Lifestyle

“Airbnb”: Maqedonia më e lira për turistë, Kosova e 4-ta

Duke iu falënderuar faqes së famshme për rezervime online, turistët që kanë mangësi të parasë tani mund të qëndrojnë në qendra të qyteteve botërore për një shumë të vogël parash.

Megjithatë, jo gjithmonë të del më lirë nëse rezervon përmes kësaj faqeje. Madje, në disa raste çmimi mund të jetë më i shtrenjtë deri në 100 euro në natë.

“Voucher Codes” ka studiuar vendet më të lira dhe më të shtrenjta nëpër Evropë në “Airbnb”, ku qytetet më të shtrenjta dolën të jetë ato të Evropës Perëndimore dhe të Skandinavisë, raporton Koha.net.

Islanda (112 funte), Suedia (82 funte) dhe Andorra (79 funte) zyrtarisht kryesojnë listën e vendeve më të shtrenjta në Airbnb, të ndjekura për të afërmi nga Norvegjia (77 funte) dhe Britania e Madhe (75 funte).

Por, vendet që ofrojnë fjetjen më të lirë në Evropë, sipas “Airbnb”, dalin të jenë Maqedonia, Shqipëria, Moldavia dhe Kosova.

Në Maqedoni, sipas kësaj faqeje, mund të flesh për një natë me 26 funte, në Shqipëri me 27, në Moldavi me 28, sa kushton edhe në Kosovë.

Po ashtu, në këtë rankim del se Gjermania dhe Portugalia janë në mesin e vendeve ku mund të flini me pak para, me nga 45 funte në natë në të dy këto vende.

Sipas studimit të “Voucher Codes”, vendet që e arsyetojnë shumën e parave për një natë në çift janë Greqia, Zvicra dhe Gjermania, ndërsa Andorra, Luksemburgu dhe Gjeorgjia janë ideale për udhëtime në grup me buxhet të limituar.