndërkohë që ne qe dy dekada ende merremi me llafet e njëjta dhe zbulojmë procedura të reja për t’i shkelur a anashkaluar procedurat e vjetra. Ende merremi me identifikimin e gabimeve nga e kaluara, por nuk e marrim mundin të mësojmë nga to. Sepse për paaftësinë dhe injorancën tonë kemi nevojë për ta gjetur një fajtor kujdestar

Para gati 20 vjetësh e kisha shkruar një kolumnë për disa robotë që i kishin prodhuar japonezët e që, padyshim, më kishin lënë mbresë. Aq sa për t’ua kushtuar shkrimin e javës. 

Kolumna, e shkruar në kohën e UNMIK-ut dhe tetë muaj para shpalljes së Pavarësisë, niste kështu:

“Hulumtuesit japonezë vazhdojnë ta përsosin teknologjinë e robotëve. Tash, ata janë në rrugë të mbarë për të bërë robotë, të cilët mund t’i bartin emocionet në fytyrat e tyre dhe së shpejti planifikojnë të bëjnë robotë që mund të komunikojnë sikur të ishin njerëz”. Kjo ishte fjalia, me të cilën u paraqit ajo që mua m’u duk të ishte kurioziteti i javës. Përderisa u mahnita me të parë gjestikulimin e robotëve të maskuar, në të njëjtën kohë më kaploi një gjysmëdepresioni me të kuptuar sa larg jemi nga arritjet teknologjike që shënohen në botë. U ndala të mendoja se çfarë ka prodhuar Kosova (e që ka eksportuar), e për të cilën do të mund të krenoheshim si shtet i ardhshëm, që një zot e di kur do të bëhemi. Çava kokën nja dy orë dhe nuk m’u kujtua gjë që të kemi prodhuar për eksport, pos rrymës... dhe pos njerëzve, të cilët me vite të tëra e kanë braktisur Kosovën për ta ndërtuar diasporën, e cila ende mban gjallë mbi gjysmën e Kosovës. 

Njëzet vjet më vonë, nuk jam më e sigurt nëse madje eksportojmë rrymë, meqë në 5 vjetët e fundit i paskemi shpenzuar 1 miliard euro për importimin e saj. 

Por, vazhdojmë të eksportojmë njerëz – nuk kaloi asnjë javë qëkur një anëtar i stafit tonë prej pothuajse 30 vjetësh, u largua së bashku me familjen, për shkaqe ekonomike. Rroga nuk i mjaftonte për një jetë bazike, të dinjitetshme. Të ardhurave të tetorit u kishte humbur vlera. Nga janari, inflacioni i kishte gërryer në vazhdimësi. Shumë bile. 

* * *

Dhe kolumna vazhdonte, duke përshkruar dëshpërimin që sillte lajmi se çështja e statusit të Kosovës duhej të shtyhej edhe për së paku gjashtë muaj.

...Paramendojeni lezetin që do ta përjetojnë, të fshehur pas maskës së pikëllimit të përgjithshëm, zyrtarët komunalë, të cilëve po u zgjatet pushteti, pavarësisht raporteve të përsëritura, negative, të auditimit, në të cilët vërtetohen në detaje shkeljet në prokurim dhe mostransparencë të aktivitetit financiar. Paramendojeni gëzimin e atyre që do të mund të vazhdojnë t’i qepojnë buxhetit siç ua ka ënda, për shkak se s’ka kush çfarë t’u bëjë, ose pse nuk ka kush guximin të ndërmarrë diç për t‘i marrë në përgjegjësi...

Po del që raportet e përsëritura negative të auditorit nuk janë punë taze, por problem kronik i kësaj shoqërie e shteti, që pak a shumë, përfundojnë në të njëjtën formë siç kishin përfunduar kur nuk kishim qenë ende shtet i shpallur. Sepse ende nuk u gjet dikush që ka çfarë të bëjë apo që e ka guximin për të ndërmarrë diç, e për t’i marrë njerëzit në përgjegjësi. 

...në hutinë dhe dëshpërimin e krijuar, pushteti do t’ia dalë t’i vendosë njerëzit e dëgjueshëm nëpër të gjitha bordet e ndërmarrjeve që kanë para, për të marrë vendime, jo në interes strategjik për Kosovën, por për interesin e grupeve të ngushta me ndikim. Nga ana tjetër, do të vazhdohet me sistemin e njëjtë të miratimit të ligjeve me hapa të breshkës, të cilat ngadalësohen edhe më, kur bëhet fjalë për zbatimin e tyre....

Tek e lexoj këtë që e kam shkruar, bëhem “shybe”: nuk po jam e sigurt në mos këtë paragraf e kam shkruar sot në mëngjes e jo para 20 vjetësh. Privatizimi nuk po ndalet, pavarësisht premtimeve, edhe për shkak të mosthemelimit të Fondit Sovran, ligji i të cilit që gati tre vjet mrizon në Gjykatën Kushtetuese. Asetet po shkojnë në duar private, kryesisht për pak para, ndërkohë emërimi i njerëzve nëpër borde e vazhdon traditën “dekadore”, me dallimin që tash këta njerëz i takojnë një partie tjetër.

* * *

Një status i mikut tim Agron D., më bëri t’i hyja arkivit për ta gjetur kolumnën për robotët. Tekstin, natyrisht, e kisha harruar thuajse të gjithin, pos që bëhej fjalë për ca robotë që i kishin prodhuar japonezët, në kohën kur ne ende nuk e kishim të qartë nëse do të bëheshim shtet. Nuk ma kishte marrë mendja që përmbajtja e tij do të ishte përshkrim, thuajse identik, të asaj që e jetojmë sot.

Para disa ditësh, Agroni shkroi: 

120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, i kisha zëvendësu me 120 agjentë AI.

Këta 120 agjentë i kisha programu me i përfaqësu të gjitha shtresat e shoqërisë në mënyrë të barabartë.

Ua kisha instalu parimet kushtetuese, diçka që deputetëve aktualë s'ka shans me ua fut në krye.

Po ashtu, ua kisha instalu parimet morale, ato të drejtësisë e të barazisë para ligjit.

Ua kisha fshi krejtësisht opsionin e animit partiak. Asnjë agjent s'kishte me votu pse i ka thanë shefi, por veç pse e thonë faktet.

Ua kisha ndalu bojkotin, daljen nga salla dhe mungesat pa arsye. Agjenti s'ka nevojë për pushim, e as për mëditje.

Para çdo votimi, secili agjent kishte me e lexu ligjin e plotë, jo veç titullin. Kishte me e pa sa kushton, kujt i shërben dhe kush e paguan.

Ua kisha instalu edhe një filtër kundër populizmit: asnjë premtim pa buxhet, asnjë projekt pa analizë.

Konfliktin e interesit ua kisha bo të pamundshëm. Agjenti s'ka kushëri me punësu, s'ka tender për fisin, s'ka tokë me legalizu.

E mbi të gjitha, i kisha programu me pasë turp. Me pranu gabimin e me kërku falje e me dhanë dorëheqje kur gabojnë. 

Njëzet vjet më vonë, robotët e mi tash i kanë zëvendësuar agjentët që nuk i shohim. Nuk e di a duken ndonjë qysh, nuk e di a janë të lidhur për ndonjë megakompjuter, a ndonjë pllakë, a propeler, a ku di unë çka. Për ta kam mësuar nga ekipi që merret me përdorimin e inteligjencës artificiale për shkurtimin e procesit të punës, arkivimit dhe shfletimit të dokumenteve që po të bëheshin manualisht do të merrnin disa vjet të mirë e të gjatë. E sinqerisht, nuk e besoj se do t’i kem edhe 20 vjet të tjerë, e sidomos jo për t’i investuar në një punë që shoku a shoqja agjent/e, e bën për 15 sekonda e gjysmë. 

E mira e së mirës, duke iu bashkuar këtij propozimi të Agronit, do të ishte që edhe qeverinë ta zëvendësonin agjentët. Pra jo vetëm 19 a 29 ministri, po 290 po të duheshin, e që do të dinin t’i bënin gjërat që do ta ndryshonin për të mirë vendin dhe jetën tonë. 

Vetëm po e parafytyroj agjentin e padukshëm i cili vepron sipas motos: “Puno, mos gënje, mos vidh, mos mashtro”. Do të ishte ideale.

* * *

Dikush do të mund të thoshte se agjentët do të mund të na zëvendësonin edhe të gjithë neve, popullin e trullosur dhe të humbur në kaos. Do të mundnin dhe atëherë agjentët me siguri do t’ia hanin kokën njëri-tjetrit, për shkak se do t’i merrnin tiparet e atyre që i krijuan, njerëzve. E derisa ende nuk na kanë zëvendësuar, hajde t’i kufizojmë te qeveria e Kuvendi ????.

Robotë, agjentë, programe që komunikojnë me ty sikur të ishin gjallë – krejt këto u zhvilluan për më pak se 20 vjet, ndërkohë që ne qe dy dekada ende merremi me llafet e njëjta dhe zbulojmë procedura të reja për t’i shkelur a anashkaluar procedurat e vjetra. 

Ende merremi me identifikimin e gabimeve nga e kaluara, por nuk e marrim mundin të mësojmë nga to. Sepse për paaftësinë dhe injorancën tonë kemi nevojë për ta gjetur një fajtor kujdestar.

Të tillë jemi, saqë edhe agjentit ia marrim mendtë.

[E-Mail geschützt]