Sport

Kosova U21 me fitore historike ndaj Norvegjisë

Kosova ka shënuar fitoren e parë historike në futboll në ndeshje zyrtare në kualifikime, dhe këtë e kanë bërë shpresat.

Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë juniorët e Kosovës i mposhtën ata të Norvegjisë me rezultat prej 3 me 2, raporton Koha.net.

Kosova kryeson në Grupin 5 me 6 pikë në kualifikimet për Evropian, me dy fitore ndaj Norvegjisë, megjithatë e para e zhvilluar në shtetin skandinav i ishte dhënë në tavolinë Kosovës, 3-0, për shkak norvegjezët kishin aktivizuar në lojë futbollistin Krostoffer Ajer, i cili nuk kishte të drejtë loje, për shkak të dy kartonëve të verdhë.

Në ndeshjen e 12 qershorit Norvegjia kishte fituar 5-0 në Drammen, por më vonë UEFA i kishte dhënë fitoren me rezultat zyrtar Kosovës.

Në ndeshjen e sotme në Mitrovicë ishin mysafirët që e nisën më mirë takimin duke krijuar epërsi prej 0-2 përmes Thorsbyt e Odegaardit, megjithatë Kosova u kundërpërgjigj për mrekulli duke barazuar shifrat në pjesën e parë.

Enis Bytyqi ngushtoi rezultatin në minutën e 41 pas asistimit nga Florent Hasani, që pas dy minutave barazoi shifrat.

Kosova siguroi pikët e plota në pjesën e dytë kur Enis Bytyqi gjeti përsëri rrugën e golit në minutën e 87.

Pas tre ndeshjeve të zhvilluar tani lider është Kosova me 6 pikë.