Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur motrës së Erjon Vishkullit, e cila tha se për operimin e Erjonit është përkujdesur familja dhe miqtë.
“Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër! Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit. Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar”, ka shkruar Rama në Facebook.
Vishkulli u plagos në sy gjatë protestës së të shtunës. Ai është operuar një herë në Tiranë dhe do t’i nënshtrohet operimit të dytë në Romë, për t’ia hequr plumbin e gomës nga syri.