Kosova e fitoi 1:0 ndeshjen e parë kundër Irlandës, në Prishtinë më 24 shtator. Fitore ndaj irlandezëve synon edhe në Dublin.
Ndeshja vendimtare për vend të dytë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve ndërmjet Irlandës dhe Kosovës luhet të martën nga ora 20:45.
Është ndeshja e xhiros së fundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve që vendosë edhe vazon për shortin që tërhiqet në dhjetor për ndeshjet kualifikuese për Evropianin 2028. Vendi i dytë dërgon edhe në plejof për inkuadrim në Ligën A.
Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Franco Foda, e ka vlerësuar të fortë Irlandën. Por ai ka theksuar se Kosova nuk luan për barazim. Thotë se lojtarët e tij do të hyjnë në fushë për fitore.
“Presim të jetë ndeshje ndryshe nga ajo që ishte në Prishtinë. Jemi të vetëdijshëm që Irlanda është kombëtare shumë e fortë dhe këtë e ka treguar në ndeshjet e kaluara, sidomos në ndeshjen kundër Austrisë në shtëpi. Ishim të impresionuar me mënyrën se si irlandezët morën avantazhin prej 2:0 dhe jemi të vetëdijshëm se sa e fortë është Irlanda, mirëpo ne jemi këtu për të marrë rezultat pozitiv. Do të tentojmë të marrim fitore nesër”, ka thënë Foda të hënën në konferencë për shtyp.
Kosovës i shërben edhe barazimi ndaj Irlandës për të mbetur në vendin e dytë. Por Foda thotë se në fushë lojtarët do të futen për fitore.
Ai ka refuzuar ta cilësojë ndeshjen ndaj Irlandës të lehtë.
“E dimë që për Irlandën e rëndësishme është vetëm fitorja, kurse neve mund të na mjaftojë vetëm barazimi, megjithatë nuk mund të futesh në ndeshje për të kërkuar barazimin. Në fushë duhet të futesh për ta fituar ndeshjen. Presim që Irlanda të luajë lojë më ofensive dhe kjo do të nënkuptonte që ne do të kemi më shumë hapësira. Shpresoj të jemi në gjendje për të bërë më të mirën për të fituar nga ato hapësira eventuale dhe nëpërmjet kundërsulmeve të tentojmë të arrijmë fitore”, është shprehur Foda.
Kosova do të paraqitet pa Edon Zhegrovën e lënduar. Zhegrova luajti titullar kundër Izraelit të shtunën në barazimin pa gola në Prishtinë. Mungesa të reja sipas Fodës nuk do të ketë. Veldin Hoxha është i suspenduar, kurse të lënduar janë Lumbardh Dellova, Ermal Krasniqi, Albian Hajdari e Florent Muslija.
Foda shpreson të ketë sa më shumë shqiptarë në përkrahje të Kosovës në Dublin.
“Gjithmonë për futbollistët është më mirë të luajnë para një atmosfere impozante dhe pavarësisht nëse është në favor të kundërshtarit apo jo. Ashtu ishte edhe në ndeshjet e kaluara, Suedi, Slloveni apo Sllovaki. Shpresoj të jetë njëjtë edhe nesër, mirëpo e rëndësishme për ne është që t’ia imponojmë lojën tonë Irlandës dhe ta arrijmë rezultatin që po e kërkojmë”, thotë Foda.
Tekniku gjerman e ka veçuar Troy Parrott si lojtarin më të rrezikshëm të Irlandës.
Përkrahje nga tribunat pret edhe sulmuesi Fisnik Asllani.
“Ne do të japim 100 për qind, maksimumin për të shpresuar në fitore nesër”, ka thënë Asllani.
Sulmuesi i Hoffenheimit shpreson në fitore kundër Irlandës.
“Besoj se është një lojë kundër një kundërshtari të fortë, të cilin kemi arritur ta mposhtim në Prishtinë. Por tash situata është ndryshe, atyre u duhet fitorja, kështu që neve një barazim normalisht na konvenon për të mbetur në vendin e dytë. Por në futboll nuk duhet të luash për barazim por për fitore. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë, sepse jemi dy ekipe të forta”, ka thënë Asllani.
Austria ka siguruar ngritjen në Ligën A për edicionin e ardhshëm si e para në grup me 11 pikë.
Kosova është e dyta me gjashtë pikë, kurse një pikë më pak në vendin e tretë ka Irlanda. Izraeli është i fundit me tri pikë.