Pacientet që trajtohen me dializë po përballen me mungesë të terapisë Sevelamer, të cilën duhet ta sigurojnë vetë në barnatore, meqë SHSKUK-ja nuk ka arritur të lidhë kontratë për furnizim. Ndërkohë, për mungesën e këtij bari, SHSKUK-ja ka dhënë të njëjtin arsyetim sikurse edhe për mungesat e tjera të barnave, por nuk ka treguar nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim për të parandaluar përsëritjen e këtyre situatave
Tash e gati pesë muaj, 177 pacientë që trajtohen me dializë po përballen me mungesë të terapisë Sevelamer.
Kjo tabletë merret gjatë ushqimit, ndërsa pacientët duhet të furnizohen me të nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, pasi është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.
Një pacient ka treguar se që nga muaji maj, nuk ka mundur ta sigurojë më këtë terapi në Klinikën e Nefrologjisë.
“Dmth, tabletat i kam përfunduar kah fundi i muajit maj dhe më nuk kam mundur t’i marr në klinikë. Vetë jam duke i blerë, ndërsa një kuti kushton 95 euro”, ka thënë pacienti në kushte anonimiteti.
Mungesën e kësaj terapie e kanë konfirmuar edhe në SHSKUK.
“Nga fillimi i muajit qershor 2026 nuk ka pasur furnizim të rregullt me Sevelamer 800 mg. Aktualisht, ende nuk kemi një kontratë valide për produktin farmaceutik Tab Sevelamer 800 mg. Kjo situatë është krijuar për shkak të operatorëve të pandërgjegjshëm gjë që ka ndikuar në pamundësinë për të finalizuar kontratën në afatin e paraparë. Barnatorja Qendrore është furnizuar herë pas here përmes donacioneve mirëpo sasitë e pranuara kanë qenë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat”, thuhet në përgjigje.
Mungesa e ofertave apo ofertat me çmime më të larta sesa vlera e parashikuar e kontratës në tender janë ndër arsyetimet që SHSKUK-ja i ka dhënë vazhdimisht për mungesën e barnave në klinikat e QKUK-së.
Por, sipas njohësit të shëndetësisë, Bujar Vitija, këto arsyetime nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e menaxhmentit të SHSKUK-së.
“Asnjë arsyetim i SHSKUK-së nuk e mbulon papërgjegjësinë e zyrtarëve dhe menaxhmentit. Arsyetimet se nuk ka pasur oferta, se është tejkaluar planifikimi apo mungesa e autorizimit për marketing po përsëriten në çdo rast, sa herë që mungon një produkt medicinal në klinika. Kjo nuk tregon se kemi të bëjmë vetëm me disa raste, por me papërgjegjësi dhe mungesë planifikimi. Operatorët ekonomikë mund të bëjnë përpjekje, siç bëjnë zakonisht, për t’i shtyrë përpara interesat e tyre në çfarëdo forme, por kjo nuk e zbut detyrimin që SHSKUK-ja ka ndaj pacientëve”, ka thënë ai.
Për këtë çështje, KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK të enjten, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, edhe në mbledhjen e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të mbajtur më 30 shtator, janë konfirmuar gjetjet e auditimit të brendshëm, të cilat përputhen me raportimet e KOHËS gjatë gjithë vitit.
Në to janë evidentuar mangësi në planifikimin, furnizimin, menaxhimin dhe monitorimin e barnave dhe materialit medicinal.
Për këto parregullsi, SHSKUK-ja të dielën, përmes një komunikate, ka njoftuar se ka suspenduar katër punonjës.
“SHSKUK njofton se katër punonjës janë suspenduar pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues. Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), në mbledhjen e tetë, të udhëhequr nga kryesuesi Dr. Faik Shatri, u njoftua për masat e para disiplinore të ndërmarra pas evidentimit të parregullsive në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Gjatë këtij viti vazhdimisht në klinikat e QKUK-së ka pasur mungesa të barnave.