Kryeministri Albin Kurti në organizimin e Ambasadës së Shqipërisë për nder të Ditës së Pavarësisë, ka thënë se Kosova është shtet në vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar dhe se raportet me Shqipërinë janë vëllazërore për kombin, por edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore.
Në fjalimin e tij, Kurti ka kujtuar se më 28 nëntor 1912, Kuvendi i Shqipërisë pati shpallur aspiratën që Shqipëria të jetë në vete, e lirë dhe e mosvarur. E këto ka thënë se përpiqet që t’i realizojë Republika.
“Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj. Ne sot jemi një demokraci funksionale që garanton liritë e njeriut dhe liritë civile, dhe po bëjmë përpjekje që të zhvillohemi në të njëjtin drejtim e së bashku me demokracitë përparimtare të Bashkimit Evropian, të Amerikës së Veriut e të demokracive të tjera në rajon dhe në mbarë botën. Ne dëshirojmë që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe po ndërmarrim hapat e nevojshëm institucionalë mu për këtë qëllim”, ka thënë Kurti në fjalim.
Ai ka kujtuar se me Qeverinë e Shqipërisë Kosova i ka 190 marrëveshje në fusah të ndryshme.
Kurti ka thënë se Kosova e ka treguar veten si partner i besueshëm për ruajtjen dhe promovimin e paqes në Evropë dhe në botë.
Në fund, ai ka renditur datat që sipas tij përbëjnë themelet e kombit. Nuk e ka përfshirë datën e pavarësisë së Kosovës.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 10 qershor 1878, Kongresi i Alfabetit në Manastir më 22 nëntor 1908 dhe 28 Nëntori i shumëfishtë - i Flamurit dhe Skënderbeut në Krujë në 1443, i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ismail Qemalit në Vlorë në 1912, e i UÇK-së e kryekomandantit Adem Jashari në Drenicë në fund të shekullit të kaluar - janë dhe do të jenë përgjithmonë themelet e kombit tonë, që në shekullin XXI e më tej, do të na bëjnë gjithnjë krenarë e të gëzuar, por edhe përherë të na mbushin me përgjegjësi e detyra”, ka thënë Kurti.