Sport

Dy golat e Dzekos ia vështirësojnë punët Empolit të Veselit

Skuadra e Romës nuk e ka ndërmend t’ia lëshojë rrugën Juventusit në garën për titull të Serie A.

Në ndeshjen e javës së 30 të kampionatit italian, romakët regjistruan një fitore bindëse ndaj skuadrës së përfaqësuesit të kombëtares shqiptare, Frederik Veselit, Empolit, i cili ishte titullar në këtë ndeshje.

Një gol në pjesën e parë dhe një në të dytën nga Edin Dzeko mjaftuan që skuadra nga kryeqyteti italian të sigurojë 3 pikë të plota në shtëpi dhe të grumbullojë gjithsejtë 68 pikë, 5 pikë prapa kreut Juventusit dhe 5 pikë para Napolit, që të dyja këto skuadra me nga një ndeshje më pak të zhvilluar, raporton Koha.net.

Ndërkaq, Empoli i Veselit po lufton për mbijetesë duke u renditur në pozitën 17 me vetëm 22 pikë të grumbulluara në 30 ndeshje, vetëm 7 pikë larg rënies në kategorinë e dytë të futbollit italian.