Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes, një ditë pasi përfunduan bisedimet e paqes dhe pak para mbërritjes së të dërguarve amerikanë në Moskë për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin.
I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, ka pritur negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Ëitkoff në një aeroport të Moskës, përpara takimit të tyre me kreun e Kremlinit, që pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
“Mirëpres Steve dhe Jared në Moskë”, ka shkruar Dmitriev në rrjetin social X, duke publikuar një fotografi ku shihet duke shtrënguar duart me Ëitkoffin pranë një aeroplani, në një mëngjes të ftohtë dimëror, ndërsa Kushner qëndronte pranë tyre.
Negociatorët rusë dhe ukrainas kanë rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve gjatë dy ditëve të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi, të cilat kanë përfunduar të mërkurën. Megjithatë, ndërmjetësuesit amerikanë kanë deklaruar se vazhdonin të ekzistonin mospajtime për çështje madhore, përfshirë ato territoriale.
Kushner ka deklaruar se partnerët evropianë duhet të jenë pjesë e tryezës së negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar në Telegram se kishte goditur objektiva ushtarake dhe energjetike në Ukrainë, si dhe një depo municionesh në kryeqytetin Kiev.
Shpërthime janë dëgjuar në Kiev në orët e para të së enjtes, ka raportuar Reuters.
Sulmet kanë dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe atë civile në rajonin e Rivnes, ka njoftuar një zyrtar lokal në Telegram.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë të enjten në Telegram se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar pesë dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit. Zyrtarët lokalë kanë njoftuar se dronë të tjerë ishin rrëzuar edhe në disa rajone ruse, përfshirë Rostovin dhe Tulën.
Pas largimit nga Moska, negociatorët amerikanë planifikojnë të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili pritet të marrë pjesë në një takim të liderëve evropianë.