Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
DIE WELT

Griechenland erlebte in den letzten 48 Stunden einen massiven Zustrom von Migranten.

MIGRATION

Foto: Associated Press

Greqia ka njoftuar të dielën se 48 orët e fundit kanë qenë “më të vështirat” e këtij viti sa i përket mbërritjes së migrantëve, pasi rreth 1.000 persona janë shpëtuar nga anijet në brigjet e Kretës, ndërsa qindra të tjerë kanë arritur në ishull gjatë fundjavës.

Rojet bregdetare greke kanë njoftuar se të dielën kanë shpëtuar 190 persona që ndodheshin në tri anije, pasi ato u zbuluan nga dronët e operuar nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex), në brigjet e Kretës.

Migrantët janë dërguar në portet e afërta të Kaloi Limenes dhe Ierapetrës, ka bërë të ditur Roja Bregdetare e Greqisë.

Të shtunën, më shumë se 1.000 migrantë janë shpërtuar gjatë dhjetëra operacioneve të ndara në brigjet e Kretës, ndërsa rreth 700 të tjerë kanë arritur në ishull, ka thënë për Reuters një zyrtar i Rojës Bregdetare greke.

Po të njëjtën ditë, trupat e pajetë të dy migrantëve janë gjetur në një zonë shkëmbore në ishullin e afërt të Gavdos.

Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, ka thënë të dielën për televizionin Skai se 48 orët e fundit kishin qenë “më të vështirat” e vitit sa i përket mbërritjes së migrantëve. Sipas tij, numri i migrantëve në ishull ka arritur në rreth 2.500, duke tejkaluar kapacitetet e qendrave lokale të pritjes.

Qindra migrantë janë transportuar me autobusë drejt portit të Heraklionit, në lindje të ishullit, ku shumë prej tyre janë detyruar të qëndrojnë jashtë, pasi një qendër e përkohshme pritjeje ishte mbushur plot, treguan pamjet e publikuara nga mediat lokale.

Greqia, prej kohësh një pikë hyrëse drejt Evropës për migrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, ishte në vijën e parë të krizës së migracionit në Evropë gjatë viteve 2015-2016, kur në ishujt e saj mbërritën afro një milion njerëz, kryesisht nga Turqia.

Megjithëse numri i mbërritjeve ka rënë që atëherë, pasi Athina zyrtare ka forcuar patrullimet detare dhe kontrollet kufitare, vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i migrantëve që vijnë nga Libia.

Shumica e tyre janë nga Bangladeshi ose persona që po largohen nga konflikti në Sudan. Kjo ka hapur një rrugë të re migrimi drejt ishujve Gavdos dhe bregdetit jugor të Kretës.

Rritja e migracionit në disa pjesë të Evropës ka shtuar mbështetjen për partitë nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë, si dhe ka nxitur shumë qeveri të miratojnë politika më të ashpra migracioni, të përqendruara te kontrollet kufitare, parandalimi i mbërritjeve dhe kthimi i migrantëve.