Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ilaçi për diabet mund të mbrojë kundër formës vdekjeprurëse të kancerit të gjirit

Hulumtimi i ri ka identifikuar se një frenues i enzimës metabolike, i cili përdoret për trajtimin e diabetit, mund të përdoret për t’i trajtuar tipat e kancerit të gjirit të ngjashme me ato "bazale".

Hulumtuesit në Kinë kanë zbuluar se një frenues i enzimës metabolike i quajtur epalrestat, i përdorur për të trajtuar komplikimet nga diabeti, mund të jetë efektiv në luftimin e një forme vdekjeprurëse të kancerit të gjirit, transmeton koha.net.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Enzima metabolike AKR1B1 e nxit rritjen e formës vdekjeprurëse të kancerit të gjirit me formë bazale dhe të trefishtë-negative.

Në mes 15 dhe 20 për qind e të gjithë kancereve të gjirit janë me formë bazale, që është veçanërisht agresive dhe bie në nëntipin e trefishtë-negativ të kancerit të gjirit. Aktualisht, nuk ka trajtime efektive për këtë formë të kancerit të gjirit, e cila shpesh është fatale.

Kanceri i gjirit me formë bazale është më agresiv për shkak të një procesi të quajtur transicioni epitelial-mezenkimal, apo EMT, një proces ky ku qelizat e kancerit bëhen më të afta për lëvizje dhe fitojnë veti të qelizave burimore duke u mundësuar atyre t’i rezistojnë trajtimit dhe metastazës.

Hulumtuesit zbuluan se nivelet e AKR1B1 ishin dukshëm më të larta në kanceret e gjirit me formë bazale dhe të trefishtë-negative, gjë që ishte lidhur me rritjen e normave të metastazave dhe vdekjes.

Në anën tjetër, studiuesit zbuluan se eliminimi i AKR1B1 e pengoi rritjen dhe metastazën e tumoreve në qelizat e kancerit të gjirit me formë bazale të injektuara në minj.

Studimi zbuloi gjithashtu se epalrestati, një ilaç i përdorur për trajtimin e neuropatisë periferike diabetike, e pengon AKR1B1 dhe mund ta bllokojë rritjen dhe metastazën e qelizave të kancerit të gjirit me formë bazale.

"Të dhënat tona sugjerojnë qartë se ekspozimi i shtuar ndaj AKR1B1 paraqet një ngjarje onkogjenike e cila është përgjegjëse për sjelljet agresive të qelizave të kancerit të gjirit me formë bazale," tha Chenfang Dong, studiues në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Zhejiang në Hangzhou të Kinës, në një deklaratë për shtyp. "Meqë epalrestati është tashmë në treg dhe nuk ka efekte të mëdha anësore negative, studimi ynë e ofron një dëshmi për parimin se ai mund të bëhet një medikament i vlefshëm shënjestrues për trajtimin klinik të kancerit të gjirit me formë bazale."

Studimi është publikuar në The Journal of Experimental Medicine.