Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Fußball

Arsenal – Manchester City, Premier League-Derby

Arsenal

Arsenal – Manchester City do të jetë derbi i xhiros së 12-të të Premier Leagues angleze. 

Ky ballafaqim luhet të dielën nga ora 17:30. 

Skuadra e Mikel Artetas e pret rivalin në stadiumin “Emirates”, me synimin për ta shfrytëzuar epërsinë prej gjashtë pikësh në tabelë dhe për ta thelluar diferencën ndaj një prej pretendentëve kryesorë për titull. 

Në anën tjetër, Manchester City, nën drejtimin e Enzo Marescas, udhëton drejt Londrës në kërkim të një fitoreje që do t’i jepte fund serisë prej katër ndeshjesh pa fitore në kampionat.

Arsenali gjithashtu synon ta konfirmojë formën e mirë në shtëpi, ndërsa City kërkon të rikthehet në garën për kreun e tabelës.

Arsenali është lider me 28 pikë. City e zë vendin e tretë me 22 pikë sa ka edhe Brightoni një pozitë më lartë. 

“Topçinjtë” janë kampion në fuqi të Anglisë. 

Të dyja skuadrat në mesjavë zhvilluan ndeshje edhe në Ligën e Kampionëve. 

Arsenali barazoi në shtëpi me Borussia Dortmundin me rezultatin 1:1. Edhe City barazoi 2:2 me Napolin. 

Arsenali është në seri prej tetë fitoreve radhazi në ndeshjet si vendas në elitën angleze. 

Një seri të tillë nuk e kishte arritur që nga viti 2022, kur kishte regjistruar dhjetë fitore radhazi mes prillit dhe dhjetorit.

Gjithashtu, Arsenali është skuadra e vetme këtë edicion në Premier League që nuk e ka humbur asnjë pikë në shtëpi. 

Arsenali e ka mposhtur tashmë Cityn një herë këtë edicion në “Community Shield” në muajin gusht me rezultatin bindës 3:0. 

Arteta shpreson që Kai Havertz dhe Martin Odegaard të bëjnë diferencën në duelin ndaj Cityt. 

Havertz është përfshirë në katër gola në katër ndeshjet e fundit kundër Cityt në të gjitha gara. 

Ndërkohë, Odegaardit i duhen edhe vetëm dy asistime për të barazuar rekordin e Morten Gamst Pedersenit, i cili mban rekordin për më së shumti asistime nga një futbollist norvegjez në historinë e Premier Leagues, me 40.

Që nga fillimi i sezonit 2023/24, vetëm Bruno Fernandes me 41 dhe Mohamed Salah me 35 kanë regjistruar më shumë asistime se kapiteni i Arsenalit, i cili deri më tani ka dhuruar 25 asistime në Premier League.

Gjithashtu, sulmuesi i Cityt, Erling Haaland, mund të bëhet vetëm lojtari i katërt që shënon në pesë ndeshje radhazi në Premier League kundër Arsenalit, pas Jimmy Floyd Hasselbainkit, Harry Kanet dhe Charlie Austinit.

Ndërkohë të dielën nga ora 15:05 luhet edhe një tjetër ndeshje interesante mes Sunderlandit dhe Tottenham Hotspurit. 

Sunderlandi ka nëntë pikë në pozitën e 18-të. Tottenhami e zë vendin e dhjetë me 15 pikë.