Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Bajqinovci kritisiert das Treffen der KFOR mit dem serbischen Militär in Pristina

Mefail Bajqinovci

Publikimi i takimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë në Prishtinë është “politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka thënë Mefail Bajqinovci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës.

Bajqinovci ka thënë se Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime që janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj.

Ai ka theksuar se mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk duhet të paraqiten sikur përcaktojnë pozitën politike të Kosovës apo sikur institucionet e saj të mos jenë pjesë e çështjeve të sigurisë.

“Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e ‘respektit të ndërsjellë’, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.

Ai ka thënë se kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në kohën kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmi për krimet e kryera nga forcat serbe.

Sipas Bajqinovcit, përfshirë këtu edhe rastet e varrezave masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe, këto çështje nuk janë pjesë e një të kaluare të largët për familjet e viktimave dhe qytetarët e Kosovës.

“Ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, ka thënë ai.

Bajqinovci ka kërkuar nga KFOR-i që të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Kosovës.

“Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”, ka përfunduar ai.