Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë ka reaguar për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, raport sipas të cilit, mbi 2 milionë euro të projektit për përmirësimin e efiçincës së energjisë në shkolla dhe Qendra të Mjekësisë Familjare, janë shpenzuar për projekte të tjera jashtë marrëveshjes.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ligjore për ridestinimin e njëanshëm të këtyre mjeteve dhe ka ftuar organet kompetente të hetojnë vendimmarrjen, autorizimin e pagesave dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përfshirë.
Në reagim thuhet se vetëm për kontratat e ndriçimit publik që, nga Lëvizja Vetëvendosje janë denoncuar në Prokurorinë Speciale, u shpenzuan 700 mijë e 374 euro, punime të cilat nuk ishin pjesë e marrëveshjeve me BERZH-in.
“Vetëm për kontratat e ndriçimit publik, të cilat si Lëvizje VETËVENDOSJE! i kemi denoncuar në Prokurorinë Speciale, janë shpenzuar 700,374 euro, ndonëse këto punime nuk ishin pjesë e marrëveshjeve me BERZH-in. Në vend që të japë llogari për menaxhimin e këtyre fondeve, Përparim Rama vazhdon të drejtojë akuza të paqena ndaj nivelit qendror, duke tentuar ta zhvendosë përgjegjësinë për problemet në shkollat e Prishtinës. Gjetjet e auditimit tregojnë se të gjitha pretendimit e z.Rama për bllokadë të këtyre fondeve kanë qenë të pavërteta”, thuhet në reagim.