Trajneri Ismail Kartal ka dhënë dorëheqje nga Fenerbahçe.
Lajmin e ka bërë të ditur klubi turk të martën mbrëma, një ditë pasi Fenerbahçe e humbi derbin nga Galatasaray me rezultat 2:1.
Në disfatën e pësuar të hënën, nga minuta e 82-të luajti edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.
“Trajneri ynë kryesor, Ismail Kartal, ka informuar menaxhmentin tonë për vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen dhe, pas diskutimeve, ky vendim është vlerësuar me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. E falënderojmë Ismail Kartalin për përpjekjet, përkushtimin dhe angazhimin e tij ndaj Fenerbahçes. I urojmë suksese në karrierën e tij të ardhshme”, shkruan në njoftimin e Fenerbahçes.
Kartal e lë Fenerin në vendin e pestë me 16 pikë, gjashtë më pak se Galatasaray që zë vendin e parë.