Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Besorgt über den mangelnden Schutz von Kindern durch den Staat

Kinder

Në Ditën Botërore për të drejtat e fëmijëve, psikologë e përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, vlerësuan se fëmijët në Kosovë nuk kanë siguri të mjaftueshme nga institucionet e vendit. Sipas tyre, nevojitet koordinim ndërinstitucional, për të mbrojtur fëmijët nga dhuna në familje

Rezana Bozhlani

Në Ditën Botërore për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve është alarmuar për mungesë mbrojtjeje të tyre nga ana e shtetit.

Mirëqenia e fëmijëve duhet të garantohet nga institucionet e shtetit, kërkon Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës. 

Por institucionet e Kosovës nuk po arrijnë të garantojnë mbrojtje dhe siguri për fëmijët, thotë përfaqësuesi i organizatës “Terre des Homes”, Naim Bilalli. 

“Ne si shoqëri kosovare dhe si institucione, me situatën aktuale gjatë muajve të fundit që kanë ndodh, nuk mund të mburremi sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijës. Do të thotë ka vështirësi të ndryshme në prag të këtij përvjetori, nëse mund të themi, të kësaj konvente”, ka thënë ai.

Sipas Bilallit, janë një sërë institucionesh që duhen mbajtur përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve, por që shpesh dështojnë në zbatimin e ligjeve. 

“Sot ne duhet të nisemi së pari nga vetë familja, dhuna në familje, jo vetëm në aspektin a është direkt viktimë fëmija, por ne duhet të shohim edhe aspektin indirekt, sepse pasojat janë edhe në aspektin psikologjik te fëmija. Kemi problem me legjislacionin ta implementojmë. Këtu nuk duhet të fokusohemi vetëm te një institucion. Reflektimi duhet të bëhet tek të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi në mbrojtjen e fëmijëve”, ka thënë ai.

E psikologu Ilir Havolli, thotë se dhuna në familje prek direkt zhvillimin emocional dhe psikik të fëmijëve. 

“Dhuna në familje ka ndikim të thellë në zhvillimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve. Edhe nëse fëmija nuk është viktimë e drejtpërdrejtë e dhunës por vetëm dëshmitarë, e përjeton si kërcënim për sigurinë e tij. Kjo shfaqet me ankth, me frikë, pasiguri, me ankth në gjumë, me vështirësi në përqendrim deri në agresivitet dhe tërheqje sociale”, ka thënë ai.

Havolli thotë se problem mbetet mosraportimi i të gjitha rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, si dhe moskoordinimi mes institucioneve përgjegjëse. 

“Kosova ka mjaft mekanizma ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve, por sfida mbetet sa po adaptohen ato në praktikë. Nevojitet një koordinim më i mirë mes shkollave me shërbime sociale, shërbimeve shëndetësore dhe policisë”, ka thënë ky psikolog.

Sipas të dhënave nga Ministria e Drejtësisë, nga janari deri në shtator të këtij viti, viktimë e dhunës në familje kanë qenë 154 fëmijë të moshave të ndryshme nën 18 vjeç. 

Ndërsa gjithsej 2052 raste të dhunës në familje, janë raportuar në Kosovë brenda 9 muajve.