Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Bajrami kritisiert die Regierung: Nach sechs Jahren wurde kein einziges Großprojekt abgeschlossen.

Geben Sie Eid ein

Foto: Driton Pacharada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mungesën e realizimit të projekteve të mëdha kapitale, pavarësisht, siç ka thënë ajo, miliarda eurove të buxhetit gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes. 

“A mund ta përmendni një projekt të madh kapital të përfunduar nga Qeveria Kurti? Jo një projekt të premtuar. Jo një projekt të buxhetuar. Një projekt të përfunduar”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se Qeveria vazhdon të premtojë investime miliardëshe, ndërsa projektet e nisura zvarriten nga viti në vit.

Ajo ka përmendur disa nga projektet kryesore infrastrukturore që, sipas saj, vazhdojnë të jenë të papërfunduara, përfshirë rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Gjilan, Prishtinë–Mitrovicë, Kijevë–Zahaq dhe Dollc–Gjakovë. Sipas Bajramit, disa prej këtyre projekteve kanë nisur para dhjetë vjetësh, ndërsa qytetarët vazhdojnë të humbin orë të tëra në kolona.

Duke iu referuar Raportit Nëntëmujor Financiar të Ministrisë së Financave, Bajrami ka deklaruar se deri në fund të shtatorit 2026 janë realizuar 376.85 milionë euro nga 998.4 milionë euro të planifikuara për investime kapitale, apo rreth 37 për qind e buxhetit vjetor. Ajo ka theksuar se kjo shumë është 12.36 milionë euro më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

“Edhe më shqetësues është fakti se nga 376.85 milionë euro të regjistruara si shpenzime kapitale, 82.11 milionë euro janë pagesa për vendime gjyqësore. Pra, jo çdo euro e regjistruar si shpenzim kapital përfaqëson investim kapital në terren”, ka deklaruar ajo. Bajrami ka shtuar se vetëm gjatë viteve 2021–2024 janë realizuar rreth një miliard euro më pak investime kapitale sesa ishin planifikuar.

Kritika ka pasur edhe për projektbuxhetin për vitin 2027, në të cilin Qeveria ka planifikuar 1.07 miliard euro për investime kapitale, ndërsa për të gjitha komunat janë ndarë rreth 247 milionë euro. Bajrami ka përmendur 23 çerdhe të përfshira në projektbuxhet, për të cilat, sipas saj, nuk është ndarë asnjë euro për vitin 2027. “A e dini pse? Sepse kështu Albini Kurti e mban gjallë gënjeshtrën e 160 çerdheve që nuk u realizuan kurrë”, ka shkruar ajo.

Sa u përket projekteve infrastrukturore, Bajrami ka thënë se për rrugën Duhël–Banullë, me vlerë 26 milionë euro, nuk është ndarë asnjë euro për vitin 2027. Për Unazën e Prishtinës, projekt me vlerë 61 milionë euro, janë paraparë vetëm një milion euro, ndërsa për Rrugën e Dukagjinit, me vlerë 31 milionë euro, po ashtu një milion euro.

Ajo ka ngritur shqetësime edhe për financimin e projekteve të tjera. Sipas saj, për ndërtimin e pesë digave, për të cilat Qeveria ka premtuar investime mbi 400 milionë euro, në projektbuxhetin e vitit 2027 janë ndarë vetëm 1.5 milionë euro. Ndërsa për Institutin për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë, projekt me vlerë 1.7 milionë euro, janë paraparë vetëm 50 mijë euro.

Bajrami ia ka atribuuar ngecjet në realizimin e investimeve kapitale mungesës së kapaciteteve qeverisëse, planifikimit të dobët, vonesave në prokurim, keqmenaxhimit të projekteve dhe korrupsionit. Ajo ka përmendur edhe 2.913 kontrata njëburimore të lidhura gjatë kësaj qeverisjeje.

Sipas saj, mosrealizimi i investimeve kapitale nuk nënkupton vetëm mosshpenzim të mjeteve buxhetore, por edhe humbje të mundësive për zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës dhe përmirësim të shërbimeve publike.

“Kosova ka nevojë për investime, jo për propagandë. Ka nevojë për një qeverisje që di t'i kthejë paratë publike në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët”, ka shkruar Bajrami, duke përfunduar se suksesi i një qeverie nuk matet me miliardat që premton, por me investimet dhe premtimet që realizon.