Një gjykatës amerikan ka rrëzuar padinë prej 10 miliardë dollarësh të presidentit Donald Trump kundër gazetës “The Wall Street Journal”, duke e cilësuar atë si një përpjekje për t'u kapur pas argumenteve të dobëta.
Trumpi kishte paditur vitin e kaluar kompaninë mëmë të gazetës, Doë Jones, dhe drejtuesin e saj, Rupert Murdoch, pasi gazeta publikoi një artikull për një letër që pretendohet se ishte shkruar nga
Trumpi për financierin e dënuarin për sulm seksual, Jeffrey Epstein. Letra ishte pjesë e një libri të përgatitur për ditëlindjen e Epsteinit në vitin 2003, përpara se ky i fundit të akuzohej për krime seksuale.
Trumpi ka mohuar se e ka shkruar ose nënshkruar letrën, e cila përmbante gjuhë sugjestive dhe një vizatim me konturet e trupit të një gruaje.
Gjykatësi Darrin Gayles e ka rrëzuar çështjen, duke vlerësuar se padia binte ndesh me mendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shtypit.
Gayles e kishte rrëzuar edhe më parë padinë për shpifje, përmes së cilës kërkoheshin 20 miliardë dollarë dëmshpërblim. Ekipi i Trumpit e ka paraqitur sërish padinë, këtë herë duke kërkuar 10 miliardë dollarë, por gjykatësi ka vendosur ta rrëzojë atë përfundimisht, që do të thotë se nuk mund të paraqitet më sërish në gjykatë.
Artikulli i gazetës për librin e përgatitur me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Epstein, ku përfshihej edhe letra me emrin e Trumpit, u publikua në një kohë kur administrata Trump po përballej me kritika të ashpra dypartiake gjatë verës për mënyrën se si kishte trajtuar dokumentet e çështjes Epstein.
Trumpi kishte deklaruar se gazeta kishte shpifur dhe kishte shkelur ligjet kundër shpifjes duke publikuar artikullin.
Në vendimin e tij prej 20 faqesh, Gayles ka vërë në dukje "hetimin e kujdesshëm dhe të detajuar" të gazetës, i cili kishte çuar në publikimin e artikullit. Ai ka thën se padia po përpiqej të "kapej pas argumenteve të dobëta" për të "krijuar artificialisht të meta" në punën e gazetarëve.
Gjykatësi ka shkruar se ekipi ligjor i Trumpit nuk kishte arritur të provonte se të paditurit kishin bërë deklarata shpifëse me "keqdashje", një standard që kërkohet të provohet sipas ligjit.
Trumpi ka pretenduar se letra e siguruar dhe publikuar nga “The Wall Street Journal”, në fund të së cilës shfaqet nënshkrimi i tij, ishte "e falsifikuar" dhe se të paditurit e kishin sajuar historinë qëllimisht kundër tij.
Ekipi ligjor i Trumpit kishte argumentuar se, meqë presidenti e kishte mohuar shkrimin e letrës kur ishte kontaktuar nga gazeta, gazeta duhej të "shpërfillte gjithçka tjetër që kishte mësuar gjatë hetimit dhe të mos e publikonte artikullin", ka shkruar Gayles.
Sipas artikullit të “The Wall Street Journal”, letra që mbante emrin e Trumpit "përmbante disa rreshta teksti të shtypur me makinë shkrimi, të rrethuar nga konturet e një gruaje të zhveshur, të cilat duket se ishin vizatuar me dorë me një marker të trashë".