Bashkimi luajti mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj Valmieras së Letonisë, në kuadër të xhiros së gjashtë të Grupit F të “FIBA Europe Cup”.
Por kjo nuk i mjaftoi nënkampionit të Kosovës, që humbi të mërkurën mbrëma në udhëtim me rezultatin 85:77.
Skuadra prizrenase u afrua edhe në një pikë, 70:69, me treshen e Shannon Shorterit, 4 minuta e 52 sekonda para fundit.
Katër minuta e 13 sekonda pa u mbyllur ndeshja rezultati ishte 73:71 në të mirë të vendësve, kur shënoi Lance Thomas.
Më pas nikoqirja hyri në seri prej 6:0 për t’u shkëputur në rezultat.
Pavarësisht përpjekjeve, Bashkimi nuk arriti të afrohej më dhe e pësoi humbjen e katërt. E ka edhe një fitore, por bie në vendin e fundit. E ka një ndeshje më pak të luajtur.
Bashkimi e fitoi çerekun e parë 16:10, ndërsa pjesa e parë u mbyll 37:35 për skuadrën nga Letonia. Çereku i tretë u mbyll me rezultatin 60:53 për Valmieran.
Shorter ishte më i miri te Bashkimi me 17 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Gavin Dwayne Kensmil i pati 14 pikë e plot 13 kërcime. Lance Thomas e mbylli ndeshjen me 10 pikë, shtatë kërcime e një asistim, kurse Valon Bunjaku kishte shtatë pikë, katër kërcime e gjashtë asistime.
Dy ndeshjet e radhës për Bashkimin do të jenë ndaj skuadrës angleze Manchester. Më 18 nëntor luan në Prizren, ndërsa më 2 dhjetor në Angli.