Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që Kosovës t’ia japë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave për anëtarësim, duke paralajmëruar se mosveprimi mund ta dëmtojë besimin në perspektivën evropiane të vendit.
Në fjalimin e tij në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt të enjten në Tiranë, Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues”, ka thënë Kurti.
Ai kërkoi që Këshilli i Bashkimit Evropian më në fund t'i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Muaji i ardhshëm shënon katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
“Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe besimi i tyre në këtë institucion janë ndër më të lartat në rajon, prandaj, sipas tij, kërkesa për avancim në procesin e integrimit është bërë urgjente.
Gjatë fjalimit, Kurti foli edhe për përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, duke iu referuar raporteve të organizatave ndërkombëtare. Ai përmendi rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, rritjen e investimeve private dhe uljen e papunësisë nga 26 në 11 për qind.
Kurti ka thënë se Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe se pas një periudhe të ngadalësimit për shkak të zgjedhjeve të përsëritura, vendi ka rifituar stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar zbatimin e tyre. Fajin për humbjen e miliona eurove nga ky plan, Kurti ia la pikërisht zgjedhjeve të shpeshta.
Ai përmendi edhe përfitimet nga integrimi gradual, përfshirë lehtësimin e procedurave kufitare, aplikimin për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), lansimin e portofolit digjital dhe përparimin në fusha të tjera të bashkëpunimit rajonal.
Në pjesën e bashkëpunimit rajonal, kryeministri kritikoi bllokadat që, sipas tij, Serbia po i shkakton integrimit ekonomik, përfshirë mosnjohjen e diplomave dhe pengesat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s.
Ai kërkoi gjithashtu nga Bashkimi Evropian që fondet dhe mbështetja financiare të ndahen në bazë të rezultateve, në mënyrë që vendet që zbatojnë marrëveshjet dhe reformat të përfitojnë më shumë.
Kurti paralajmëroi edhe për rreziqet e luftës hibride të Rusisë në Evropë, duke thënë se integrimi ekonomik tashmë është edhe çështje e sigurisë. Ai theksoi se Kosova dëshiron të jetë pjesë e përpjekjeve evropiane për forcimin e sigurisë, energjisë dhe ndërlidhjes rajonale.