Peja i ka nisur me kohë përgatitjet për edicionin e ri dhe me kohë e kompletoi edhe skuadrën me basketbollistë të huaj. Por deri më tani ka arritur vetëm një fitore në parket, ndaj Trepçës në Mitrovicë, dhe një tjetër me rezultat zyrtar ndaj Sigal Prishtinës. Aktualisht është në seri prej pesë humbjeve në kampionatin e Kosovës në basketboll.
Por çka nuk po shkon në ekipin pejan?
Drejtori sportiv, Arbër Elshani, ka dhënë versionin e tij.
“Trajneri i kaluar, Michalis Kakiouzis, e ka formuar ekipin për edicionin e ri, pasi ishte edhe një muaj para përfundimit të kampionatit të kaluar. Ai ka ofruar emrat e lojtarëve që i dëshironte në ekip dhe ne si bord drejtues 99 për qind të kërkesave të tij i kemi realizuar. Ishim klubi i parë që filluam përgatitjet. Ai ka dashur që të fillojmë më 10 gusht, ndonëse liga ka filluar më 19 shtator. E kemi dhënë nga një pagë ende pa filluar edicioni i ri, vetëm pasi trajneri dëshironte të kryente fazën e vështirë përgatitore që ekipi të jetë i gatshëm fizikisht për FIBA Europe Cup dhe për Superligë. I kemi miratuar të gjithë lojtarët e propozuar nga trajneri. Ai ka dashur tre lojtarë nga Prishtina dhe në fund kanë munguar rezultatet. Kemi treguar lojë shumë të mirë me Trepçën në Mitrovicë. Më pas kemi parë një rënie shumë të madhe tek ekipi. Rënia ishte më shumë fizike, lojtarët nuk kanë treguar përgatitje fizike për ndeshje”, ka thënë Elshani për KOHËN, të hënën.
Pas humbjeve nga Vëllaznimi e Rahoveci 029, te Peja e kuptuan që kanë probleme. Kakiouzis u largua dhe në vend të tij erdhi Boshko Radoviq nga Mali i Zi. Elshani thotë se është trajner shumë cilësor.
“Kemi ndryshuar edhe dy lojtarë, që sipas trajnerit të ri nuk kanë mbajtur lojën konstante të Pejës, kurse kanë pasur probleme edhe në mbrojtje. Por natyrisht këto ndryshime nuk sjellin menjëherë rezultat. Përgatitja fizike është pika e dobët e Pejës në këtë moment. Por edhe forma jo e mirë dhe kontributi i lojtarëve vendorë që nuk është i duhuri. Shpresojmë që shumë shpejt ta arrijmë formën që e kemi dashur nga fillimi”, ka theksuar Elshani.
Ai vlerëson se trajneri grek nuk e ka bërë punën si duhet, ndërsa ka paralajmëruar edhe ndryshime të tjera në përbërje. Elshani beson se forma e deritashme i takon të kaluarës.
“Me fanellën e Pejës nuk ka hajgare”, thotë ai. “Ata që nuk japin kontribut do të shkojnë në shtëpi. Nuk do të kemi mëshirë ndaj atyre që nuk tregojnë performancë. Ne kemi përmbushur detyrat tona, me kohë kemi ekzekutuar pagat. Mosangazhimi do të ndëshkohet rëndë. Prej kësaj jave nuk do të ketë arsyetim për asnjë lojtar. Nëse nuk ka reflektim që nga ndeshja me Prishtinën, do të reagojmë brutalisht dhe do t’i largojmë të gjithë. Të gjithë ata që nuk performojnë do të shkojnë në shtëpi. Nuk kanë ardhur në pushime, janë këtu për të luajtur. Duhet t’u japim kohë sepse forma fizike nuk vjen për dy apo tri ditë”, ka thënë Arbër Elshani.
Peja është e pesta me nëntë pikë, sa kanë edhe Prishtina në vendin e gjashtë dhe Rahoveci 029 në të shtatin. Vetëm Vëllaznimi ka mbetur me tetë pikë, në vendin e tetë.
Në xhiron e ardhshme, Peja e pret Sigal Prishtinën. Synimi i pejanëve është i qartë – kthimi te fitorja.