Sport

Wengeri konfirmon ditën kur do të vendos për të ardhmen

Arsene Wenger pas triumfit në FA Cup ndaj Chelseat ka thënë se të mërkurën apo të enjten gjithçka do të sqarohet sa i përket të ardhmes së tij.

Arsenali fitoi sot ndaj Chelseat në finale të FA Cup me rezultat 2 me 1, me golat e shënuar nga Sanchez e Ramsey, derisa Costa shënoi golin e vetëm për kampionin anglez, transmeton Koha.net.

“Të martën kemi një takim me bordin, dhe të mërkurën ose të enjten do të sqarohet gjithçka”, ka thënë ai për të ardhmen e tij.

Ai është ndarë shumë i lumtur me trofeun e FA Cup, që ishte i shtati për Wengerin.

“Patëm një performancë të jashtëzakonshme që nga minuta e parë. Ky ekip ka vuajtur, janë bashkuar dhe janë përgjigjur. Ata treguan fuqi dhe bashkim dhe luajtën futboll spektakolar sot. Jam shumë krenar që kam fituar shtatë herë këtë kupë. Jam krenar që e kam bërë këtë – duke fituar titullin pa humbje, dhe që jam fituar shtatë FA Cups”, ka thënë ai për BBC.