Manchester Unitedi synon që të dalë nga kriza e rezultateve në Premier League në përballjen ndaj Aston Villas.
“Djajtë e Kuq” po kalojnë periudhë të vështirë në kampionat. Kanë shtatë ndeshje radhazi pa fitore.
Ndeshja ndaj Villas shihet si mundësi për Unitedin që të ndërpresë serinë negative.
Unitedi të dielën nga ora 17:30 e pret Aston Villan në “Old Trafford”, në ndeshjen që i takon xhiros së dhjetë.
Unitedi, që drejtohet nga Michael Carrick, fitoren e vetme këtë edicion e ka regjistruar ndaj Ipswich Townit, më 30 gusht.
Unitedi ka shtatë pikë dhe renditet në pozitën e 17-të.
Villa ka pesë pikë më shumë dhe e zë vendin e dhjetë.
Aston Villa qëndron më mirë se Unitedi sa i përket rezultateve në kampionatin anglez. Skuadra e Unai Emeryt ka regjistruar pesë ndeshje radhazi pa humbje.
Të dy skuadrat në mesjavë zhvilluan ndeshje në Ligën e Kampionëve.
Unitedi të martën e mposhti Romën në ndeshjen dramatike me rezultatin 3:2.
Ndërsa Villa po në të njëjtën ditë u mposht 3:0 nga Barcelona.
Trajneri i Villas, Emery, është pranë një tjetër arritjeje në karrierën e tij, pasi do ta ketë ndeshjen e 200-të në Premier League.
Emery bëhet trajneri i pestë spanjoll që arrin këtë shifër në elitën e futbollit anglez, pas Rafael Benitezit, Roberto Martinezit, Pep Guardiolas dhe Mikel Artetas.
Ndërkohë lideri Arsenali të shtunën nga ora 16:00 e pret Hull Cityn. Arsenali ka 24 pikë.
Hull City renditet në pozitën e 11-të me 11 pikë.
Në pozitën e dytë është Manchester City me 21 pikë.
City gjithashtu luan të shtunën, në udhëtim te Nottingham Foresti, që e zë vendin e parafundit me gjashtë pikë.