Festë e madhe ka qenë tërë dita e shtunë për “Defy Them” e komunitetin artistik në kryeqytet. Kremtja e sukseseve të një viti prej kur u zhvendos në hapësirën e re është manifestuar me prezantimin e produkteve të Qendrës. Hapësira ka rilindur e tashmë frymon si asnjëherë më parë. Veç disa javë më parë, “Defy Them” kishte njoftuar se muzika rock po rilind për shkak të bendeve të tjera që po krijohen. Të tilla i kishin numëruar mbi 20 dhe ishin vlerësuar si dëshmi e interesimit të madh të të rinjve për këtë zhanër
Ishte ndërtuar si strehimore në rast luftërash e katastrofash të tjera. Objekti u harrua për një kohë e vite më parë nisën iniciativa për ta funksionalizuar. Hapësira e braktisur në “Breg të Diellit” u bë me zot shtëpie që prej 1 prillit të vitit të kaluar kur hapi dyert si qendër e kulturës alternative. Qendra e muzikës alternative, rock, punk e metal tashmë ka zënë vend aty duke investuar në përhapjen e trendit të bendeve të këtyre rrymave të muzikës.
Festë e madhe ka qenë tërë dita e shtunë për “Defy Them” e komunitetin artistik në kryeqytet. Kremtja e sukseseve të një viti prej kur u zhvendos në hapësirën e re është manifestuar me prezantimin e produkteve të Qendrës. Hapësira ka rilindur e tashmë frymon si asnjëherë më parë. Veç disa javë më parë, “Defy Them” kishte njoftuar se muzika rock po rilind për shkak të bendeve të tjera që po krijohen. Të tilla i kishin numëruar mbi 20 dhe ishin vlerësuar si dëshmi e interesimit të madh të të rinjve për këtë zhanër.
Të shtunën mbrëma ritmi i muzikës ka depërtuar deri larg dhe ka qenë si ftesë për publiku që kalon andej pari të bashkohet në festë. Përgjatë një viti, pamja nuk ka ndryshuar fort, përveçse në muret e tyre janë shtuar shenjat e aktiviteteve të mbajtura aty. Dritat shumëngjyrëshe i japin oborrit të Qendrës gjallëri. Komuniteti artistik bashkë me adhuruesit e muzikës kanë kundruar çdo cep aty që u ka bërë nikoqirllëk bisedave e të qeshurave të zëshme të secilit. Përvjetori është shënuar me koncert.
Të parët që kanë interpretuar kanë qenë bendet e reja të krijuara në kuadër të “Defy Them”. “Arise” është quajtur koncerti ku kanë debutuar bendet e reja “Path Gen”, “Starfish” e “Presje” të cilat kanë shpërfaqur potencialin para publikut.
Aktiviteteve të tërë ditës së të shtunës ua ka vënë kapakun koncerti “Spring Gathering”. Ka qenë bendi “Zwada” i pari që ka elektrizuar skenën në kuadër të këtij koncerti. Ritme rocku e kanë bërë publikun të kërcejë tok me anëtaret e bendit. Kanë interpretuar këngët “Blondie”, “If you want me to”, “Burning hell”, “Let’s pretend”, “Don’t belong to you” e “Where is my mind”. Këngët që interpretojnë janë kryesisht origjinale e “Falma hanën” ka qenë më e dashura për publikun të cilët kanë kënduar njëzëri me lideren e bendit, Suada Abazin.
“Janë shumë me fat ‘Defy Them’ me hapësirën e re. Audienca veç po rritet. Po më vjen mirë që është në këtë gjendje, e më e mira është se janë formuar rreth 20 bende, është goxha sukses për aq kohë sa funksionon ‘Defy Them’. Jemi krah tyre gjithmonë si bend lokal dhe veç më të mirat i urojmë”, ka thënë Abazi pas përfundimit të performancës së saj.
Shpat Deda me bendin e përbërë prej Art Lokajt në kitarë elektrike, Nesim Maxhunit në bateri e Ilir Bajrit në tastierë kanë kthyer publikun mbi një dekadë pas me repertorin e tyre. Ato në fakt kanë qenë kombinim i tri albumeve të kantautorit, por që kanë kumbuar me “Ëndërroj” e “Ninullë”. Rolet mes audiencës dhe këngëtarëve në skenë shpesh këmbeheshin.
Këngëtari Shpat Deda e ka uruar “Defy Them” me rastin e shënimit të një vjetorit duke e vlerësuar si iniciativë prej më të bukurave. “Mendoj se është një prej iniciativave më të bukura në kryeqytet e cila ka pasur efekt të prekshëm. Janë bërë diku 20 bende prej aktiviteteve direkte të ‘Defy Them’, kështu që për mua është kënaqësi shumë e madhe të bëj muzikë sonte si dhe t’i dëgjoj gjithë këto bende të reja, talente të reja që janë bërë bashkë, nuk ka ndjenjë më të mirë”, është shprehur Shpat Deda pak para daljes në skenë.
Ka uruar që Qendra të vazhdojë të përkrahet.
Ritmet e muzikës rock në kombinim i ka sjellë bendi “Asgjë sikur dielli” me liderin Alban Nimani e mbrëmjen e ka përmbyllur Adrian Berisha me muzikë elektronike.
Drejtoresha e “Defy Them”, Iliriana Blakaj, është shprehur e lumtur që numër i madh i njerëzve, pa dallim moshe, janë bashkuar në festën e asaj që e ka quajtur shtëpi të bendeve të reja. “Shumica prej bendeve kanë gjetur një shtëpi në ‘Defy Them’, një shtëpi e cila ka ofruar hapësira të ndryshme qoftë për të shprehur produktet e tyre artistike si për të incizuar në studio apo për të marrë pjesë në shkollë. Duke u bazuar në këto të dhëna besoj se suksesi është shumë i dukshëm”, ka thënë ajo.
Si në panelin e diskutimit që ishte mbajtur gjatë ditës, ku fokus ishte marrja në shfrytëzim e hapësirave publike për qëllime kulturore dhe vështirësitë, edhe derisa koncerti po zhvillohej ka paralajmëruar projekte të reja. Një të tillë e ka përmendur atë multietnik që përfshin komunitetin shumicë e ato pakicë.
“Defy Them” pos si hapësirë për interpretim përbëhet prej shkollës së muzikës e studios së regjistrimit të këngëve. Gjatë gjithë ditës që ka shënuar një vjetorin e hapësirës së re të saj janë mbajtur aktivitete. Fillimisht ka qenë koncerti i të rinjve të shkollës së muzikës e më pas edhe paneli “Expanding Spaces – Retrospective and Vision”, ku është diskutuar për potencialin që kanë hapësirat publike që shërbejnë për qëllime kulturore, aktivitetet që strehojnë dhe rëndësinë e tyre te komuniteti.
Hapësirën e kishte rinovuar tre vjet më parë Komuna e Prishtinës me një projekt prej 50 mijë eurosh dhe ishte futur në bisedime me Galerinë Kombëtare të Kosovës që t’ia jepte në shfrytëzim me qëllim që aty të zhvendosej koleksioni prej rreth një mijë veprash që ruan GKK-ja. Ende pa nisur punimet rinovuese, nga institucioni më i lartë i artit pamor kishte vërejtje se objekti nuk është i përshtatshëm për këtë qëllim. “Defy Them” vitin e parë e ka rrumbullakuar me festë. Planet janë që qendra të zhvillohet edhe më. Bazën tashmë e ka.