Arbëri

PDK: Qytetarët e Prishtinës shumë shpejt do ta kuptojnë se kush ka qenë kryetari i vërtetë i tyre

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, i është kundërpërgjigjur reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila akuzat e PDK-së për punësime partiake në Komunën e Prishtinës i quajti shpifje.

PDK, në reagimin e saj dërguar mediave, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, pas ikjes disaditore prej debateve politike, “me shpresë se po u shpëtojnë me lehtë skandaleve në qeverisjen e Prishtinës, sot paska lëshuar një fletërrufe politike pa e dhënë asnjë sqarim rreth punësimit partiak të qindra militantëve të bandës kriminale të Dardan Molliqajt në Komunën e Prishtinës”.

“Duke u fshehur pas fjalorit të zakonshëm politik, që tashmë ua kanë mësuar gjithë qytetarët e vendit, Lëvizja Vetëvendosje vetëm paska provuar t’i shmangët llogaridhënies për punësimin e kundërligjshëm gjatë dy vjetëve të 486 njerëzve me kontrata për shërbime të veçanta, ku shërbim i veçantë për shumicën e tyre ka qenë vetëm hedhja e molotovit, gurëve dhe shkatërrimi i pronës publike e private në Prishtinë”, ka theksuar PDK në reagimin e saj.

“Qeverisja e korruptuar e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e arkëtarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkak të përpjekjeve destabilizuese dhe dhunës së ushtruar, atyre u kishte siguruar një terren të përshtatshëm për ta keqpërdoruar paranë publike, pa u marrë askush me ta, duke paguar militantë të dhunshëm dhe duke u dhënë tenderë njerëzve të afërt të tyre”, theksohet më tej në reagim të Degës së PDK-së në Prishtinë.

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, thotë se do t’i bëjë publike të gjitha këto dhe qytetarët e Prishtinës “shumë shpejt do ta kuptojnë se kush ka qenë kryetari i vërtetë i tyre”.

“Ne kërkojmë nga Komuna e Prishtinës apo edhe nga urdhërdhënësi i Shpend Ahmetit që ta bëjnë publike listën e plotë të të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta dhe t’u japin përgjigje qytetarëve të Prishtinës për mbingarkimin e administratës me militantë të tyre prej komunave të tjera të Kosovës”, ka përfunduar PDK.