Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka thënë se në UP nën menaxhimin e tij nuk ka “promovime me muskuj, me fuqi financiare apo politike”.
Hajrullahu ka thënë se në dy vjetët e tij në postin e rektorit të gjitha punësimet janë të bazuara në meritokraci, transparencë e ligjshmëri.
“Në UP nën menaxhimin tim nuk mund të zgjidhesh apo promovohesh as me muskuj, as me fuqi financiare e as me fuqi politike...Mua nuk më dirigjojnë grupet e interesit. I subordinohem vetëm ligjshmërisë dhe meritokracisë”, ka thënë Hajrullahu në “Interaktiv” të KTV-së.
Hajrullahu ka thënë se ai mund të mashtrohet nga ndonjë falsifikim pasi nuk është hetues. Por ka treguar se ka raste që janë proceduar në organe të rendit.
Hajrullahu ndërkohë ka folur edhe për çështjen e keqpërdorimeve që kanë bërë profesorët në të kaluarën. Ai ka thënë se ka pasur raste kur një profesor është paraqitur vetëm dy herë brenda semestrit para studentëve.
“Si asnjëherë më parë nuk është arritur sukses kaq i madh në UP dhe dinamizëm i tillë i punës. Fillojmë nga ajo që është më e rëndësishme, ligjshmëria e meritokracia...Kjo mbase aty këtu shkakton ndonjë shqetësim te ndonjë individ brenda në UP. Po themi shembull ndonjë profesor, ne e dimë keni qenë edhe ju student në UP, që ka praktiku për kohë të gjatë që të duket brenda semestrit një herë apo dy para studentëve. Të nënshkruajë shtatë-tetë lista përnjëherë. Kjo çështja e digjitalizimit nuk është se e pamundëson këtë qind për qind, por e vështirëson. Duhet ta transformojmë UP dhe jemi në rrugën më të mirë”, tha Hajrullahu.