Vendimi për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për restorant ka përplasur drejtues këtij institucioni dhe drejtoreshën e kulturës në Komunën e Vushtrrisë, Shpresa Rama.
Kjo e fundit, në reagimin e saj ka kontestuar ato që i ka quajtur veprime të njëanshme, paligjshme dhe të fshehta për dhënien në shfrytëzim të Kalasë nga IKMM-ja, raporton KTV.
Por, pretendimet e drejtoreshës i ka mohuar drejtori i Institutit, Agim Gërguri, i cili ka thënë se Rama ka qenë e njoftuar për rastin. Ai ka shtuar se IKMM-ja është pronare e Kalasë dhe se i gjithë procesi është në pajtim me ligjin.
Sipas tij, Komuna e Vushtrrisë nuk ka të drejtë ta ndalojë apo të ndërhyjë në kompetenca të institucioneve që kanë mandat të mbrojnë dhe ruajnë trashëgiminë kulturore të përcaktuara me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Mentor Salihu, pronar i “Dardania Castle”, e cila do të shfrytëzojë hapësirat e kalasë për 5 vjetët e ardhshëm, ka konfirmuar se një pjesë e kalasë do të shndërrohet në restorant. Por, sipas tij, për asnjë moment nuk do të kufizohet qasja për vizitorët.
Ndërsa, sipas tij, vetëm drejtoresha e Kulturës është kundër këtij vendimi të IKMM-së.
Më vonë, Kohavisioni ka kuptuar se Salihu është djali i dajës së kryetarit të Komunës, Bajram Mulaku, gjë që është konfirmuar nga vetë protagonisti, i cili megjithatë, nuk ka pranuar që Mulaku ka ndikuar në vendim.
Vetë kryetari Mulaku, gjatë ditës nuk e ka hapur telefonin.
Ndërsa, ky vendim nuk është pëlqyer as nga historianë e aktivistë të shoqërisë civile në Vushtrri. Derisa kanë vlerësuar se për 17 vjet trashëgimia kulturore në këtë qytet është shkatërruar, kanë shtuar se komuna është treguar e paaftë për ta mbrojtur atë.
Ndryshe, Kalaja e Vushtrrisë, si një nga monumentet më të vjetra në vend, deri tash është shfrytëzuar për aktivitete nga komuna dhe shoqëria civile.