Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Gërvalla antwortet der EU: Wir werden die Rechtsstaatlichkeit nicht Ihren schmeichelhaften Politiken opfern.

Donika Gervalla

Foto: Driton Pacharada

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i ka reaguar Bashkimit Evropian që shprehu keqardhje për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë. Ajo ka thënë se Kosova nuk sakrifikon shtetin ligjor për hir të “politikave ledhatuese të BE-së”.

Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se në Kosovë ligji nuk negociohet dhe se askush nuk qëndron mbi ligjin.

Një ditë më parë BE-ja kritikoi Kosovën duke thënë se duhet të mundësojë kthimin e plotë dhe të papenguar të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në strukturat e drejtësisë së Kosovës. Në deklaratë BE-ja e rikujtoi se Kosova me kushtetutë është vend multietnik.

E Gërvalla ka thënë se “nuk mund të heshtë përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’i imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë”.  Vendimin e KGJK-së për lirimin e serbëve të dorëhequr nga gjyqësori më 2022, ajo e cilësoi në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në nenin 26, përcakton shprehimisht detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’ia dërgojë Presidentit propozimin për lirimin nga detyra. Këto dorëheqje janë dhënë në vitin 2022. Kanë kaluar pothuajse katër vjet. Gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet. Gjatë kësaj periudhe, ata janë shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor të Kosovës, përfshirë raportimin, vlerësimin e performancës, trajnimet e vazhdueshme dhe detyrimet e tjera që u takojnë të gjithë gjyqtarëve. Mungesa e vazhdueshme nga puna përbën shkelje të rëndë disiplinore sipas Ligjit në fuqi për Përgjegjësinë Disiplinore të vitit 2018. Kjo, së bashku me detyrimet e tjera ligjore të shkelura, e bën të papranueshme tërheqjen e këtyre dorëheqjeve në rrethanat aktuale”, ka thënë Gërvalla tek ka theksuar se dorëheqjet ishin në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe detyrimin e gjyqtarëve për të respektuar rendin kushtetues dhe juridik, duke marrë për bazë se ato ishin dhënë në mënyrë të organizuar dhe nën presion politik të Serbisë.

“E sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë? Na tregoni cili ligj i Republikës së Kosovës përcakton se një person mund të japë dorëheqje nga një funksion në sistemin e drejtësisë, të mos e ushtrojë atë funksion për afërsisht katër vjet dhe më pas të rikthehet në të njëjtën pozitë? Nëse pretendohet shkelje e ligjit, atëherë le të tregohet saktësisht ligji që qenka shkelur. Është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike. Nuk mund të kërkohet nga Kosova zbatimi i ligjit dhe, në të njëjtën kohë, të ushtrohet presion ndaj institucioneve të saj kur ato e zbatojnë atë”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ajo ka thënë se partnerët evropianë duhet ta mbështesin Kosovën edhe kur institucionet marrin vendime mbi bazën e ligjit e “jo vetëm kur rezultatet janë të përshtatshme politikisht”

Gërvalla është pajtuar se përfaqësimi i komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues, por ka thënë se ky përfaqësim s’mund të përdoret si arsye për të relativizuar ligjin, apo pavarësinë e gjyqësorit.

Në fund, Gërvalla ka thënë se Kosova nuk sakrifikon ligjet për “politikat ledhatuese të BE-së”.

“Republika e Kosovës është shtet ligjor. Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Republika e Kosovës nuk mund të sakrifikojë shtetin e saj ligjor për hir të politikave ledhatuese (appeasement) të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës. Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar”, ka përfunduar ajo.