Sport

Shqipëria gati për ndeshjet parakualifikuese në basketboll

Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll tash e disa javë është grumbulluar në Tiranë, për të kryer fazën përgatitore për ndeshjet parakualifikuese “Kina 2019”.

Në krye të Shqipërisë edhe në këto eliminatore do të jetë trajneri qipriot Antonis Constantinides.

Ky i fundit ishte edhe trajner i Sigal Prishtinës, në Kosovë.

“Fillimisht ne do t’i zhvillojmë edhe tri ndeshje miqësore dhe kemi fazën e fundit të përgatitjeve para ndeshjeve që do t’i zhvillojmë. Duhet të jemi gati për këto ndeshje dhe besoj se mund të arrijmë pozitën e dytë që është edhe synim i ynë. E rëndësishme është që ta nisim mirë dhe të marrim fitore në shtëpi”, ka thënë ai për KTV-në.

Optimizëm para ndeshjeve parakualifikuese kanë shprehur edhe kapiteni i Shqipërisë Gerti Shima dhe qendra Endrit Hysenagolli.

Shqipëria ndeshjen e parë të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror, do ta luajë më 2 gusht në Tiranë ndaj Austrisë, përderisa është në grup edhe me Holandën.