Universiteti i Ferizajt është bërë me dy ushtrues detyre të rektorit, pas vendimeve të kundërta të ministrit të Arsimit dhe shumicës së Këshillit Drejtues. Përplasja ka nisur pas anulimit të zgjedhjes së Agron Bajraktarit për ta drejtuar universitetin në mandatin e tretë
Në dy fronte është duke u zhvilluar një luftë vendimesh ndërmjet ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku, dhe shumicës së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF).
Pasi në fillim të muajit, Këshilli zgjodhi Agron Bajraktarin rektor në mandatin e tretë, Ministria e ka anuluar vendimin dhe dy ditë më parë ka iniciuar ndryshimin e statutit të Universitetit, duke i kërkuar Kuvendit të mos lejojë që pozita të ushtrohet nga i njëjti person për më shumë se dy mandate.
E, prej që është anuluar vendimi për zgjedhjen e të parit të Universitetit të Ferizajt, një tjetër betejë është duke u zhvilluar për ushtruesin e detyrës së rektorit.
Shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues ka zgjedhur për ushtrues detyre profesoreshën Fakije Zejnullahu. Por, ministri Çeku e ka caktuar në të njëjtën pozitë profesorin Afrim Loku.
Në një përgjigje për KOHËN, Këshilli Drejtues e ka cilësuar këtë vendim ndërhyrje në autonominë e universitetit dhe tejkalim të kompetencave të Ministrisë së Arsimit. Në përgjigje është thënë se ky institucion tashmë i është drejtuar gjykatës.
“Për të gjitha veprimet që, sipas vlerësimit tonë, kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe kanë cenuar autonominë e Universitetit, USHAF-i tashmë ka ndërmarrë hapa juridikë, duke nisur procedurat pranë gjykatës kompetente. Edhe për vendimin e njëanshëm të ministrit për të imponuar zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së rektorit, përveç kundërshtimit, do të ndërmarrim hapa ligjorë për mbrojtjen e autonomisë dhe ligjshmërisë”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Drejtues të USHAF-it.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me pozitën e rektorit të Universitetit të Ferizajt.
Në bazë të statutit të këtij universiteti, zgjedhja e ushtruesit të detyrës së rektorit është kompetencë e Këshillit Drejtues, në rastet kur pozita mbetet vakante.
“Në rast të shkarkimit të rektorit, apo në çfarëdo rasti të mbetjes vakante të pozitës së rektorit, Këshilli Drejtues zgjedh ushtruesin e detyrës së rektorit deri në përfundimin e procedurës së zgjedhjes së rektorit për mandatin e mbetur. Ushtruesi i detyrës së rektorit do të mbajë postin e rektorit deri në marrjen e një vendimi tjetër. Ushtrues i detyrës së rektorit zgjidhet personi që i plotëson kushtet e parapara për zgjedhjen e rektorit, neni 27”, thuhet në statut.
Ndërkaq, Ligji për Arsimin e Lartë i njeh Ministrisë kompetencën për të ndërhyrë në qeverisjen dhe menaxhimin e institucioneve të arsimit të lartë, në rastet kur, bazuar në raportet dhe rekomandimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, konstatohen keqadministrim ose moszbatim i ligjit dhe statutit.
“Nëse, sipas vlerësimit të Ministrisë që bazohet në raportet përfundimtare dhe rekomandimet nga Zyra e Auditorit të përgjithshëm, çështjet financiare apo çështjet e tjera të një bartësi kanë qenë ose janë duke u keqadministruar apo dispozitat e statutit nuk janë zbatuar në pajtim me këtë ligj dhe me statutin, Ministria mund që përveç kompetencave të akorduara nga paragrafi 6. i nenit 22 të këtij ligji, pas konsultimit me AKA-në dhe me bartësin, të japë udhëzime në lidhje me qeverisjen dhe menaxhimin e bartësit që Ministria i sheh të arsyeshme, duke përfshirë, largimin dhe zëvendësimin e përkohshëm të një ose më shumë anëtarëve të Këshillit Drejtues ose rektorit”, thuhet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Në këtë situatë, Universiteti ka dy ushtrues detyre të rektorit, meqë Këshilli Drejtues ka theksuar se vendimi i tij mbetet në fuqi.
“Caktimi i një personi tjetër me vendim të njëanshëm nga ministri krijon udhëheqje paralele, të cilën Këshilli Drejtues nuk e pranon. Këshilli Drejtues do ta mbrojë vendimin e tij dhe autonominë institucionale të Universitetit me të gjitha mjetet juridike në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Drejtues të USHAF-it.
Këshilli Drejtues ka 7 anëtarë – katër të zgjedhur nga senati i Universitetit të Ferizajt dhe tre të emëruar nga ministri i Arsimit.