Ligjvënësit arabë u japin kundërshtarëve të Benjamin Netanyahut një shumicë të qartë në Parlament. Por shumë ligjvënës hebrenj po përpiqen të shmangin mbështetjen tek ata
Demokracia e Izraelit po përballet me një sprovë të madhe, pasi partitë politike arabe shënuan fitore historike në zgjedhjet e javës së kaluar.
Ndërkohë, kundërshtarët e kryeministrit Benjamin Netanyahu po përballen me një dilemë të madhe lidhur me atë nëse ligjvënësve arabë duhet t’u jepet një pjesë e pushtetit në qeverinë e re.
Kundërshtarët e Netanyahut siguruan një shumicë të qartë në Parlament, duke fituar 67 nga 120 ulëset. Por 19 prej tyre u fituan nga partitë arabe dhe përfshirja e tyre në një koalicion qeverisës konsiderohet aq problematike nga shumë hebrenj izraelitë, saqë udhëheqësit e opozitës po përpiqen me çdo kusht të gjejnë mënyra për të formuar një qeveri që nuk do të varej nga ligjvënësit arabë.
Kundërshtimi ndaj formimit të një qeverie me dy fraksionet kryesore arabe, Listën e Bashkuar Arabe, ose Raam, dhe Listën e Përbashkët, e cila përbëhet nga tri parti më të vogla, është jashtëzakonisht zhgënjyes për aktivistët politikë që ndihmuan në rritjen e pjesëmarrjes së arabëve në votime në një nivel pothuajse rekord prej 77 për qind javën e kaluar.
“Pse është kaq e ndërlikuar? Vota e një qytetari arab të Izraelit duhet të ketë të njëjtën peshë si vota e një qytetari hebre”, tha Alon-Lee Green, një nga themeluesit e organizatës hebreje-arabe “Standing Together”.
Përpjekjet për t’i lënë partitë arabe jashtë pushtetit ushqejnë gjithashtu pakënaqësinë e shumë qytetarëve arabë, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së vendit. Ata ankohen se hebrenjtë izraelitë e mirëpresin pjesëmarrjen e tyre në procesin politik vetëm deri në momentin kur ata mund të fitojnë pushtet të vërtetë.
“Ky është problemi me demokracinë izraelite”, tha Thabet Abu Rass, një avokat i kahershëm i partneritetit mes arabëve dhe hebrenjve. “Është demokraci për hebrenjtë, por shtet hebre për qytetarët arabë si unë. Ne, qytetarët arabë, duhet të kemi të njëjtat të drejta dhe dëshirojmë t’i përdorim ato për të përcaktuar se kush do ta udhëheqë vendin”.
“Por disa hebrenj thonë jo, demokracia është vetëm për hebrenjtë”, tha ai.
Sipas tij, kjo është bërë veçanërisht e vërtetë që nga sulmi i 7 tetorit 2023, i udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit.
Në të vërtetë, përfshirja e partive arabe në një qeveri të re, veçanërisht në një kohë konflikti, konsiderohet nga shumë hebrenj izraelitë si diçka e pazbatueshme, tepër e rrezikshme, madje edhe e papranueshme.
Pak kush do ta mohonte se racizmi luan një rol në këtë çështje. Por hebrenjtë izraelitë i shohin me shkallë të ndryshme skepticizmi edhe vetë partitë e veçanta arabe: Raam, e drejtuar nga Mansour Abbas, dhe Lista e Përbashkët, e udhëhequr nga Yousef Jabareen.
Shmangia e përgjigjes
Partia e Abbasit i ka rrënjët në lëvizjen “Vëllazëria Myslimane”, ashtu si Hamasi, një histori që kritikët e krahut të djathtë e theksojnë shpesh kur e denoncojnë atë.
Megjithatë, Abbas ishte ligjvënësi i parë nga një parti e pavarur arabe që iu bashkua një koalicioni qeverisës izraelit. Ai ka fituar shumë mbështetës hebrenj duke bashkëpunuar me ligjvënës hebrenj. Ai është përqendruar në çështjet e brendshme që prekin qytetarët arabë, si krimi i dhunshëm dhe politikat diskriminuese të strehimit, ndërsa i ka kushtuar pak vëmendje politikave të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
Në të kundërt, anëtarët e Listës së Përbashkët janë përqendruar më shumë në trajtimin që Izraeli u bën palestinezëve në territoret e pushtuara dhe, në përgjithësi, kanë parapëlqyer ta kritikojnë politikën qeveritare nga opozita. Disa prej tyre kanë dënuar veprimet ushtarake izraelite, e kanë cilësuar luftën e Izraelit në Gazë si gjenocid ose u janë referuar militantëve palestinezë të vrarë si “dëshmorë”.
“Abbas arriti ta bëjë veten më të pranueshëm, sepse e bëri shumë të qartë se është në politikë për t’u kujdesur për çështjet e brendshme të komunitetit të tij”, tha Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, një organizatë kërkimore jopartiake. “Por nuk dëgjon të njëjtën qasje nga anëtarët e Listës së Përbashkët”.
Plesner vuri në dukje edhe se Abbas, kur pyetet nëse e mbështet rrëzimin e Hamasit, i shmanget përgjigjes.
“Çdo izraelit sionist pret që çdo qeveri të punojë për rrëzimin e Hamasit, për shkak të asaj që Hamasi i bëri Izraelit dhe asaj që dëshiron t’i bëjë atij”, tha Plesner.
Abbas dhe Jabareen i kundërshtojnë me zemërim pyetje të tilla, duke i konsideruar ato poshtëruese dhe të barasvlershme me kërkesën për betim besnikërie. Të dy i kanë dënuar sulmet e 7 tetorit, ndërsa Abbas ka thënë se dhuna e tillë vetëm sa e ka dëmtuar çështjen palestineze.
Para zgjedhjeve të javës së kaluar, partitë arabe nuk kishin arritur kurrë të siguronin më shumë se 15 ulëse në Parlament. Derisa Abbas iu bashkua koalicionit qeverisës në vitin 2021, udhëheqësit e partive arabe përgjithësisht kishin kundërshtuar pjesëmarrjen në qeveri dhe, rrjedhimisht, marrjen e përgjegjësisë për pushtimin dhe veprimet ushtarake të Izraelit.
Por politikat diskriminuese, si shembja e shtëpive të qytetarëve arabë të ndërtuara pa leje zyrtare, si dhe rritja e madhe e kriminalitetit në qytetet arabe, të cilën izraelitët arabë ia atribuojnë neglizhencës së policisë, i kanë shtyrë ligjvënës si Jabareen dhe të tjerë në Listën e Përbashkët të zotohen se do të bëjnë gjithçka për ta larguar qeverinë e Netanyahut nga pushteti.
Diskriminimi ndaj qytetarëve arabë e dobëson gjithashtu pozitën e Izraelit kur ky vend i vë në pah jashtë kufijve të tij kredencialet demokratike.
Vështirësia për ta formuar koalicionin
Për opozitën kundër Netanyahut, të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, të gjitha mundësitë për formimin e një koalicioni qeverisës janë të vështira.
Ai mund të përpiqet të formojë një qeveri të pakicës, me më pak se 61 ulëse, në të cilën njëra ose të dyja partitë arabe do të mbeteshin jashtë koalicionit, por do të bashkëpunonin deri në një masë, duke kundërshtuar mocionet e mosbesimit në Parlament.
Ose mund të pajtohet me formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, nëse Netanyahu ose disa prej aleatëve të tij do t’i pranonin kushtet e opozitës për ndarjen e pushtetit.
Eisenkot mund të pranonte gjithashtu mbajtjen e një rundi të ri zgjedhjesh, me shpresën për të arritur një rezultat më të mirë, ndonëse shumë në opozitë druhen se kjo do t’i sillte përfitime Netanyahut, aleanca e të cilit siguroi vetëm 53 ulëse në zgjedhjet e javës së kaluar.
Rula Daood, një tjetër udhëheqëse e organizatës “Standing Together”, tha se duke hezituar t’i përfshinte partitë arabe në qeverinë e re, Eisenkot po vepronte në favor të Netanyahut. Ajo e akuzoi kryeministrin se po përpiqet ta delegjitimojë votën arabe duke pretenduar, pa paraqitur prova, se partitë arabe i kanë vjedhur zgjedhjet.
Hauser, një ish-ligjvënës i qendrës së djathtë, paralajmëroi në gazetën “Israel Hayom” se përfshirja e partive arabe në qeveri mund të shkaktonte një katastrofë. Sipas tij, anëtarët e koalicionit do të kishin “botëkuptime që nuk pajtohen as për çështjet më themelore të sigurisë kombëtare”.
Hauser shkroi se çdo votim për politikat që prekin palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Gazë, zbatimin e rregullave të strehimit në komunitetet arabe apo shembjen e shtëpive të personave që sulmojnë izraelitët, mund të shndërrohej në “një provë për mbijetesën e koalicionit”.
Yossi Klein Halevi, autor dhe studiues i lartë në Institutin Shalom Hartman në Jerusalem, tha se ishte ndier thellësisht i zhgënjyer javën e kaluar kur Abbas, të cilin e admironte, iu shmang kërkesës së një gazetari televiziv që ta cilësonte Hamasin organizatë terroriste.
Halevi e ka dënuar Netanyahun për ndarjen e rrymës kryesore politike izraelite në dy kampe: koalicionin e tij, i cili i jep përparësi karakterit hebre të Izraelit, dhe opozitën, e cila i vë në plan të parë vlerat demokratike të vendit. Por ai tha se druhej që nëse Eisenkot do të formonte një qeveri të mbështetur në dy partitë arabe, kjo do ta shkatërronte për një brez të tërë mundësinë e riparimit të kësaj përçarjeje.
“Do të shihemi sikur po i parapëlqejmë anti-sionistët para bashkëkombësve tanë hebrenj”, tha ai. “Dhe kjo do të shihet gjerësisht nga hebrenjtë e krahut të djathtë, madje edhe nga disa të qendrës, si tradhti ndaj solidaritetit më themelor hebre”.
Ndër aleatët e Eisenkot, Yair Golan i partisë së majtë ka folur më hapur në mbështetje të përfshirjes së partive arabe. Në një intervistë, ai tha se Izraeli duhet të çlirohet nga “psikoza” e trajtimit të qytetarëve arabë si tradhtarë të mundshëm ose qytetarë të dorës së dytë. Ai argumentoi se publiku arab e ka dëshmuar në masë dërrmuese besnikërinë dhe solidaritetin e tij që nga 7 tetori.
“Ata janë pjesë e jona”, tha ai. “Jemi në të njëjtin ekip”.
Golan, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, hodhi poshtë gjithashtu idenë se përfshirja e ligjvënësve arabë në kabinet do të përbënte rrezik për sigurinë kombëtare. Ai tha se ata do të përjashtoheshin nga kabineti më i vogël i sigurisë, ku merren vendimet operative.
Golan tha se e përfytyronte një qeveri ku do të përfshihej Raam dhe që do të mbështetej nga jashtë te Lista e Përbashkët. Ai e krahasoi këtë me qeverinë e kryeministrit Yitzhak Rabin në vitet 1990, e cila qeverisi në mënyrë efektive me vetëm 56 ulëse në Parlament dhe me mbështetjen e jashtme të partive arabe.
Disa izraelitë thonë se rezultatet e zgjedhjeve i kanë dhënë Izraelit një mundësi të artë.
Sipas tyre, duke bashkuar forcat me ligjvënësit arabë, opozita më në fund mund të krijojë një komision kombëtar hetimor për dështimet e sigurisë që i paraprinë sulmeve të 7 tetorit dhe të miratojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për hebrenjtë ultraortodoksë, të cilët prej kohësh janë të përjashtuar nga kjo detyrë.
“Ky është momenti më i këndshëm”, tha Yosef Abramoëitz, një sipërmarrës hebre në fushën e energjisë së ripërtëritshme, i cili tha se kishte votuar për Raam.
“Arabët duhet të çlirohen nga narrativa palestineze si pikënisje për organizimin e tyre politik. Ndërsa shoqëria hebreje izraelite duhet të thotë se një komision kombëtar hetimor dhe shërbimi i plotë ushtarak janë më të rëndësishëm sesa miti se të gjithë arabët janë terroristë dhe mbështetës të terrorizmit”, shtoi ai.