Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoftit ka shkaktuar probleme për miliona përdorues, kompani dhe institucione qeveritare në vende të ndryshme të botës.
Gjiganti amerikan i teknologjisë po përballet me vështirësi në rikthimin e plotë të sistemeve në funksion, raportoi të premten Associated Press.
Problemet kanë prekur një numër të madh shërbimesh të platformës Microsoft 365, përfshirë Outlook, Teams dhe asistentin me inteligjencë artificiale Copilot.
Sipas njoftimit të kompanisë, ndërprerja lidhet me shërbimet Exchange Online dhe sistemet e postës elektronike.
Microsoft, me seli në Redmond të Uashingtonit, bëri të ditur se inxhinierët po shqyrtojnë disa mënyra për të identifikuar shkakun e problemit dhe për të rikthyer infrastrukturën e prekur. Kompania deklaroi se po ndjek një qasje të kujdesshme për identifikimin dhe riparimin e sistemeve problematike, duke theksuar se incidenti po trajtohet me urgjencë dhe prioritet deri në zgjidhjen e plotë.
Ndërkohë, Microsoft tha se deri më tani nuk ka indikacione se ndërprerja është shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
Sipas platformës Downdetector, më shumë se 130 mijë përdorues raportuan probleme me qasjen në Outlook vetëm gjatë ditës së enjte.
Edhe pse numri i raportimeve më pas shënoi rënie, problemet vazhduan të preknin shërbime dhe përdorues në disa kontinente.
Përmes disa njoftimeve në rrjetin social X, kompania fillimisht pretendoi se ka arritur të rikthejë funksionalitetin e shërbimeve, por më vonë konfirmoi se lista e shërbimeve të prekura është përditësuar dhe se ndërhyrjet teknike po vazhdojnë.
Në njoftimin e fundit, Microsofti pranoi se ndryshimet e aplikuara për përmirësimin e funksionimit të sistemeve nuk po jepnin rezultatet e pritshme, duke shtuar pasigurinë për kohën e rikthimit të plotë të shërbimeve.
Ndërprerja ka shkaktuar pasoja edhe në aktivitetet ekonomike dhe institucionale.
Edhe në Hong Kong janë raportuar pasoja në aktivitetin ekonomik.
Biznesmeni Danny Lau, i cili drejton një kompani të industrisë së aluminit, tha se llogaritë e kompanisë së tij në Outlook nuk po merrnin përditësime nga klientët në Shtetet e Bashkuara.
Ai paralajmëroi se, nëse situata vazhdon, mund të ndikojë në afatet e prodhimit.
Ndërprerja ka prekur gjithashtu disa institucione shtetërore në Azi. Agjencia për Teknologjinë Qeveritare e Singaporit konfirmoi se shërbimet e postës elektronike të qeverisë janë jashtë funksionit dhe se po bashkëpunonte me Microsoftin për zgjidhjen e problemit.
Në Japoni u konfirmua se problemi kishte prekur infrastrukturën teknologjike të qeverisë, duke bërë të ditur se autoritetet po e përcillnin nga afër zhvillimin e situatës.
Ndërkohë, në sektorin e aviacionit, kompania Air India deklaroi se operacionet e fluturimeve nuk ishin prekur nga ndërprerja. Megjithatë, ajo bëri të ditur se ka ridrejtuar përkohësisht shërbimet e postës elektronike për të siguruar vazhdimësinë e komunikimit me klientët.
Edhe kompania tjetër ajrore indiane, IndiGo, raportoi probleme në shërbimet e mbështetjes përmes emailit, të cilat ndikuan në pranimin e kërkesave të klientëve. Megjithatë, kompania theksoi se kanalet e tjera të komunikimit dhe operacionet e fluturimeve po funksiononin normalisht.
Pasojat e ndërprerjes nuk janë kufizuar vetëm te përdoruesit e drejtpërdrejtë të Microsoft 365. Edhe kompanitë e inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic raportuan probleme në lidhjen me mjetet e Microsoft 365.
Microsoft vazhdon të punojë për identifikimin dhe riparimin e shkakut të ndërprerjes, ndërsa përdoruesit, kompanitë dhe institucionet në mbarë botën presin rikthimin e plotë të shërbimeve.