Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Transicioni shqiptar në objektivin e fotografes Benzenberg

Shqipëria e fillimviteve ’90 pas do të shndërrohej në një lloj atraksioni për shumë qytetarë evropianë. Donin të shihnin se si duken një vend dhe një shoqëri që kishin përjetuar për gati gjysmë shekulli një prej regjimeve më të egra diktatoriale.

Fotografja gjermane Jutta Benzenberg do t’ia mësynte Shqipërisë asokohe. E ekspozita e saj personale në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” në Shkodër shpërfaq një rrëfim viziv të transicionit shqiptar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas rrëfimit të saj, e shoqëruar nga albanologu dhe aktivisti Ardian Klosi, ajo udhëtoi nëpër të gjithë Shqipërinë duke pasqyruar në fotografi portrete njerëzish, ngjarje, fushata elektorale e deri te protestat.

“Në ekspozitën time do të gjeni karaktere të ndryshme dhe të gjitha janë të bashkuara në personin tim”, ka thënë fotografja në hapje të ekspozitës. Ka treguar se vazhdon të shkrepë fotografi në Shqipëri. Bile, ka treguar se nuk mund të shkëputet nga Shqipëria. Imazhet e saj në bardhezi rrumbullakojnë një kohë kur shqiptarët janë përballur me lirinë. Drejtori i Muzeut, Luçian Bedeni, e ka përshkruar Jutta Benzenberg si një fotografe aktive e transicionit shqiptar.

“Jutta Benzenberg është një rast i rrallë në këta 30 vjet. Është një fotografe gjermane, një artiste gjermane, që vjen dhe jeton në Shqipëri. Dhe gjithë krijimtaria e saj 30-vjeçare është e bazuar në këtë hark kohor, në këto vite, që përkojnë me vitet e transicionit. E gjejmë atë si pjesë të protestave të ndryshme, pjesë e manifestimeve, pjesë e fushatave”, ka thënë ai.

Kurse studiuesi e artisti Leke Gjeloshi ka thënë se ekspozita e fotografes Jutta Benzerberg është dëshmi e personalitetit dhe profesionalizmit të saj, si dhe pjesë e historisë së periudhës 30- vjeçare, paskomuniste në Shqipëri.

“Jutta Benzenberg sjell aktivitetin e saj që shtrihet në tri dekada, që nga viti 1991 e deri në ditët e sotme. Kërkimin e saj e ka përshkruar si nga pozitat e fotoreporteres, si nga pozita e fotografes që inskenon subjektet e veta, ngjarje të rëndësishme, si në planin politik, si në planin shoqëror, si në planin gjeografik të jetës shqiptare. Të shqiptarëve vetë, por dhe të saj, si një gjermane që vjen këtu, martohet, ndërton jetën dhe aktivitetin e saj”, ka thënë Gjeloshi, njëherësh punonjës i muzeut “Marubi”.

Ekspozita e gjermanes është një prej projekteve të këtij viti në Muzeun e njohur sa i përket fotografive. “Marubi” është një prej institucioneve më të rëndësishme muzeore jo veç në Shqipëri. Institucioni ka mijëra negativë që sjellin pamje të Shqipërisë e të shqiptarëve qysh prej fundit të shekullit të 19-të. Është në proces të digjitalizimit të arkivit me synimin që fondi të propozohet e më pas edhe të shpallet trashëgimi botërore nga UNESCO.