Kryetari i OVL-së së UÇK-së në Fushë-Kosovë, Xhevdet Qeriqi, e ka cilësuar të habitshme kërkesën e PDK-së që ligji për Specialen të kthehet sërish në Kuvend për rishikim, duke vlerësuar se ndryshimet e nevojshme është dashur të bëhen më herët, në mënyrë që të shmanget një procedurë e re parlamentare.
Qeriqi ka thënë se gjatë kohës së kaluar, sidomos ditëve kur janë zhvilluar protestat, ka pasur mundësi të mjaftueshme që të identifikoheshin mospërputhjet eventuale të ligjit me Kushtetutën dhe të angazhoheshin ekspertë të fushës për adresimin e tyre.
Ai ka theksuar se për shoqatat e dala nga lufta prioritet mbetet miratimi i ligjit në të dy leximet dhe hyrja e tij në fuqi, duke e konsideruar atë jashtëzakonisht të rëndësishëm në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Është e habitshme se si nuk është rishikuar më herët dhe kudo që ka pasur mospërputhje me Gjykatën Kushtetuese, që bie ndesh me Kushtetuesen, të rregullohen dhe të mos ketë nevojë që sërish ky ligj të kthehet në Kuvend. Për ne si shoqata të dala nga lufta është e rëndësishme që ky ligj të kalojë në të dyja leximit dhe të hyjë në fuqi për arsye se është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këto ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Specialen në Hagë”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që, pavarësisht zhvillimeve dhe kërkesave për rishikim, ta procedojnë dhe miratojnë ligjin sa më shpejt.
“Për ne është e habitshme se si nuk është shfrytëzuar ajo kohë sa kemi qenë në protestë e të mos vihet në këtë moment që prapë ligji të kthehet në Kuvend dhe prapë të kërkohet për t’u votuar. Sido që të jetë është e rëndësishme për ne që deputetët ta kalojnë në një procedurë sa më të shpejtë këtë ligj”, është shprehur ai.
Qeriqi ka shprehur kritika të ashpra ndaj mënyrës së funksionimit të Speciales, duke e cilësuar atë jotransparente dhe duke pretenduar se procesi gjyqësor është zgjatur tej mase, ndërsa kërkesat dhe ankesat e katërshes së UÇK-së janë refuzuar vazhdimisht.
Sipas tij, gjykata, prokuroria dhe Avokati i Popullit në Hagë kanë qenë në një linjë dhe se qëllimi ka qenë dënimi i katërshes së UÇK-së, pavarësisht ekzistimit apo jo të provave.
“Specialja ka qenë një gjykatë jotransparente, një gjykatë që e ka stërzgjatur një proces, një gjykatë që ka refuzuar të gjitha kërkesat e ankesat e 4-shes së UÇK-së, d.m.th., si gjykata, si prokuroria, fatkeqësisht edhe avokati i Popullit në Hagë kanë qenë në një linjë, ka qenë qëllimi që me çdo kusht, pavarësisht a ekzistojnë prova apo jo, të dënohet kjo 4-she e UÇK-së”, ka deklaruar ai.