Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi (KQZ), Vladimir Dimitrijeviq, deklaroi sonte se rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të mbajtura sot, pritet të publikohen rreth orës 21:15, transmeton “N1”.
Në konferencën për media në KQZ, Dimitrijeviq tha se vendvotimet në Serbi, në përgjithësi, janë mbyllur në orën 20:00, përveç atyre ku në momentin e mbylljes kishte votues që ende nuk kishin votuar, ose në rastet kur gjatë ditës në atë vendvotim kishte pasur ndërprerje të votimit për më shumë se një orë.
Dimitrijeviq tha se rezultatet e para përcaktohen nga këshillat zgjedhorë në vetë vendvotimet.
“Pas kësaj, rezultatet dhe procesverbalet u dorëzohen komisioneve zgjedhore lokale. Më pas, këto rezultate skanohen dhe dërgohen në qendër, ku futen në listë... Nuk do të pritet që të përpunohen të gjitha vendvotimet, por rezultatet do të publikohen në mënyrë të njëpasnjëshme, sipas mbërritjes së tyre dhe pasi t’i kalojnë kontrollet”, tha Dimitrijeviq.
Shqiptarët e Luginës garuan në këto zgjedhje me listë të përbashkët, "Koalicioni Shqiptar".