Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Trump sagt, neue Angriffe auf den Iran seien „sehr unwahrscheinlich“.

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë të hënën mbrëma gazetarëve se beson që lufta në Iran “praktikisht ka përfunduar nga pikëpamja ushtarake”, duke lënë të kuptohet se, të paktën për momentin, nuk është i gatshëm të rifillojë bombardimet që kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Republikën Islamike dhe pasoja në ekonominë globale.

Trumpi ka bërë një paraqitje të papritur në sallën e konferencave për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, pasi më herët gjatë ditës ishte takuar me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.

“Për sa i përket aspektit ushtarak, Irani praktikisht ka përfunduar. Ne thjesht po e ruajmë status quo-në”, ka deklaruar Trumpi.

Ai ka shtuar se Irani është “goditur në kokë”, duke iu referuar shkatërrimit të udhëheqjes së tij, por ka theksuar se prapë se prapë synon të sigurojë një zgjidhje afatgjatë për neutralizimin e programit bërthamor iranian.

Këto ishin ndër deklaratat më të qarta të Trumpit se po heqë dorë nga kërcënimi për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit, tashmë që zgjedhjet e mesmandatit në SHBA kanë përfunduar.

Partia Republikane e presidentit ka humbur kontrollin e të dy dhomave të Kongresit ndaj demokratëve në zgjedhjet e javës së kaluar. Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë pakënaqësie mes votuesve amerikanë për shkak të luftës tetë muajshe, e cila ka shkaktuar rritje të çmimeve të karburanteve dhe ka ndikuar pothuajse në çdo sektor të ekonomisë globale.

Gjatë konfliktit, Trumpi ka deklaruar vazhdimisht se është pranë urdhërimit të një përshkallëzimi të sulmeve amerikane nëse udhëheqësit iranianë nuk pranojnë shpejt kushtet e SHBA-së për përfundimin e luftës. Megjithatë, ai vazhdimisht është tërhequr nga këto kërcënime.

Në raste të mëparshme, ai ka hequr dorë nga përshkallëzimi në momentin e fundit, ndonjëherë me kërkesë të aleatëve të Gjirit Persik, duke deklaruar se do t'i japë më shumë kohë diplomacisë.

Në një postim në rrjetet sociale, pak para se të fliste me gazetarët, Trumpi ka përsëritur pretendimin se aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme – Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Kuvajti dhe të tjerë, “do të preferonin ruajtjen e status quo-së”.

Disa minuta më vonë, gjatë bisedës me gazetarët, ai u përpoq t'i sigurojë amerikanët, të lodhur nga lufta, se kishte “zhvillime pozitive” dhe se shihte “mundësi të mira” që konflikti të “mund të përfundonte”.

“Ata po bisedojnë me ne dhe po flasin me shumë mirësjellje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Trumpi.

“Veprimi ushtarak nuk duket të jetë shumë i nevojshëm, por ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të vepruar nëse ndryshon diçka”, ka shtuar. 

Megjithatë, Trumpi nuk ka dhënë asnjë sinjal se SHBA-ja do të tërheqë mijëra trupat e saj të dislokuara në ujërat pranë Iranit, të cilat mbajnë në fuqi bllokadën detare për të penguar hyrjen e naftës iraniane në tregun global.

“Ne do ta vazhdojmë atë. Kemi bllokadën më të fuqishme ushtarake që ka ekzistuar ndonjëherë”, ka deklaruar presidenti amerikan. 

Zyrtarët e Katarit kanë paraqitur javën e kaluar disa propozime lidhur me programin bërthamor të Iranit, sipas dy zyrtarëve qeveritarë nga Lindja e Mesme, të cilët janë në dijeni të çështjes dhe që kanë folur për Associated Press.

Ndërkohë, Teherani zyrtar vazhdon të këmbëngulë në disa lëshime nga ana e SHBA-së, të cilat Trump i ka refuzuar më parë.

Ndër kërkesat kryesore të Iranit, të cilat sipas tij duhet të plotësohen para nisjes së negociatave bërthamore, janë: përfundimi i bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, heqja e sanksioneve, zhbllokimi i aseteve financiare, kompensimi për dëmet e shkaktuara nga lufta dhe përfundimi i armiqësive në të gjithë rajonin, përfshirë operacionet izraelite në Liban.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë të hënën se hapat e ardhshëm në luftë varen nga Trumpi. Sipas tij, presidenti mund t'i thotë Iranit: “Kemi përfunduar dhe tani do ta monitorojmë materialin tuaj bërthamor. Mos guxoni ta zhvendosni atë”.